Peugeot 3008 vs Tiguan vs Toyota RAW4 Hybrid

Auto&Tech August 09, 2017 - 18:35

Gjatë muajve të kaluar kemi bërë prezantimin e shumë modeleve të reja të cilat shiten nga kompanitë përfaqësuese në Kosovë. Ishin modelet të cilat kanë shënuar sukses të jashtëzakonshëm në tregjet botërore, duke sjellë risi të shumta si në aspektin e teknologjisë, ashtu edhe në aspektin e performancës, komodidetit dhe motorëve.

Ne këtë herë do ta bëjmë një krahasim të modeleve të cilat janë nga e njëjta kategori. Kemi zgjedhur kategorinë e veturave SUV, kategori kjo e cila dita ditës po bëhet gjithnjë e më e popullarizuar në mesin e blerësve të rinj, kjo pasi ofrojnë nga pak nga të gjitha kategoritë e veturave.

Nga kjo kategori kemi zgjedhur modelet Peugeot 3008, e shpallur si vetura e vitit 2017 në këtë kategori, pastaj Wolkswagen Tiguan i ri, i cili ka sjellë risi të shumta, si dhe Toyota Raw4 Hybrid, e cila me kombinimin e motorit dhe elektromotorit, po gjen  gjithnjë e më shumë blerës në mbarë botën. Ne do t’i potencojmë vetitë e secilit veç e veç.

 Peugeot 3008 i ri padyshim se na ka magjepsur me bukurinë dhe pamjen dinamike. Ajo që fillimisht kemi pëlqyer tek Peugeot 3008 ishte pamja e jashtme me stil, interieri tejet i bukur, performancat e larta dhe teknologjitë e reja që janë përdorur. Pamja e jashtme të magjeps me elegancë, sportivitet dhe pjesëve të shumta të kromuara që janë përdorur në mënyrë të përkryer. Edhe pjesa e brendshme ishte vërtetë e jashtëzakonshme dhe të jepte përshtypjen se ndodheshe brenda kabinës së një anije kozmike, pasi materialet e përdorura ishin të klasit të lartë.

Një risi e Peugeot 3008 ishte se navigacioni i saj kishte përfshirë edhe shtetin e Kosovës, pra tërë territorin e saj. Në aspektin e sigurisë Peugeot 3008 ka avancuar shumë në krahasim me konkurrencën. Duhet përmendur sistemin Grip Control, që nënkupton tërheqjen e optimizuar me 5 mënyra të fërkimit, pastaj Hill Assist Descent Control, që ofron ndihmë gjatë lëvizjes në teposhtëza dhe tatëpjetëza, ndezja/fikja automatike e dritave te gjata, detektor për mos-vëmendje te shoferit, parandalim automatik i shmangies se korsisë, sisteme këto që gjatë testimit tonë janë treguar 100 për qind efikase.

Sa i përket motorëve, ata janë pak a shumë të njëjtë me modelet konkurruese, ku versioni më i fuqishëm ishte ai me naftë 2 litërsh BlueHDi me 180 kuaj fuqi. Shpenzimet janë përafërsisht të barabarta me Toyota Raw Hybrid, pra rreth 7 litra për 100 kilometra të kaluara, por më të larta se Tiguan i ri, harxhimet e të cilit janë rreth 6 litra për 100 kilometra.

E kur jemi te çmimet, modeli bazë i Peugeot 3008, kushton rreth 30 mijë euro, ndërsa më i shtrenjti rreth 39 mijë euro. Dhe kur e bëjmë krahasimin e çmimeve me Tiguan dhe Toyota, ato dallojnë për modelet bazë, pasi Tiguan fillon me 25.500, ndërsa Toyota Raw4 Hybrid fillon me 34.670, ndërsa modeli më i shtrenjtë i Tiguanit, kushton 39.700, ndërsa i Toyota-s kushton 40.200.

Kur jemi te Toyota RAV4 Hybrid, atëherë kemi të bëjmë me një veturë shumë të veçantë. Edhe për nga bukuria nuk mund të konkurrojë me Peugeot 3008 dhe Tiguanin e ri, edhe pse nuk ka ankesa, Toyota nga rivalët dallon mjaft kur bëhet fjalë për perfomancën dhe komodiodetin që ofron gjatë vozitjes, e këtë e mundëson kombinimi i motorit me benzinë dhe elektromotorit.

Falë këtij kombinimi, Toyota ofron një rehati dhe një vozitje shumë të qetë, edhe kur e përdor forcën e plotë të motorit, çka është një cilësi e madhe. Sistemet e sigurisë i takojnë niveleve më të larta, dhe përfshinë sisteme të shumta të ndihmës gjatë vozitjes, duke na mundësuar që të kemi një vozitje shumë të sigurt dhe duke na ndihmuar që të shmangim aksidentet e mundshme, kjo falë sistemeve si njohja dhe paraqitje grafike e shenjave të  komunikacionit, ku me këtë të fundit ju mund ta fiksoni shpejtësinë me të cilën dëshironi të udhëtoni, pra me tempomat, mirëpo, në momentin që para jush paraqitet një automjet i cili zhvillon shpejtësinë më të vogël se sa që ju e keni fiksuar, atëherë vetura në mënyrë automatike e zvogëlon shpejtësinë për të shmangur përplasjen, ndërsa në momentin që vetura para nesh e rrit shpejtësinë, edhe vetura juaj fillin ta rris shpejtësinë deri në shpejtësinë që keni caktuar.

Motori i Toyota Raw4 Hybrid është më i fuqishëm se i Peugeot 3008 dhe Tiguan, kjo falë kombinimit të motorit me benzinë 2.5 litërsh VVT-i HSD i cili në kombinim me elektromotorin, ka një forcë prej 197 kuaj fuqive. Në krahasim me 190 kuaj fuqi sa është forca e motorëve të rivalëve. Ndoshta një e metë e motorit në krahasim me konkurrencën, është kufizimi i shpejtësisë në 180 km/h, në krahasim me 207 km/h sa është i Peugeot 3008 dhe 201 km/h sa është i Tiguanit.

Përshpejtimin nga 0 në 100 km/h e arrin për 8.7 sekonda, që është më i shpejtë se Tiguan i cili këtë shpejtësi e arrin për 9.3 sekonda, e po ashtu edhe se Peugeot 3008 që mesataren e ka 9.6 sekonda. Motori hibrid është një përparësi e madhe për vozitje në qytet, ku shumica prej nesh kalon mbi 80 për qind të vozitjes, ndërsa emetimi i ulët i gazrave, e bën një veturë shumë ideale për mbrojtjen e ambientit.

Volkswagen Tiguan vërtetë ia ka qëlluar me dizajnin e ri dhe është konkurrent kokë me kokë me Peugeot 3008, por shumë më i bukur se Toyota Raw4 Hybrid. Në gjeneratën e dytë të Tiguan-it, dizajnerët e Volkswagen-it kanë krijuar një SUV i cili transferon një kualitet të ri të dizajnit në këtë segment në një mënyrë progresive dhe garuese, që dallon nga konkurrenca.

Përveç pamjes së jashtme, Tiguan ka bërë revolucion edhe në brendi, ku menjëherë bie në sy tabloja e instrumenteve plotësisht e digjitalizuar, ka hapësirë më të bollshme se konkurrenca, derisa edhe materialet e përdorura janë të klasit më të lartë.  Një cilësi e tij është butoni 4MOTION Active Control, që na siguron aktivizimin aktiv të katër rrotave, sidomos kur kemi të bëjmë me vozitje në shtresa të rrëshqitshme të rrugës, derisa një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe sigurisë së pasagjerëve, duke integruar sisteme të ndryshme të teknologjisë.

Kemi sistemin e frenimit emergjent City Emergency Braking që nënkupton monitorimin e këmbësorëve dhe në rast të përplasjes me këmbësorin apo biçiklistin, ngrihet kapaku i motorit, duke rritur boshllëkun mes sipërfaqes së fortë të motorit dhe kapakut relativisht të butë dhe me këtë redukton intensitetin e lëndimeve, sidomos të kokës, çka është sistem i avancuar në krahasim me konkurrencën si dhe risia tjetër, sistemi Automatic Post-Collision Braking System, që do të thotë se në mënyrë automatike e frenon veturën pas aksidentit, duke penguar që të bëj përplasje të tjera.

Kur jemi të motorët, ata krahasohen me motorët e Peugeot 3008 për nga fuqia, por pak më të dobët se motori i Toyota Raw4 Hybrid. Por Tiguan e ka njërën nga cilësitë më të mira kur bëhet fjalë për motorët, e ajo është harxhimet e karburantit, pasi në krahasim me dy modelet rivale, i ka harxhimet për një litër më pak, pra 6 litra për 100 kilometra, në krahasim me 7 litra të rivalëve. Një dallim tjetër nga konkurrenca, është edhe marshi automatik me 7 shpejtësi, në krahasim me gjashtë shpejtësi që kanë rivalët.