Auto&Tech

Peugeot 3008, mbret i ‘xhunglës’ urbane (FOTO & VIDEO)

20 prill 2017 • 14 : 57 • autori: Lulzim Xhema Foto: Driton Bublaku

Nëse nuk është modeli SUV më i talentuar jashtë rrugëve të asfaltuara, Peugeot 3008 padyshim se është njëri nga më të bukurit dhe më dinamikët. Ajo që fillimisht duhet cekur për modelin e ri Peugeot 3008, është se është zgjedhur si vetura evropiane e vitit 2017 nga një juri prej 58 gazetarëve evropianë të cilët përcjellin risitë nga bota e veturave.

 

Ky panel në rend të parë ka vlerësuar stilin, interierin dhe performancën. Dhe ky nuk është i vetmi çmim, pasi kjo veturë ka fituar edhe 20 të tjerë. Me një dizajn vërtetë të suksesshëm, menjëherë pas paraqitjes së tij, Peugeot 3008 ka nxitur interesim të jashtëzakonshëm, sidomos me stilin si në anije kozmike të interierit.

I bukur në pamje pa marrë parasysh këndin e shikimit

Peugeot 3008 është i bukur për shikim pa marrë parasysh se nga cili kënd e shikon. Në pjesën e përparme, kemi maskën vertikale e cila është më agresive se sa në modelin paraprak dhe vjen në kombinim me kornizat nga kromi, dritat atraktive LED dhe pjesët anësore me forma tërheqëse. Edhe kornizat tjera të shumta nga kromi në pjesën e përparme, janë shumë elegante dhe i japin një pamje vërtetë sportive. Nëse e shikojmë nga pjesa e pasme, ai duket i mbushur dhe kompakt, kjo falë sipërfaqeve të vogla nga xhami dhe fellneve 19 inç. Edhe në pjesët anësore kemi detaje të shumta të kromuara, përfshirë kornizat e xhamave dhe lajsnet mbrojtëse në fund të dyerve. Padyshim, Peugeot 3008 në pjesën e pasme ka dritat më origjinale, e cila përbëhet nga tre blloqe të pavarura që janë në një sipërfaqe të zezë, çka i japin një pamje elegante dhe shumë të bukur.

Interieri, një anije kozmike

Pronarët e modelit paraprak 3008, me siguri janë krenar me kabinën e veturës së tyre, pasi kjo hapësirë ishte rezervuar vetëm për ata. Konzola masive qendrore e cila ndan vozitësin nga bashkë-vozitësi, është mbajtur edhe tek modeli i ri, por në mënyrë edhe më të bukur. E kthyer paksa në drejtim të vozitësit, tabloja komanduese përbëhet nga disa nivele, ku në theks të veçantë vjen tastiera me komanda të dyfishta. Ndërprerësit e sipërm nga alumini, menjëherë janë të dukshëm, derisa nën ata, janë ndërprerësit më diskret nga plastika.

Sasia e aluminit të përdorur, është impresive. Një sharm të posaçëm e ka timoni i vogël, i prerë në pjesën e sipërme dhe të poshtme, me diametër më të vogël se sa tek Ferrari. Kështu është mundësuar një shikim më i qartë i instrumenteve. Dhe më nuk ka instrumente analog, pasi këtë detyrë e ka marrë ekrani prej 12.3 inç me një grafikë origjinale dhe tejet interesante. Aty ka gjithçka, nga imitimi i instrumenteve klasike dhe personalizimit të ekranit, e deri te navigacioni satelitor.

Çka duhet cekur tek navigacioni, është se në të është përfshirë edhe shteti i Kosovës, pra në të gjendet flamuri i Kosovës, të cilin pasi e prek, ju më pas mund të kërkoni cilindo qytet, rrugë apo fshat të Kosovës dhe navigacioni do t’ju shpi atje. Aty gjendet edhe një ekran tjetër, qendror me dimension 8 inç, i cili ofron të gjitha informatat tjera, ku përmes tij keni qasje direkte në funksionet më të rëndësishme si radio, klimë, GPS, kyçja e telefonit. Komplimente meritojnë edhe karriget e përparme, të cilat pa marrë parasysh se a janë nga lëkura, kombinim lëkurë/pëlhurë apo vetëm pëlhurë, përveç që janë të bukura për sy, janë shumë të rehatshme dhe me anësore të shkëlqyeshme.  Varësisht prej pakos, karriget mund të jenë edhe me masazh dhe atë jo çfarëdo tundje siç jemi mësuar tek modelet tjera, por kanë efektin e foteleve të vërteta për masazh me disa programe.  Sa i përket bagazhit, ai ka kapacitet prej 520 litrave, ndërsa me palosjen e ulëseve prapa kapaciteti i bagazhit rritet në 1480 litra. Është interesant se bagazhi mund të hapet edhe me këmbë, pra mjafton ta fusni këmbën kalimthi në pjesën fundore të veturës dhe pastaj bagazhi hapet vet. Edhe mbyllja bëhet në të njëjtën mënyrë.

Sisteme të avancuara të sigurisë

Sa i përket sistemeve të sigurisë, duhet përmendur sistemin e avancuar Grip Control, që nënkupton tërheqjen e optimizuar me 5 mënyra të fërkimit, pastaj Hill Assist Descent Control, që ofron ndihmë gjatë lëvizjes në teposhtëza dhe tatëpjetëza, ndezja/fikja automatike e dritave te gjata, detektor për mos-vëmendje te shoferit, parandalim automatik i shmangies se korsisë, sistem ky të cilin edhe e kemi testuar dhe është i jashtëzakonshëm, pastaj sistemi aktiv për monitorimin e këndit të vdekur, ndërsa sistemi më i veçantë është Adaptive Cruise Control me funksionin STOP, që do të thotë se përplasja me veturën e cila lëviz para nesh është e pamundur me këtë sistem, pasi vetura lëviz varësisht nga shpejtësia që zhvillon vetura para nesh dhe kur ajo fillon të frenoj, atëherë edhe Peugeot 3008 fillon të zvogëloj shpejtësinë dhe nëse është e nevojshme, të ndal veturën në tërësi.

Motorët

Motorët e Peugeot 3008, janë kryesisht të njohur edhe më herët, kështu që në ofertë janë motorët me naftë 1.6 BlueHDi me 100 dhe 120 kuaj fuqi si dhe motori 2 litërsh BlueHDi me 150 dhe 180 kuaj fuqi, që vijnë në versionin GT. Motorët me benzinë përbëhen nga ai 1.2 litërsh PureTech me 130 kuaj fuqi dhe ai 1.6 litërsh me 165 kuaj fuqi. Të gjithë motorët vijnë në kombinim me marshin manual me gjashtë shpejtësi, por gjithashtu në dispozicion është edhe marshi automatik po ashtu me 6 shpejtësi.

Shpejtësia maksimale e Peugeot 3008 është 207 km/h, ndërsa përshpejtimin nga 0 në 100 km/h, e arrin për 9.6 sekonda. Sa i përket harxhimeve, ato mesatare sillen në rreth 7 litra për 100 kilometra të kaluara. Çmimi i Peugeot 3008 starton nga 21.990, modeli më i shtrenjtë kushton 38.690, që është edhe modeli i testuar GT. 

© zëri.info