Stuttgarti ndalon automjetet me naftë të hyjnë në qytet

Auto&Tech July 30, 2017 - 18:04

Gjykata administrative në Shtutgart vendosi më anë të një vendimi që nga fillimi i vitit të ardhshëm automjeteve me motorët me naftë t’u ndalohet hyrja në Shtutgart për shkak të niveleve të larta të gazrave të dëmshme, transmeton zeri.info.

“Si mbrojtje e vërtetë kundër rritjes së vlerës së gazrave të cilat janë të dëmshme për shëndetin është e mundur vetëm me ndalimin e trafikut. Masat e tjera nuk do të ishin efektive”, shpjegoi gjykata në këtë vendim.

Shoqata Ndihma Ekologjike në Gjermani (DUH) kishte ngritur padi më 2015 kundër Shtetit Federal të Baden-Wuerttembergut, për shkak të rritjes në mënyrë drastike të nivelit të gazrave të dëmshme në stacionet matëse në qytet, që ishte njëqind herë më i madh se sa lejohet. Motorët me naftë janë konsideruar si shkaktari kryesor i rritjes së ndotjes së ajrit.

Gjykata konstatoi se në vendimin e saj ka pasur peshë më shumë mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve se sa e drejta e pronësisë dhe menaxhimit të pronës. Aktgjykimi nuk është përfundimtar dhe shteti Baden-Württembergut është duke shqyrtuar ankesën./Zeri