LaFerrari Aperta i fundit, shitet për 9.98 milion dollarë

Auto&Tech September 10, 2017 - 15:01

Ferrari në panairin e  veturave vitin e kaluar në Paris, kishte prezantuar modelin e ri LaFerrari Aperta, prodhimi i të cilit ishte kufizuar në vetëm 209 kopje, transmeton Zeri.info.

Mirëpo, italianët kishin vendosur të prodhojnë edhe një model, pra gjithsej 210. Dhe kopja e fundit është shitur të shtunën në ankandin ‘RM Sotheby’s’, gjatë ngjarjes "Leggenda e Passione" në Itali, ku është shënuar përvjetori i 70-të i Ferrarit.

Image

Pronari i ri për të ka paguar 9.98 milionë dollarë, çka është gati tre milionë dollarë më shumë se sa çmimi të cilin në dhjetor të vitit të kaluar e kishte arritur LaFerrari Coupe i fundit. Përndryshe, LaFerrari Aperta i fundit është me ngjyrë të kuqe dhe me shirita të bardhë të garave, ndërsa të gjitha paratë nga shitja e tij, shkojnë për bamirësi.

Për forcën e LaFerrai Aperta të fundit, kujdesen motori V12 benzinë dhe elektromotori, që së bashku prodhojnë 963 kuaj fuqi dhe moment rrotullimi prej 900 Nm. Përshpejtimin nga 0 në 100 km/h e arrin për më pak se 3 sekonda, deri në 200 km/h për më pak se 7 sekonda, deri në 300 km/h për 15 sekonda, derisa shpejtësia maksimale është 350 km/h./ZERI