Auto&Tech

Seat Ateca me pamje elegante dhe motor efikas dhe ekonomik (FOTO+VIDEO)

Seat Ateca me pamje elegante dhe motor efikas dhe ekonomik (FOTO+VIDEO)
28 qershor 2017 • 16 : 06 • autori: Lulzim Xhema Foto: Laura Hasani
Videot zyrtare: https://zeri.gjirafa.com

 

Seat Ateca është modeli i parë SUV i këtij prodhuesi spanjoll dhe vjen në kohën kur shumica e prodhuesve evropian të veturave e ka prezantuar gjeneratën e parë dhe të dytë të këtij lloji.

Dhe hyrja e vonshme në këtë segment i cili çdo vit shënon rritje për rreth 25 për qind, nuk do të thotë se është një vonesë e madhe, por mjafton që prodhimi të jetë mjaftueshëm i mirë që të tërheq numër sa më të madh të blerësve dhe të hap tregun për modelet e reja të Seat-it.

Ateca ka shfrytëzuar platformën e modelit Volkswagen Tiguan, por çdo gjë tjetër është 100 për qind Seat. Ateca ofron motor efikas dhe ekonomik, pastaj sistemin e tërheqjes me dy apo katër rrota si dhe shumë sisteme tjera të sigurisë.

Pamje dinamike dhe funksionale

Dizajni i SEAT Ateca është mjaft i njohur dhe bashkon dinamikën dhe funksionalitetin. Maska trapezoide e ftohësit, spojlerët anësorë me madhësi solide dhe grupi më i ashpër i dritave, që janë tipike për një model të prodhuesit spanjoll.

Dritat kryesore LED në kombinim me dritat për vozitje gjatë ditës dhe sinjalizuesit anësorë të drejtimit, e bëjnë tejet atraktiv.

Interier elegant dhe tërheqës  

Brendia e Ateca-s është përshtatur në mënyrë të përkryer me dizajnin e jashtëm dhe bashkon karakterin elegant dhe dinamik me ndjenjën unike të sigurisë e cila është e rëndësishme për vozitësit e modeleve SUV. Pozita e ngritur e uljes ndikon pozitivisht në pamje më të mirë në trafik, ndërsa të gjitha instrumentet mund të lexohen lehtë dhe pa pengesë.

Ndërprerësit janë të grupuar afër njëri-tjetrit, derisa të dhënat shihen lehtë në ekranin 8 inç.
SEAT me një gjatësi prej 4,36 metra, ofron hapësirën e shfrytëzuar në mënyrën më të mirë në këtë segment, duke ju mundësuar vozitësit dhe pasagjerëve në rehati të madhe gjatë udhëtimit.

Siguria në nivel të lartë

Ateca një vëmendje të madhe i ka kushtuar edhe aspektit të sigurisë. Ka sistemin e ndihmës gjatë tollovive në trafik, tempomatin e kontrolluar me radar me përcjellje të distancës mes veturave, përcjelljen e këndit të vdekur, njohjen e shenjave të trafikut, ndihmën në parkim, e shumëçka tjetër.

SEAT Ateca ofron edhe lidhje të pajisjeve të ndryshme elektronike me sistemin më të ri të argëtimit Easy Connect, pastaj teknologjinë SEAT Full Link dhe aplikacionet ekskluzive SEAT ConnectApp. Connectivity Box që gjendet në konsolën qendrore, për herë të parë ofron mbushjen e celularit pa tel, derisa teknologjia SEAT Full Link së bashku me MirrorLink, mundëson lidhjen e telefonit me rrethin Apple CarPlay apo Android Auto.

Bagazhi i tij me kapacitet prej 510 litra, mund të jetë më i vogël në krahasim me 615 litra sa është i Tiguanit, por është më e madhe në krahasim me modelet Nissan Qashqai dhe Renault Kadjar, të cilët kanë bagazh prej 430, respektivisht 472 litra.

Motorë efikas dhe ekonomik

Motorët të cilët e lëvizin modelin SEAT Ateca, janë me turbo-mbushës, ndërsa forca e tyre sillet mes 115 dhe 190 kuaj fuqi. Motori bazë me naftë, është ai 1.6 litërsh TDI me 115 kuaj fuqi, derisa ata që duan më shumë, në dispozicion është motori 2.0 litërsh me naftë me 150 dhe 190 kuaj fuqi. Harxhimi mesatar i motorëve me naftë, sillet nga 4.3 deri në 5 litra për 100 km.

Motori bazë me benzinë, është ai 1.0 litërsh TSI me 115 kuaj fuqi, derisa motori 1.6 litërsh TSI vjen me 150 kuaj fuqi. Motorët TSI dhe TDI me 150 kuaj fuqi, janë në dispozicion edhe me marshin DSG dhe sistemin e tërheqjes me katër rrota. Shpejtësia maksimale është 212 km/h, ndërsa përshpejtimin nga 0 në 100 km/h, e arrin për 7.5 sekonda.

Pajisjet e Ateca-s janë të ndara në tri nivele, atë Reference, Style dhe Xcellence, ku kjo e fundit posedon mbështjellësit e karrigeve nga materiali Alkantara, xhama të errësuar, fellne 18 inç, sensorë për drita dhe shi, kamerë për vozitje prapa dhe drita të ambientit.

Çmimi fillestar i Seat Ateca-s fillon nga 22,597 euro, ndërsa modeli më i shtrenjtë shkon në 29,877 euro.

Për të gjithë të interesuarit për ta blerë këtë veturë, është edhe mundësia e kreditimit përmes Raiffeisen Leasing, që mundëson kreditimin deri në 80 për qind të vlerës së veturës, çka është një mundësi mjaft e mirë.

 

 

© zëri.info