BE qorton Facebook dhe Twitter

Auto&Tech February 16, 2018 - 09:03


BE i ka kritikuar ashpër rrjetet sociale Facebook dhe twitter: sipas Komisionit të BE ato nuk i respektojnë sa duhet ligjet për mbrojtjen e të dhënave të konsumatorëve në Evropë.

Në një kohë kur Google i ka përshtatur rregullat e platformës së saj Google plus në një masë të konsiderueshme me kërkesat e Komisionit, Facebook dhe veçanërisht Twitter nuk kanë vepruar kështu. Pika shumë të rëndësishme ata i kanë marrë parasysh vetëm pjesërisht, bëri të ditur Komisioni Evropian. Veçanërisht janë procedurat për bllokimin e përmbajtjeve dhe të llogarive të përdoruesve ku ndeshen problemet më të mëdha.

Komisarja për Drejtësinë e BE, Vera Jourova deklaroi se propozimet e paraqitura deri tani nga këto sipërmarrje janë të pamjaftueshme. “Mbrojtja e konsumatorëve në BE duhet respektuar,” tha Jourova. “Nëse sipërmarrjet nuk i përmbahen kësaj, ato duhet të mbulohen me gjoba”.

Këtyre sipërmarrjeve u qe kërkuar që në nëntor 2016 që ta përshtasin mbrojtjen e tyre për konsumatorët me rregullat e BE. Sipas vlerësimit të Komisionit, Twitteri vazhdon t’i ndryshojë kushtet e përgjithshme tregtare pa i informuar për to përdoruesit.

Përdoruesit e Twitterit dhe të Facebookut veç kësaj nuk informohen në kohën e duhur dhe jo mjaftueshëm për fshirjet që i kërcënojnë të përmbajtjeve të dyshuara si ilegale, kritikoi Komisioni.

Edhe për mundësinë që të paraqitet ankesë kundër fshirjeve që priten ose që kanë ndodhur nuk jepet informacion i mjaftueshëm. Një zëdhënëse e Facebookut deklaroi në lidhje me kritikat se këtë vit janë parashikuar ndryshime. Këtu bën pjesë p.sh. mundësia për t’i informuar përdoruesit më mirë për fshirjen e përmbajtjeve.

Jourova tha më tej se rrjetet sociale i përdorin si platforma publicitare dhe tregtare dhe ato duhet t’u përmbahen nga ky shkak rregullave të mbrojtjes së konsumatorëve.

Kërkesa qendrore të Komisionit të BE ishin p.sh. një e drejtë tërheqjeje në blerjet në internet dhe kompetenca e gjykatave evropiane, që të ngrenë padi mbi bazën e së drejtës nacionale. Më parë, Google, Facebook dhe Twitter parashikonin që në rast konflikti, ai të zgjidhej mbi bazën e ligjeve të Kalifornisë, sepse atje e kanë qendrën këto firma./DW