Zeri Auto-test: Renault Scenic (Foto+Video)

Auto&Tech February 22, 2017 - 18:30

Me modelin e ri SCENIC, Renault sërish definon mono-volumin. Dizajni revolucionar dhe shumë tërheqës dhe komoditeti, edhe më tutje janë baza e modelit Scenic. Ndërsa teknologjia e avancuar, është në shërbim të vozitjes së sigurt.

SCENIC i ri paraqet qasje të re në klasën e veturave mono-volum dhe shumicën e elementeve të dizajnit, i ka huazuar nga modeli koncept R-Space, i prezantuar në panairin e veturave në Gjenevë në vitin 2011. Tiparet kryesore janë proporcionet e reja, kualiteti superior dhe vëmendja e posaçme kushtuar detajeve jashtë dhe brenda.

Dizajn atraktiv

Dizajni i gjeneratës së re të modelit SCENIC, ka bërë avancim të madh, falë proporcioneve të cilat deri më tani nuk janë parë në këtë segment. E zbukurojnë fellnet e mëdha 20 inç, që janë seri në të gjitha versionet, ndërsa linjat e saj me një baraspeshë të përkryer, janë tejet tërheqëse, posaçërisht falë linjës më të ulët të kulmit, distancës më të gjerë mes boshteve dhe pjesës së pasme më të shkurtër dhe më të lëshuar në krahasim me gjeneratën paraprake.

Linjat e tij rrjedhëse dhe anësoret, të cilat ngrihen drejt pjesës së pasme, i japin një dozë të re të dinamikës. Xhami mbrojtës trepjesësh, i marrë nga modeli Espace, për herë të parë është integruar në Scenic dhe mundëson pamje panoramë para dhe një shikim më të mirë anash. Pjesa e theksuar para, njihet për sistemin e dalluar të dritave. Varësisht nga versioni, dritat para janë në formë të shkronjës C dhe janë të punuara sipas teknologjisë LED PURE VISION, ndërsa teknologjia Edge Light krijon efekt 3D të dritave të pasme. Kemi edhe një ngritje të lartësisë nga toka në modelin e ri, ku tani arrin në 17 centimetra, nga 14 sa ishte në gjeneratën e tretë, ndërsa fellnet dhe shtesat tjera janë kostruktuar në atë mënyrë që të ulin peshën e veturës dhe me këtë edhe uljen e harxhimeve të karburantit, por edhe përmirësimin e vetive aerodinamike.

Interieri

Me Renault Scenic të ri, ju voziteni në komoditet dhe rehati të plotë. Këtë e mundësojnë ulëset tejet të rehatshme, të cilat janë marrë nga modeli ESPACE: këto ulëse ofrojnë mundësinë e rregullimit në tetë pozita, pra sipas dëshirës, kanë funksionin e ngrohjes dhe masazhit në ulëset e para, çka kontribuon për komoditet optimal. Një e veçantë tjetër, është se me një të prekur në ekranin e madh, ju e transformoni në tërësi brendinë, pasi ulëset prapa palosen vetë. Me këtë ju fitoni hapësirë më të madhe në bagazh.

Scenic prapa ofron dy ulëse të gjera anash dhe një më të ngushtë në mes. Në ulëset e skajshme, janë të vendosura rripat e sigurisë Isofix për karriget e fëmijëve.

Bagazhi

Sa i përket bagazhit, ai ofron hapësirë rekorde prej 572 litrave, ndërsa mbështetëset e ulëseve të pasme mund të palosen me një të prekur në ekranin e madh, duke mundësuar hapësirë edhe më të madhe të bagazhit.

Teknologjia e fjalës së fundit

Falë teknologjisë MULTI-SENSE, ju mund të zgjidhni njërin nga 5 mënyrat e vozitjes, Komode, Neutrale, Sportive, Personale dhe Eko. Që të gjitha këto, ju mundësojnë vozitje të rehatshme. Ekrani multimedial R-Link 2 me ngjyra 8.7 inç, ju ofron të gjitha informatat kyçe në video-rreth (shpejtësia, navigacioni GPS dhe ndihmësit në vozitje). Unike në këtë segment, kjo pajisje optimizon rehatinë dhe sigurinë. Edhe parkimi nuk ka qenë kurrë më i lehtë. Pakoja Easy Park Assist e bën parkimin shumë të thjeshtë.

Përkrah kamerës për vozitje prapa dhe 12 senzorëve për matje të largësisë, parkimi me SCENIC, është jashtëzakonisht i lehtë. Përveç kësaj, mund të pranoj edhe urdhra. Po ashtu, sistemi multimedial R-LINK 2, ju mundëson mbikëqyrje ndaj teknologjive të integruara në Renault SCENIC, përfshirë aplikacionet Bluetoothu dhe navigacionin Tom Tom. Sistemi i ndihmës aktive gjatë frenimit të papritur, që është ekskluziv në Scenic, mund të detektoj këmbësorët. Nëse vëren rrezikun e përplasjes, atëherë frenon në vend tuajin. Po ashtu, aty është edhe sistemi i paralajmërimit me rastin e ndryshimit të korsive dhe lodhjes së shoferit.

Motorët

Motorët dhe marshet e shpejtësive, janë tashmë të njohura nga modelet Megane dhe Talisman. Motorët me naftë DCI ekonomik dhe solid në performanca, janë shënjestra e parë e blerësve, kështu që ofrohen versionet 1.5 litërsh me 95 dhe 110 kuaj fuqi si dhe ai 1.6 litërsh me 130 dhe 160 kuaj fuqi. Këta motorë në mënyrë serike vijnë me marsh me gjashtë shpejtësi, përveç modelit më të fuqishëm, i cili vjen me marsh automatik dhe pedale të dyfishtë të fraksionit EDC. Në ofertë është edhe motori benzinë 1.2 litërsh me 115 dhe 130 kuaj fuqi, i cili dallohet si për nga performanca e jashtëzakonshme, ashtu edhe për harxhime të ulëta të karburantit. Një veti tjetër e Scenic, është edhe teknologjia Start & Stop, çka do të thotë se kur vetura ndalet, në semafor apo në kolona, motori fiket në mënyrë automatike, ndërsa kur doni të niseni, ai ndizet po ashtu në mënyrë automatike. Kjo teknologji kontribuon në uljen e harxhimeve të karburantit dhe është ideale sidomos gjatë vozitjes në qytet. Sa i përket harxhimeve, mesatarisht harxhon 3.9 litra për vozitje të kombinuar. Scenic i ri ka edhe versionin hibrid, kombinim i motorit me naftë 1.5 dCi me 110 kuaj fuqi dhe elektromotorit me 10 kilovat. Dhe ky motor harxhon vetëm 3.5 litra për 100 kilometra të kaluara. Sa i përket harxhimeve të modelit 1.6 litërsh DCI, ato janë mesatarisht 4.5 litra.

Shpejtësia maksimale është e kufizuar në 194 km/h

Përshpejtimi nga 0 në 100 km/h, arrihet për 10.7 sekonda. Çmimi i modelit të testuar pa taksa, është 27.570 euro, ndërsa me taksa rreth 29 mijë euro.

Vlerësimi përfundimtar është se Renault Scenic i ri është një veturë familjare mjaft e mirë, e cila ju sjell jo vetëm një vozitje të qetë, rehatshme dhe mjaft ekonomike, por gjithashtu edhe hapësirë të mjaftueshme për një familje mesatare.

Ju ftojmë që nëse keni ndonjë sugjerim tuajin për të testuar ndonjë model të veturave që shiten në Kosovë dhe që dëshironi ta blini apo thjeshtë doni të dini më shumë për të, të na sugjeroni në e-mail-in [email protected]

 

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image