Suzuki Swift i ri, kombinim i shkëlqyeshëm i rehatisë dhe dinamikës

Auto&Tech November 08, 2017 - 18:55

Suzuki Swift është njëri nga modelet më të suksesshme të këtij prodhuesi japonez. Me modelin e ri, padyshim se rezultatet janë edhe më të mira, sepse ai duket më i bukur dhe vozit shumë më bukur, ndërsa me një organizim të mençur, tani ofron edhe hapësirë më të madhe.

Në shikim të parë, mund të thuhet se Suzuki Swift i ri, është vetëm një ridizajnim i modelit paraprak, por nuk është ashtu, pasi kemi të bëjmë me model plotësisht të ri.

Është për 4 centimetra më i gjerë, një centimetër më i shkurtër në gjatësi dhe 1.5 centimetra më i ulët se modeli paraprak. Kjo ka bërë që hapësira në pjesën e brendshme të jetë më e madhe, sidomos në pjesën e pasme.

Ajo që ndoshta është e rëndësishme të ceket dhe mendoj se është diçka e mirë, është se prodhimi i Suzuki Swift i ri, tani bëhet në Japoni dhe jo në Hungari siç ishte deri më tani dhe kjo ka rezultuar në kualitet më të madh.

Swift i ri është punuar në platformën Heartek dhe 65 për qind e strukturës dhe pjesëve është punuar nga çeliku me fortësi ultra të lartë. Kjo ka mundësuar që pesha e veturës të ulet për 120 kilogram dhe njëherit ka bërë që të ulen edhe harxhimet e karburantit.

Interieri

Image

Që në momentin që e hapni dyert, do të befasoheni këndshëm ulëset tejet të bukura dhe kualilative të cilat përfundimisht janë të klasit të lartë dhe të cilat ju ofrojnë një rehati gjatë vozitjes.

Edhe timoni duket mjaft bukur dhe ka karakter sportiv, derisa në të janë të integruar butonë të shumtë, të cilët e lehtësojnë manovrimin me komanda të ndryshme. Timoni mund të rregullohet sipas përshtatjes tuaj në karrige.

Image

Edhe marshi është në vend ideal për manovrim sa më të lehtë me shpejtësi. Kur e shikoni dizajnin e brendshëm, padyshim se do t’ju pëlqej simetria e përkryer e butonave, përfshirë ata për rregullimin e klimës, pastaj portet për USB dhe AUX në njërin, dhe porti 12 voltësh në tjetrin. Po ashtu, në pjesën qendrore gjendet ekrani i madh me të cilin lehtë manovrohet me komanda të ndryshme.

Image

Materialet e përdorura në tablonë e instrumenteve, janë mjaft të bukura për sy dhe të këndshme në prekje dhe përshtatet mjaft mirë me ambientin e brendshëm.

Sa i përket bagazhit, ai është rritur ndjeshëm, ku nga 200 litra sa ishte në modelin e mëhershëm, tani është 254 litra.

Siguria

Edhe aspektit të sigurisë i është kushtuar vëmendje e madhe. Më kryesori është teknologjia ‘Total Effective Control Technology’, e cila siguron nivel të lartë të sigurisë me rastin e përplasjes.

Njëra nga vetitë e kësaj teknologjie, përfshin strukturën e cila absorbon forcën e energjisë me rastin e përplasjes.

Tiparet tjera të sigurisë përfshijnë programin elektronik të stabilitetit, i cili ofron stabilitet gjatë vozitjes, pastaj air-bag-ët ballor dhe anësor që ofrojnë siguri për të gjithë pasagjerët në rast aksidenti.Gjithashtu, posedon sistemin e ndihmës gjatë parkimit përmes sendorëve, pastaj sistemin e paralajmërimit në rast të ndryshimit të papritur të korsive, si dhe shumë sisteme tjera të avancuara.

Motorët

Kur flasim për motorët, nga paleta është hequr motori me naftë 1.25 litërsh me 75 kuaj fuqi i cili edhe ashtu ishte i Fiat-it. Në paletë ka mbetur motori 1.2 litërsh benzinë por i cili tani ka vetëm 90 kuaj fuqi, derisa më herët kishte 94.

Motori tjetër është ai me 3 cilindra turbo-benzinë 1.0 litërsh Boosterjet me 110 kuaj fuqi. Vjen në kombinim me marshin manual me 5 shpejtësi. Po ashtu, aty është edhe modeli Hybrid 1.0 litërsh me 110 kuaj fuqi, modelin të cilin e kemi testuar dhe vjen me marsh manual me 5 shpejtësi.

Shpejtësia maksimale e Suzuki Swift është 195 kuaj fuqi, derisa përshpejtimin nga 0 në 100 km/h e arrin për vetëm 10.6 sekonda. Sa i përket harxhimeve, ato mesatare janë 4.3 litra.

Sa i përket çmimeve, modeli Suzuki Swift 1.0 manual me 110 kuaj fuqi kushton 13.070 euro, modeli Swift 1.0 Hybrid manual me 110 kuaj fuqi, pra modelin të cilin e kemi testuar, kushton 15.755 euro, pastaj Swift 1.2 litërsh manual apo automatik me 90 kuaj fuqi, fillon me 10.900 euro modeli bazë dhe 14.600 euro modeli më i shtrenjtë.

Për të gjithë të interesuarit, ekziston edhe forma e kreditimit të kësaj veture përmes Raiffeisen Leasing, që financon deri në 80 për qind të vlerës së veturës.

Vozitja

Ndoshta pjesa më e bukur e Suzuki Swift, është vetë vozitja. Kjo veturë nuk të lodh aspak, është shumë e rehatshme, e lehtë dhe e lëvizshme kur e vozitni qetë, ndërsa shumë e sigurt, e manovrueshme dhe e fuqishme kur filloni të vozitni shpejt.

Fakti se është për 120 kilogram më i lehtë se paraardhësi, e bën edhe shumë ekonomike. Rehatia e vozitjes nuk humb edhe gjatë vozitjes në rrugë jo të asfaltuara, kjo falë amortizimit të përkryer siç mund ta bëjnë vetëm japonezët.

Pra në përgjithësi është një veturë shumë e këndshme për ta vozitur.

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image