Auto&Tech

Ford Mondeo, pamje agresive, performanca të jashtëzakonshme (FOTO&VIDEO)

08 mars 2017 • 19 : 58 Foto: Driton Bublaku

Ekipi i gazetës “Zëri” ka vazhduar me testimin e modeleve të reja të veturave që shiten në Kosovë dhe këtë herë radhën e kishte Ford Mondeo. Gjenerata e parë e Ford Mondeos është paraqitur në treg para 22 viteve dhe deri më tani është shitur në rreth 5 milionë njësi. Dhe modeli i ri, pra i gjeneratës së katërt, sjell risitë më të reja dhe më moderne në aspektin e teknologjisë dhe dizajnit, ndërsa në krahasim me modelin paraprak, ka për 10 për qind strukturë më të fortë dhe harxhon për 14 për qind më pak karburant, pasie dhe pesha është ulur për 100 kilogramë.

Dizajni i jashtëm

Sa i përket dizajnit të jashtëm të Ford Mondeos, më së shumti në theks vjen grilli apo maska trapezoide me gjashtë kënde e ftohësit, së bashku me dritat e përparme me aktivizim të vazhdueshëm të sinjalizuesve që përbëhet nga 500 pjesë. E tërë kjo ka bërë që të kemi një pamje më agresive dhe më serioze sikurse të veturës super-sportive Aston Martin. Një risi janë edhe dritat e përparme që përshtaten, që është një bashkim i dritave Full LED me sistemin e Fordit, Adaptive Front Lighting. Duhet përmendur edhe kapakun e profilizuar të motorit, anash vërehen vijat më të ulëta të kulmit, ndërsa në versionin karvan dhe 5 Dyer, vjen edhe kulmi panoramë.

Interieri

Mondeo në brendi sjell edhe hapësirën më të madhe deri më tani, si në pjesën e përparme, ashtu edhe prapa. Ulëset shumëshkallësh, përveç masazhit, mundësojnë edhe përshtatje me trupin tonë dhe poziciononim në vozitje. Sistemi Sync 2 shërben për lidhje me telefona të mençur, ndërsa tek dorëza e marshit, gjendet shenja “Sync power by Microsoft”. Bëhet fjalë për bashkëpunimin me Microsoft i cili është kujdesur për pjesën e sistemit softuerik. Ford Sync 2 në rast të aktivizimit të jastëkëve të ajrit apo shkyçjes së pompës së karburantit, në mënyrë të pavarur do ta kontaktoj Qendrën për lajmërim dhe në këtë mënyrë ndoshta ua shpëton jetën. Nëse thoni “Jam i uritur”, në ekranin e madh 8 inç me ngjyra, do të paraqitet lista e restoranteve lokal. Në Mondeo mund të keni edhe sinjalin Wi-Fi me ndihmën e modemit USB me SIM kartelë. Nëse Mondeon e ri ia huazoni fëmijëve tuaj, çelësi i Mondeos mund të programohet. Përmes programimit, mund të kufizohet shpejtësia maksimale e vozitjes, pengimi i thirrjeve telefonike, zvogëlimin e nivelit të zërit në audio-sistemin që përbëhet prej 12 zëruesve.

Siguria

Një risi që vjen nga Mondeon e ri, janë rripat e sigurisë në pjesën e pasme që janë me fryrje, ndërsa aty është edhe sistemi i ri i ndihmës me rastin e aksidentit të mundshëm (Pre-Collision Assist), i cili ka funksionin e detektimit të kalimtarëve, kjo me ndihmën e kamerës në xhamin e përparmë dhe radarëve në pjesët anësore mbrojtëse. Ky sistem deri në shpejtësi prej 80 km/h në orë, mund të vërej njerëzit në rrugë para veturës dhe me frenim automatik e ul shpejtësinë nëse vozitësi nuk reagon në paralajmërimet vizuale dhe me zë. Aty janë edhe teknologjitë Distance Indication dhe Adaptive Cruise Control. Distance Indication e informon vozitësin rreth distancës me veturën përpara, derisa Adaptive Cruise Control në mënyrë automatike mban distancën e lejuar me veturën përpara. Po ashtu, kamera e vendosur para, mbështet funksionin Lane Keeping Aid, e cila tregon për ndryshimin e papritur korsive. Traffic Sign Recognition në ekran, tregon kufizimet e shpejtësisë në rrugë dhe ndalesën e tejkalimit të veturave. Aty kemi edhe ndihmën për parkim, Active Park Assist, i cili u mundëson vozitësve që të kenë informata rreth hapësirës së mjaftueshme për parkim paralel dhe parkimin prapa pa përdorur duart. Po ashtu, ka sistemin Park-Out Assist, që i mundëson vozitësit daljen nga vendet paralele të parkimit. Duhet cekur se në testin e sigurisë, Ford mondeo ka arritur vlerësim tejet të lartë, duke marrë 5 yje.

Bagazhi

Kapaciteti i bagazhit është 550 litra, ndërsa me palosjen e ulëseve në pjesën e pasme, atëherë ky kapacitet rriten në 1446 litra

Motorët në Ford Mondeo

Gama e motorëve në Ford Mondeo, është mjaft e gjerë. Motorët me benzinë EcoBoost, përbëhen nga ai 1.0 litërsh me 125 kuaj fuqi, pastaj ai 1.5 litërsh me 160 kuaj fuqi dhe më i fuqishmi, 2.0 litërsh me 240 kuaj fuqi. Paleta e motorëve me naftë, përbëhet nga ai 1.5 TDCi me 120 kuaj fuqi, pastaj ai 2.0 litërsh TDCi me forcë 150 dhe 180 kuaj fuqi (ne motorin me 180 KF ofrohet edhe sistemi 4WD tërheqja me 4 rrota). Mirëpo, aty është edhe motori i ri 2.0 TDCi me 210 kuaj fuqi dhe mbushës të dyfishtë turbo. Sa i përket harxhimeve mesatare të Ford Mondeos, për motorët me naftë, ato sillen në rreth 4.1 litra për 100 kilometra të kaluara, ndërsa tek motorët me benzinë, 5.1 litra. Kur bëhet fjalë për shpejtësinë e Ford Mondeo, ajo është e kufizuar në 225 km/h, derisa përshpejtimin nga 0 në 100 km/h, e arrin për rreth 8.3 sekonda. Çmimi i Ford Mondeos, fillon nga 19.000 euro deri në rreth 30 mijë euro, ndërsa modeli i testuar ka çmimin prej 28.900 euro.

 

© zëri.info