Kulla atraktive, sivjet edhe ndërkombëtare

Auto&Tech September 01, 2017 - 16:23

Përveç automobilistëve kosovarë, të cilët me padurim e kanë pritur këtë garë, interesimi është tejet i madh edhe nga garues të vendeve të ndryshme të Evropës Qendrore, disa prej të cilëve që nga e enjtja kanë arritur në vendin tonë

 Aktivitetet e Federatës së Auato Sportit të Kosovës vazhdojnë edhe në këtë fundjavë me garën që do të zhvillohet në Kullë të Pejës. Madje, kjo është garë e veçantë, pasi do të llogaritet edhe për FIA CEZ, diçka që ndodh për herë të parë në Kosovë. Përveç automobilistëve kosovarë, të cilët me padurim e kanë pritur këtë garë, interesimi është tejet i madh edhe nga garues të vendeve të ndryshme të Evropës Qendrore, disa prej të cilëve që nga e enjtja kanë arritur në vendin tonë.

FASK-u, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Infrastrukturës, Auto Klubin Peja, Kompaninë "Graniti", individë dhe institucione tjera relevante kanë bërë çmos që përgatitjet të bëhen në mënyrën më të mirë të mundshme. Kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi, shprehet optimist se gjithçka do të shkojë ashtu siç duhet. "Federata jonë edhe më parë ka dëshmuar se di të bëjë organizime të mira qofshin ato edhe të niveleve më të larta. Edhe kësaj radhe jemi përpjekur të përgatititemi sa më mirë dhe në këtë mënyrë ta arsyetojmë besimin që FIA CEZ ka treguar ndaj nesh, sepse nuk duhet harruar se ne jemi pranuar vetëm një vit më parë në këtë asociacion", ka thënë Rexhepi.

Ndryshe nga garat tjera, kësaj radhe paraqitja administrative dhe kontrollimi teknik është bërë të premten pas dite, ndërsa në orën 20:00 të së njëjtës ditë është realizuar edhe takimi i parë i Komisionit Sportiv.

Të shtunën, me fillim në orën 12:00 në program janë dy vozitje provuese, ndërsa të dielën, në të njëjtën kohë fillon edhe gara zyrtare. Në skuadrën menaxhuese të garës do të jenë edhe disa zyrtarë nga vendet tjera, sidomos nga Kroacia.

Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë dhe Brigada e Zjarrfikësve po ashtu do të asistojnë gjatë dy ditëve të fundjavës.

Image
Image