Opel Insignia, i bukur, elegant dhe i fuqishėm
Foto: Driton Bublaku

Opel Insignia, i bukur, elegant dhe i fuqishėm

SHPËRNDARJE

Lulzim Xhema • 26 Korrik 2017 • 17:40 •

Opel Insignia e re është ekstremisht e bukur, me një elegancë sportive të një kupeje të madhe, ndërsa arkitektura e saj plotësisht e re e bën me hapësirë të bollshme dhe shumë argëtues për ta vozitur, e në të njëjtën kohë ofron edhe siguri të lartë, duke marrë parasysh se ka marrë notën më të lartë në testet e sigurisë.

Jo vetëm që gjenerata e dytë e Insignia-s të magjeps me vijat mahnitëse në pjesën e jashtme dhe një atmosferë të bukur brenda, por gjithashtu ofron edhe rangun më të gjerë të teknologjive të mençura, duke filluar nga dritat kryesore Opel IntelliLux LED® dhe sistemin e sofistikuar të vozitjes me 4 rrota si dhe sistemet e shumta të ndihmës në vozitje që paraqiten në ekranin e bukur në konzolën qendrore. Insignia e re është bazuar në konceptin Opel Monza nga viti 2013 dhe padyshim se jep një përshtypje të rafinuar dhe elegante dhe vërtetë është një veturë shumë e bukur. Kemi një rritje në dimensionet e gjatësisë, por një ulje të lartësisë për 2.7 centimetra.

15

E tërë kjo bën që Insignia e re të duket si një kupe më e madhe, çka edhe ishte qëllimi i dizajnerëve të Opelit. Përveç që është bërë më tërheqës për sy, Insignia ka fituar edhe aerodinamikë shumë më të mirë se modeli paraprak. Dritat e holla në pjesën e përparme dhe maska e bukur i shtojnë edhe më shumë pamjes luksoze të kësaj veture. Sa i përket dritave të pasme, ato janë pozicionuar në atë mënyrë që ta bëjnë Insignian e re më të gjerë se sa që është në realitet, ndërsa drita stop në maje të kulmit, i ngjan stilit të veturave Premium. Distanca mes boshteve është rritur për 92 milimetra, me çka është siguruar më shumë hapësirë në brendi.

Intereri

Edhe interierit të Insignias i është kushtuar vëmendje e madhe edhe në detajet më të vogla. Kabina të jep përshtypjen e saktësisë dhe përdorimit efikas të materialeve, e tëra me qëllim të krijimit të pamjes gjithëpërfshirëse. Tabloja e instrumenteve është përshtatur me kujdes me interierin, sikurse dhe ekrani i ndjeshëm në prekje përmes të cilit kontrollohet sistemi informues dhe argëtues. Opel nuk ka rënë pre e presionit që të eliminohen të gjitha butonat dhe të njëjtit të kalojnë vetëm në ekran, prandaj në Insignia-n e re ende gjenden butona të tillë, çka sipas mendimit tim është një gjë e mirë, posaçërisht për faktin se përshtaten mirë me interierin e veturës. Butonat janë ndarë në tri grupe, në mënyrë që përdorimi i tyre të jetë sa më i lehtë. Pozita e vozitësit është përmirësuar ndjeshëm, pasi tani karrigia është e ulët, çka kontribuon në përshtypjen sportive të veturës.

Teknologjia

Nga sistemet e shumta me të cilat është e pajisur Insignia e re, duhet veçuar ekranin Head Up. Përmes kësaj teknologjie, të gjitha informatat relevante dërgohen në xhamin mbrojtës, direkt para vozitësit, në mënyrë që vozitësi të mos ketë nevojë ta largoj shikimin nga rruga. Një teknologji e këtillë përdoret në avionët modern ushtarak. Aty është edhe sistemi i kamerave prej 360 shkallëve, të cilat janë të shpërndara përgjatë tërë veturës dhe vozitësit i mundësojnë një videorreth të plotë digjital, pastaj tempomatin adaptim, sistemin e mbajtjes së veturës brenda korsisë si dhe radarët në mbrojtësin e pasmë që detektojnë objektet nën këndin prej 90 shkallëve dhe në distancë deri 20 metra, çka është një gjë e mirë me rastin e parkimit në kushte të shikueshmërisë së dobët. Opel një rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe komforit brenda veturës, prandaj ulëset tani përveç opsioneve standarde, kanë edhe mundësinë e masazhit dhe ventilimit. Po ashtu, Opel Insignia pasagjerëve të saj u ka mundësuar edhe qasje të lehtë në sistemin argëtues përmes pajisjeve Android apo Apple. Po ashtu, Insignia posedon sistemin Opel OnStar, i cili ka së qëllim ndihmën në çdo moment për përdoruesit e veturës. Ky sistem mund të thërras ndihmën me rastin e aksidentit, të reagoj nëse vjen deri te vjedhja e veturës si dhe t’ju ndihmoj të gjeni më lehtë hotelin apo restorantin. Sa i përket kapacitetit të bagazhit, ai nuk është aq i madh në krahasim me modelet konkurrencë. Bagazhi ofron kapacitetin prej 490 litrave, mirëpo, hapësira bëhet e mjaftueshme në momentin kur palosni karriget prapa, duke arritur në 1450 litra.

Motorët

Motorët e Insignias së re, fillojnë me njësinë plotësisht të re të motorit me benzinë 1.5-litërsh Turbo i cili vjen me 140 kuaj fuqi, i cili përkundër forcës që ka, ka harxhime tejet efikase të karburantit, ku në qytet sillet në rreth 7.5 litra për 100 kiloemtra, ndërsa në rrugë të hapur rreth 5 litra. Për ata që duan forcë edhe më të madhe, në dispozicion është motori tjetër me benzinë, ai 2.0 litërsh i cili ofron 260 kuaj fuqi, çka është një forcë e jashtëzakonshme. Edhe përkundër kësaj fuqie, harxhimet e tij në qytet janë rreth 11 litra, ndërsa në rrugë të hapur vetëm 7 litra për 100 kilometra të kaluara. Ky motor vjen në kombinim me ndërruesin automatik të shpejtësive me 8 marshe, që është plotësisht i risi dhe me sistemin e tërheqjes me katër rrota. Motorët me naftë fillojnë me atë 1.6 litërsh me 110 dhe 136 kuaj fuqi dhe ndërrues manual të shpejtësive me 6 marshe, i cili ka harxhime mjaft të ulëta, ku në qytet sillen në rreth 5 litra, ndërsa në rrugë të hapur vetëm 4 litra. Më pas vjen motori 2 litërsh i cili ka një forcë prej 170 kuaj fuqive dhe i cili ka harxhime prej 4.3 litra për 100 kilometra në rrugë të hapur.  Shpejtësia maksimale e Insignias së re është 226 km/h, ndërsa përshpejtimin nga 0 në 10 km/h e arrin për vetëm 8.7 sekonda.

Modeli testues

Modelin të cilin e kemi e testuar posedon motorin 2.0 litërsh me naftë i cili ofron 170 kuaj fuqi dhe vjen në kombinim me ndërruesin manual të shpejtësive. Shpenzimet mesatare të këtij motori janë 5.2 litra për 100 kilometra të kaluara, arrin shpejtësinë maksimale prej 226 km/h, ndërsa përshpejtimin nga 0 në 100 km/h, e arrin për 8.7 sekonda. Çmimi i kësaj veture është 29.900 euro, mirëpo, Auto Siqani ofron zbritje promocionale prej 2000 eurove, prandaj mund ta blini për 27,900 euro. Për të interesuarit ekziston edhe mundësia e kreditimit të veturës përmes Reiffaisen Leasing, deri në 80 për qind të vlerës së veturës.