Volkswagen T-Roc, një hap më përpara në segmentin Crossover dhe SUV

Auto&Tech December 20, 2017 - 20:52

Segmenti i veturave kompakte Crossover ka fituar një lojtar të ri dhe serioz dhe vjen nga punëtoria e Volswagenit. Kjo kompani e ka zgjeruar gamën e veturave të saj Crossover me modelin e ri T-Roc. Opsionet e shumta, inovacionet e teknologjisë, motorët efikas deri në 190 kuaj fuqi, rehatia dhe dizajni inovativ që posedon ky model, padyshim se janë të mjaftueshme që T-Roc të ec një hap më përpara në segmentin e veturave Crossover dhe SUV. I dizajnuar për të plotësuar vendin nën modelin Tiguan, kjo veturë është krijuar në atë mënyrë që të jetë tërheqës për të gjithë. Emri T-Roc është krijuar me kombinimin e shkronjës T që paraqet homazh për modelet Tiguan dhe Touareg, forca e të cilëve është bartur edhe në këtë model, derisa Roc rrjedh nga fjala angleze “Rock”, që do të thotë “shkëmb” dhe ka të bëj me aftësinë e këtij modeli për të pushtuar edhe terrenet më të papërshtatshme. T-Roc vjen me tri opsione të pajisjeve, Standard, Style dhe Sport.

Dizajni
Dizajni revolucionar i T-Roc i cili posedon gjenet e modeleve Tiguan dhe Touareg, e bën që të dalloj nga veturat tjera të kësaj klase. Për nga pamja vizuale dhe teknologjia, ky model padyshim se ka sjellë freski në segmentin e veturave Crossover, në rend të parë për shkak se posedon pamje unike dhe sportive. T-Roc është bazuar në platformën e njohur të Volswagenit MQB, të cilën e ndan me shumë modele në kuadër të grupacionit të VW-s dhe falë kësaj platforme, T-Roc ka proporcione mjaft dinamike. Është i gjatë 4,2 metra dhe ka distancë me boshteve prej 2,6 metra. Gjerësia e tij është 182 centimetra, ndërsa lartësia 157 centimetra. Në pjesën e përparme gjendet maska e gjerë e cila është në përputhje të përkryer me dritat. Kur jemi te dritat, ato posedojnë teknologjinë LED dhe kanë dizajn tepër të bukur. Janë të ndara dritat e ditës, treguesit e drejtimit dhe dritat anësore të pozicionimit. Falë renditjes së dritave, T-Roc dallohet lehtë gjatë natës. Ka pjesë të shumta nga kromi, përfshirë tek maska por edhe përgjatë tërë gjatësisë së veturës si dhe tek pjesa e kulmit. Dizajni i pjesës së pasme, është strukturuar në tri nivele. Nivelin e parë e përbën kulmi dhe xhami i pasmë, pastaj pjesa e mesme në të cilën gjenden dritat LED në dizajnin 3D, ndërsa niveli i tretë përbëhet nga mbrojtësi, në të cilin gjenden edhe pjesë të shumta të kromuara.

Interieri
Forma dhe funksioni i interierit të modelit T-Roc, në mënyrë të përkryer ilustron erën digjitale bashkëkohore. Në tablonë e instrumenteve më nuk kemi asgjë analoge, por çdo gjë është digjitalizuar dhe çdo gjë duket për mrekulli. Ai posedon edhe sistemin më të ri infotaitment me teknologjitë më të avancuara që vijnë me ekranin 8 inç, i cili jep pamje të qarta për vozitësin. Falë përmasave të veturës, ka hapësirë të mjaftueshme si për vozitësin, ashtu edhe për pasagjerët tjerë si në pjesën përpara, ashtu edhe prapa. Materialet e përdorura në brendi të veturës, janë të kualitetit më të lartë dhe janë kombinuar në mënyrë të përkryer. Kemi ulëse shumë të rehatshme të cilat mund të rregullohen sipas dëshirës.  

Sistemet e sigurisë

T-Roc është i pajisur me sisteme të shumta të sigurisë për ndihmë shoferit, siç janë sistemi i frenimit automatik në rast të paraqitjes së rrezikut të drejtpërdrejtë nga aksidenti i mundshëm, sistemi i mbajtjes së veturës në korsinë e rrugës, sistemi i cili mbikëqyr rrugën dhe paralajmëron për rrezikun e përplasjes së këmbësorëve, kontrollin e rrëshqitjes, kamerën e pasme dhe sistemin i cili mbikëqyr këndet e vdekura.

Bagazhi

Kapaciteti i bagazhit në krahasim me modelet tjera Crossover, është shumë më i madh dhe sillet në 445 litra, ndërsa me uljen e ulëseve të pasme, kapaciteti rritet në 1290 litra.

Motorët
T-Roc në ofertë ka gjashtë motorë të cilët vijnë në kombinim me marshin manual dhe automatik si dhe me sistemin e tërheqjes me dy apo katër rrota. Motori hyrës, pra më i dobëti, është ai 1.0 litërsh benzinë me 115 kuaj fuqi, derisa motori më i fuqishëm është ai 2.0 litërsh benzinë me 190 kuaj fuqi. Motori tjetër me benzinë, është edhe ai 1.5 litërsh me 148 kuaj fuqi, që është version i ri. Po ashtu, edhe oferta e motorëve me naftë, përbëhet nga tri versione dhe me forca të ndryshme. Bëhet fjalë për versionin 1.6 litërsh me 115 kuaj fuqi, pastaj versioni 2.0 litërsh që vjen me dy lloje të fuqisë, atë prej 150 kuaj fuqive dhe atë me 190 kuaj fuqi. Shumica e këtyre motorëve, vijnë në kombinim me marshin manual me 6 shpejtësi, por në opsion është edhe marshi automatik DSG me shtatë shpejtësi, që vlen për versionet 2.0 litërsh TSI me benzinë me 190 kuaj fuqi dhe për motorin me naftë 2.0 litërsh po ashtu me 190 kuaj fuqi. Këto dy versione kanë edhe mundësinë e vozitjes “Street” dhe “Snow”, por edhe sistemin “Off-Road”. Shpejtësia maksimale është e kufizuar në 200 km/h, derisa përshpejtimin nga 0 në 100 km/h e arrin për 8.4 sekonda. Sa i përket harxhimeve, për modelin të cilin jemi duke e testuar, pra versionin me naftë 2.0 litërsh me 150 kuaj fuqi, ato sillen në rreth 5.1 litra për 100 kilometra të kaluara, çka është rezultat vërtetë i mirë. Duhet përmendur se ekzistojnë 5 mënyra të vozitjes, comfort, normal, sport, eco dhe individual. Sa i përket çmimeve, ato fillojnë nga 20.252 euro, ndërsa çmimi më i lartë, ai me pakon e pajisjeve sport, që përfshinë pajisje dhe sisteme të shumta shtesë, është 35.578 euro.Image

Image

Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image