Audi dhe BMW, veturat më pak të besueshme

Auto&Tech September 25, 2017 - 15:56

Çdo vit shtëpia analitike ‘J.D. Power’, kryen hulumtime të hollësishme rreth kënaqësisë së blerësve. Studimi i tyre më i fundit i kryer në Britani të Madhe, ka dhënë rezultate mjaft interesante, transmeton Zeri.info.

Hulumtimi rreth besueshmërisë në këtë vend, është kryer gjatë 12 muajve të fundit në mesin e pronarëve që kanë blerë veturë të re apo posedojnë veturë e cila është nga 1 deri në 3 vite e vjetër

. Pyetësori i ‘J.D. Power’, përmban 177 pika në tetë kategori, të cilat përfshijnë dizajnin e jashtëm dhe të brendshëm, përjetimin gjatë vozitjes, kontrolli i funksioneve multimediale dhe të drejtimit, ventilimi dhe klima si dhe besueshmëria e motorit dhe marshit.

Prodhuesit vlerësohen në bazë të numrit të problemeve të paraqitura në 100 vetura, ndërsa rezultatet për vitin 2017, janë absolutisht katastrofale për Audi dhe BMW, të cilët janë zhytur në fund të tabelës, respektivisht të parafundit nga 26 brende të veturave. BMW në 100 vetura, ka pasur 198 probleme të paraqitura, derisa Audi 187.

Pasojnë Land Rover dhe Fiat, derisa prodhuesi i tretë Premium, Mercedes-Benz, mezi ka arritur përqindjen industriale. Është interesant se 58 për qind e vozitësve të anketuar, të cilët nuk i kanë paraqitur problemet në veturat e tyre, e kanë pranuar se përfundimisht do t’i mbesin besnik brendit të tyre, derisa për të njëjtën gjë kanë vendosur vetëm 48 për qind e pronarëve të veturave me një apo më shumë probleme./Zeri.