Ditari

Ballina / Ditari / Intervista
Rilindja e Edit!
Astrit Gashi & Adrian Çollaku Publikuar: 15.04.2013 - 09:30
Foto: Driton Bublaku

Kryesocialisti shqiptar, Edi Rama, ka zgjedhur ditën e diel që ta vizitojë Prishtinën dhe t’ua prezantojë kosovarëve “planin e tij qeverisës” për Kosovën. Edhe pse ka qëndruar shumë shkurt në Prishtinë, ai ka gjetur kohë që t’ia japë një intervistë ekskluzive gazetës “Zëri”. Derisa filloi të përgjigjej në pyetjet e gazetës, kreut të PS-së i duhej ta lidhte edhe kravatën dhe të përgatitej për takimin që e kishte pas 20 minutash në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, me temën: “Shqipëria, Kosova dhe rajoni pas 23 qershorit”.

Në këtë intervistë, Edi Rama thotë se ka ardhur koha për bashkimin “real” të shqiptarëve këndej dhe andej kufirit. Rama premton që kufirin Kosovë-Shqipëri ta shndërrojë në një kufi inekzistent. Ai flet për bashkim doganor, për krijimin e një hapësire të përbashkët të energjisë, të edukimit, kulturës...

Koalicionin me LSI-në e Ilir Metës, Rama e quan të “natyrshëm”. Ai thotë se ndarja e së majtës më 2003, i ka kushtuar shumë jo vetëm PS-së e LSI-së, por gjithë Shqipërisë. Sipas tij, bashkimi i PS-së me LSI-në është koalicioni i së ardhmes, i cili “do ta rilindë Shqipërinë”. Rama është i bindur se nga 23 qershori, Shqipëria do të ndryshojë.

Thotë se ndihet shumë mirë kur viziton Kosovën, derisa nuk preferon të flasë shumë nëse ka arritur që me vizitat e shpeshtuara në Prishtinë ta “rrëzojë” mitin e quajtur “Berisha”. Rama ka ironizuar kur është pyetur në lidhje me bojkotin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, duke thënë se “jam shumë i vogël të ankohem përse më kanë bojkotuar”. Kryesocialisti shqiptar, Edi Rama, ka edhe një vlerësim interesant për liderin e VV-së, Albin Kurti. “...Albini është një intelektual i admirueshëm, por që politikisht bën gabime mbresëlënëse dhe nuk di të bëjë gabime të vogla”, ka thënë Rama.

Duhet vizion për të parë që ka ndodhur bashkimi

Zëri: Po fillojmë me vizitat në Kosovë. Kohëve të fundit po e vizitoni shumë shpesh Kosovën. Doni që ta mundni Berishën edhe në Kosovë, apo për çfarë arsye?

Rama: Sot kemi ardhur për një fjalë, që ka të bëjë me programin tonë. E keni parë që ne jemi në rrugën e programit dhe po konkludojmë një proces të filluar qysh më 5 nëntor të vitit 2011, ku kemi miratuar në Kongresin e partisë draftin e programit, dhe pastaj kemi filluar një proces konsultimesh në rang territori për të gjitha fushat. Dhe pjesë e këtij programi sigurisht se është edhe programi i politikës sonë të jashtme, marrëdhënieve me Kosovën dhe me rajonin. Sot, këtu unë do të shpalos elementët kryesorë të programit me temën “Shqipëria, Kosova dhe rajoni pas 23 qershorit”.

Zëri: Na i trego tri-katër pika kryesore të programit që lidhen me Kosovën?

Rama: Sot jemi në një situatë krejt të re dhe kemi nevojë për një vizion të ri, duke e parë të ardhmen me instrumentet e ndryshme nga ato të së shkuarës. Parafytyroni për një moment se sa shumë gjëra kanë ndryshuar në një kohë që për historinë është shumë e shkurtër, janë vetëm 15 vjet. Dhe në këto 15 vjet është kryer një transferim i jashtëzakonshëm. 15 vjet më parë Kosova ishte në kushtet kur, qindra-mijëra njerëz ishin të kërcënuar me jetët e tyre dhe pastaj erdhi momenti i tentativës gjakatare për spastrim etnik dhe sot Kosova përfaqësohet në tryezën e bisedimeve me Serbinë si palë që e ka fituar luftën, dhe që po tregohet përsëri kurajoze dhe largpamëse për të fituar edhe paqen. Është një transformim i jashtëzakonshëm, edhe për faktin se bashkimi kombëtar për të cilin ne flasim, në esencë ka ndodhur. Nuk ka ndodhur si bashkim me instrumentet dhe vizionin e së shkuarës, por ka ndodhur si një bashkim, kur kufiri neve sot nuk na pengon të zhvillojmë një projekt të përbashkët strategjik.

Zëri: Megjithatë, ka disa pengesa. Si shembull, kemi pasur probleme me eksportimin e patates në Shqipëri, pastaj miellit... Po ashtu bizneset kosovare e kanë shumë të vështirë zhvillimin e tyre në Shqipëri, apo nuk kanë fare mbështetje nga institucionet e atjeshme...

Rama: Bashkimi në esencë ka ndodhur, por na duhet një vizion i ri për ta parë që ka ndodhur, dhe instrumentet e reja për të shfrytëzuar këtë që ka ndodhur. Në këtë aspekt ne i kemi disa propozime për nesër, mbi një qasje të re, pikërisht e prezymon që jemi dy shtete, por me një hapësirë që sa më e përbashkët të jetë në administrimin e punëve, aq më shumë mund të sjellë mirëqenie dhe cilësi edhe për qytetarët këtej dhe andej kufirit, duke filluar nga siguria energjetike. Neve na duhet një plan strategjik për sigurinë energjetike për të gjitha hapësirat, një plan i bashkërenduar mes dyja shteteve dhe mes dyja qeverive. Ne nuk kemi pse të bëjmë investime kuturu në energjetikë, ndërkohë që edhe investimet duhet të jenë të projektuara sipas këtij plani. Në arsim është e patolerueshme që të mos kemi një hapësirë të përbashkët të dijes, arsimimit, të edukimit të të rinjve dhe të sistemit të shkollimit deri në universitet. Në aspektin e zhvillimit të prodhimit bujqësor-blegtoral, ne nuk kemi pse të mos e kemi një hartë të prodhimit të rajonalizuar sipas territoreve, sipas stinëve dhe pse të mos e kemi një bashkim doganor.

Zëri: Kemi në fakt një bllokadë. Pse ndodh ajo bllokadë?

Rama: Sepse ne akoma kemi mbetur në të shkuarën. Flasim për bashkim me vizionin e të shkuarës, me gjuhën e të shkuarës dhe me instrumentet e të shkuarës që janë komplet jashtë kontekstit të sotëm. Ndërkohë që kur ndodhin disa gjëra, si historia e miellit, patates, çimentos, ne e kuptojmë se sa larg jemi nga realiteti i sotëm dhe se sa jashtë realitetit vazhdon të zhvillohet politika dhe sa larg realitetit janë instrumentet e qeverisë së sotme në raport me potencialet e reja që ka krijuar koha, duke krijuar një shtet të ri, një shtet tjetër shqiptar, në një kufi që ne e kemi në dorë të bëjmë inekzistent.

Zëri: Pse nuk po bëhet kjo? Po i konvenon dikujt të ndodhë kështu?

Rama: Fakti që këto interesa mund të jenë të ngushta apo të gjëra, pak rëndësi ka. Krijohen konflikte, që do të thotë se ne nuk e kemi sistemin që nuk lë terren për këtë konflikt. Për shembull, një tjetër aspekt është gjuha e shkruar, qoftë e gazetave, qoftë e librit që sot janë si produkte të kërcënuara në një treg që është shumë i parregulluar dhe në një kohë që nuk i favorizon shumë, atëherë edhe këtu ka diçka për të bërë, duke marrë shembullin e vendeve të zhvilluara që po e mbrojnë gjuhën e shkruar në letër si një pasuri që nuk mund të tretet. Dhe ne mund të kemi një plan të përbashkët në këtë aspekt. E njëjta gjë mund të thuhet për sportin, për turizmin. Shqipëria sot ka një turizëm që është i kufizuar në 1 muaj e gjysmë, ndërkohë që në kohën e Zogut kishte një ofertë turistike që përfshinte të gjitha territoret shqiptare. Prandaj, po të shikoni ato fletoret e kohës së Zogut, ofertat turistike, ato përfshinin Kosovën dhe Shqipërinë.

 “Kupa e Flamurit”

Zëri: Thoni që ekziston mundësi për treg të përbashkët. Pastaj hapësirë të përbashkët për sport, ku kemi pasur iniciativë konkrete nga pala kosovare, sidomos nga klubet e futbollit për krijimin e një lige të përbashkët. Por, që ka pasur direkt pengesë nga UEFA. A mendoni se pengesa të tilla do të hasim edhe në fushat tjera?

Rama: Problemi është se ne nuk duhet të shkojmë direkt në konflikt me organizatat ndërkombëtare, në këtë rast me UEFA-n dhe FIFA-n. Mendoj se ne nuk duhet të shkojmë direkt në ligën e përbashkët të futbollit. Ne duhet në radhë të parë të shohim si ta shfrytëzojmë sportin për të afruar dhe për të krijuar ndërveprim te sa më shumë njerëz, duke filluar nga niveli universitar. Për shembull ne e dimë shumë mirë që jeta sportive universitare në Amerikë, apo në shumë vende tjera është shumë e zhvilluar me kampionate, me aktivitete të përbashkëta. Pastaj në të gjitha ato aktivitete ku tanimë federatat ndërkombëtare nuk e kanë problem, si në mundje, në boks, në peshëngritje. Kjo gjë mund të ndodhë. Pastaj ne mund të kemi një “Kupë të Flamurit”, që mund të jetë kupa e gjithë hapësirës shqiptare dhe nuk kemi nevojë të bëjmë një ligë që të shkojmë të përplasemi me dynjanë. Dhe gjërat vijnë hap pas hapi. Prandaj, ne duhet të  pararendim një proces, i cili sot nuk mund të shihet me sytë e të shkuarës, dhe nuk mund të zhvillohet me instrumentet e të shkuarës ngase realiteti ka ndryshuar dhe ne ende jemi në realitetin e vjetër.

Zëri: E kam të qartë se pjesa kryesore e këtij bashkimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është pjesë e bashkëpunimit ekonomik, por edhe social e kulturor. Mirëpo, nëse e shikojmë nga këtu, bizneset kosovare kanë qenë shumë pak të pranishme në Shqipëri. Nuk e di pse dhe çfarë pengesash ka pasur, por në anën tjetër kemi prani të bizneseve shqiptare në Kosovë, por jo bashkëpunim ndërmjet tyre. Do të duhej që ne të konkurronim me njëri- tjetrin, apo do të duhej që ne të bashkëpunonim në fusha të caktuara që të konkurronim në tregun rajonal dhe global?

Rama: Ne duhet të krijojmë një hapësirë të përbashkët konkurrence, jo midis bizneseve në Shqipëri dhe Kosovë, por një hapësirë të përbashkët të biznesit pa dallim, duke e bërë kufirin praktikisht kufirin inekzistent, që mallrat të kalojnë nga Kosova në Shqipëri, ta zëmë siç kalojnë nga Durrësi në Vlorë. Dhe nuk ka doganë dhe të bëjmë bashkimin doganor dhe të mos kemi më probleme të kësaj natyre. Dhe ndërkohë të kemi politika të përbashkëta për prodhimin bujqësor, për prodhimin blegtoral, të kemi politika të përbashkëta të agro-përpunimit, në mënyrë që t’i japim më shumë hapësirë prodhimit vendor të kësaj hapësire.

Zëri: T’i kthehemi pak zhvillimeve në Shqipëri. Para pak ditësh keni bërë koalicion parazgjedhor me LSI-në e Ilir Metës. Megjithatë, gjatë kohës sa z. Meta ka qenë në bashkëqeverisje me Sali Berishën, ju e keni akuzuar atë se së bashku me Berishën po i mbështesin biznesmenët serbë, dhe madje kanë lidhje shumë të afërta me ta. Pse ka ndodhur ky koalicion?

Rama: Nuk e kam bërë këtë akuzë në këtë sens. Po, kjo pak rëndësi ka. Ky është koalicion për të ardhmen. Ne kemi përjetuar tetë vjet të një historie të vështirë, në krahun e majtë për shkak të një ndasie të vitit 2003. Salihu nuk ka qenë shumicë asnjëherë, as më 2005, e as më 2009, kur edhe fatkeqësisht i vodhi zgjedhjet, por megjithatë ai ka qëndruar në pushtet dhe shkaku ka qenë kjo ndasi. Dhe ne sot jemi bashkë për t’i dhënë shumicës mundësinë që të ketë qeverinë e vet.

Zëri: Jeni i bindur se më 23 qershor krahu i majtë do t’i fitojë zgjedhjet?

Rama: Jam më se i bindur.

Zëri: Cilat janë disa nga fushat kryesore ku do të fokusoheni në fushatë?

Rama: Ju besoj e ndiqni fushatën tonë në mënyrë të përditshme, se e shoh që reflektohet në medie këtu, dhe praktikisht zgjedhjet e 23 qershorit, janë zgjedhje midis një rrënimi të mëtejshëm, që ka ardhur si rezultat i politikave dritëshkurtra, që ka ardhur qoftë në planin ekonomik, qoftë në planin social, qoftë në planin demokratik dhe të krijimit të kushteve që të kemi një rilindje në Shqipëri. Një rilindje të ekonomisë, të shoqërisë, një rilindje demokratike për institucionet dhe të kemi më shumë atmosferë pozitive për rritjen e punësimit, për të mbështetur sipërmarrjet, duke krijuar barazi në treg, për t’i hapur rrugë konkurrencës, duke goditur monopolet, duke ulur taksat për 95 për qind, duke hequr taksën e biznesit të vogël, duke i dhënë fshatit shumë më tepër vëmendje për prodhimin bujqësor dhe blegtoral që është në një gjendje shumë dramatike, dhe duke ndarë Shqipërinë nga retorikat nacionaliste dhe politika qorre e shfaqjes si kërcënim i stabilitetit të rajonit, për shkak të dështimeve të brendshme.

Zëri: E përmendët shkurtimisht linjën e interkonjeksionit dhe bashkëpunimin në energjetikë Kosovë-Shqipëri. Ne e dimë se është ndërprerë ajo linjë energjetike. Çka do të bëni në këtë lëmi?

Rama: Ne do të fillojmë menjëherë ndërtimin e linjës së interkoneksionit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Unë e kam ndjekur atë investigimin e gazetës suaj, dhe e çmoj shumë faktin që ju jeni bërë zëdhënës i një të vërtete shumë të hidhur, duke e marrë përsipër edhe koston. Por, një kosto shumë e madhe i është faturuar vetë Shqipërisë, por edhe Kosovës, qoftë nga pikëpamja e humbjes që ka ardhur nga mosrealizimi i këtij projekti dhe rrënimi i imazhit të Shqipërisë, në raport me partnerët, nga një partner strategjik siç ështe Gjermania, por që reflekton edhe tek të tjerët.

Zëri: Keni vizituar mjaft shpesh Kosovën. Në Kosovë është krijuar njëfarë miti për Kosovën. Mendoni se gjatë këtyre vizitave keni arritur që ta rrëzoni këtë mit?

Rama: Nuk jam ai që mund ta them këtë nga vizitat, por juve mund ta vini re se jetoni këtu përditë. Unë nuk mund ta di këtë. Unë për vete nuk kam asnjë rezervë, jam shumë i lumtur kur vij këtu dhe jam shumë i kënaqur nga mikpritja, nga sjellja e njerëzve në rrugë, janë shumë të sjellshëm. Juve e vlerësoni më mirë.

Zëri: Sot kishte një reagim të Lëvizjes “Vetëvendosje”, në fakt një mospajtim. Ata refuzuan të takohen me Ju për faktin se jeni të afërt me Qeverinë e Kosovës, pse jeni futur në koalicion me Metën... Cili është mendimi i juaj për ta dhe për liderin e saj, Albin Kurti?

Rama: Me shumë dashamirësi e them se ata e kanë bojkotuar tërë botën, e lëre mua. Unë jam shumë i vogël që të ankohem që më kanë bojkotuar. Nga ana tjetër, Albinin e respektoj, e kam mik dhe e çmoj dhe nuk ndryshon mendimi im për Albinin. E kam thënë dhe e përsëris se Albini është një intelektual i admirueshëm, por që politikisht bën gabime mbresëlënëse dhe nuk di të bëjë gabime të vogla.


Komento
Komente (13)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Albin Kurti e ka mirë që nuk takohet me këta shqipfolsa Albini mos mendoni se nuk i njef Këta dhe historin se kush dhe deri ku mund te shkojn këta maskarenjë njëri shkon te Papandreu ( Edi Rama ) dhe i kërkon ndihm që ta Rrënoj Vëllaun Sali Berishen dhe tjetri i kërko ndihm (SaliBerisha) Fazllijoviqit shkaut me ndihmo ta Rrezoj Edi Ramen dhe ai spiuni greko serrb Ilir meta që i ngjan Koce Xoxes bëhet her me atë e her me atë cili ta paguaj ma mirë si një Lavire.E shifene se kush jan këta Maskarenjë këta masepaku jan shqiptar e meseshumti shqipefoles po Populli yn patem sfida te mjaftuara qe shqiptaret ti dalin zot vatanit Atëdheut ku ishin këta Maskarenjë Edi Rama e Sali Berisha!!! këta e bën te kunderten njeri thoshte për ti dorzuar Ushtaret e UCK se te Serbi e tjetri te Greku këtë punë dhe ndihem na e dhan këta Maskarenjë.Ata që e njofin ma afer situaten e Luftes civile 1997 ne Shqiperi e din me mirë se si e dogje Vran Masakrun mbi tremij Njerez këta Horra.
Arben Maloku
rekomanduar (0)
16 Apr 2013
20:48
 
Mbi te gjitha, komplimente juve te Zerit per realitetin qe percillni. Besoj se eshte e qarte diferenca e vizionit te liderit te se majtes, me ngateresat dashakeqe, do te thosha, une te qeverisjes se deritashme te Shqiperise, ne mardheniet tona. Shpresojme te marr fund politikat anti kombetare dhe te shnderrohet ne realitet te prekshem mbas 23 Qershorit. Vazhdoni ju lutem, te kontriboni me pasqyrimin e te vertetave, per te rrezuar do "mite" te sponsorizuara nga interesa jo shqiptare.
Niku
rekomanduar (0)
16 Apr 2013
10:28
 
RAMA FITORE E SIGURTE..BASHKIMIN ME INJOTANTAT KOSOVAR TE SALIUT NUK E DUAM..
KAPO
rekomanduar (1)
15 Apr 2013
15:54
 
Sala Hero i gjallë,mentor.Bregoviqi i dalët përpara.se ky për se kthjellti na nënçmoi krahas Bregoviqit. Sala ishte ndoshta nga ndërkomtarët i detyruar.Koha se si vepruan janë dy kohë krejte të ndryshme.Rama e sjelli Bregoviqin dhe afër Piramidës Instasloj byrektore dhe këndonin sërbisht në kup te qiellit.Ne akoma me trauma të sërbëvet AI ia hapte dyertë:pyeti dikend si këndohej nëpër rrugët e Tiranës deri të pazari,bile edhe ata të Pazarit kur une u çuditësha thonin:Ju shkoni te sërbi se na ndëgjojmë çfarë duam!Po ata ishi të PAZARIT e RAMA keshe institucion!!!
Rukia
rekomanduar (1)
15 Apr 2013
14:30
 
Rilindja e shqiptarise, siqe e pagezon referatin e vete socialist, te shpalosur para nje pjese te opinionit kosovar ne B K, te transmetuar drejtperdrejt nga RTK, ku ishin permbledhur dhe shenuar ne nje notes leshimet dhe gabimet e Sali Berishes - aspak nuk i entuziazmoj te pranishmit (me ne krye Ministrin e Diaspores) eshte nje vonese se paku njezetvjeqecare dhe tregon nje deshtim te Rames ne politike, qe nga ndarja e tij prej Nanos, me pastaj nga humbja e Kryebashkiakut, me ikjen e Ilir Metes nga ajo perzierje politike e quajtur PS e ne vazhdim te leshimeve te numruara nga nje komentues, do qe me disa atribute fiktive te tij te vonuara ndaj Kosoves dhe ribashkimin e Ilir Metes (nje karrierist qe ia kalon edhe Rames vete) - ishte nje fijasko qe edhe vete prezantuesin e ka zhgenjye, me parjashtim te tre-kater ithtareve. Pleodajea e tij ne kete ambient nuk u shite. Ishte nen nivel te te priturit. As Klani, as Albini, as, e as ... pos qe i humorizonte ata qe nuk i pelqenin.
Bali Katravella
rekomanduar (0)
15 Apr 2013
13:33
 
Nuk po kuptoj pse gjithe keto ofendime kunder Edi Rames? Njeri kurr asgje te keqe nuk ka bo ndaj Kosoves...nese dorezimi i celesit per Bregovicin eshte problemi ma i madh, spo kuptoj qysh Sali Berishen njeri qe e ka ndihmu gjate embargos Millosheviqin, pritet si hero! Mozomakeq per ne ne Kosove, gjtihmone ma shume ju besojme thashethemeve se fakteve dhe realitetit
mentor
rekomanduar (3)
15 Apr 2013
13:04
 
Analize shume e thuket e Edi Rames. Hala ma mire nuk e kam pa dikend qe e pershkruan Albin Kurtin. BravO!!!!!
mentor
rekomanduar (0)
15 Apr 2013
13:02
 
Po shihet qe je komunist,intervista si me qen ne kohen e stalinit,pritja e qeveris (qeveri e brisht) e sa per fitore me 23 qershor jam i sigurt se do té fitosh (dy si grusht e njé si gisht!) se ju e meritoni.
salihu
rekomanduar (1)
15 Apr 2013
12:51
 
Ju z rama jeni e keqja e dheuet dhe atedheut.
nuradini
rekomanduar (1)
15 Apr 2013
12:42
 
Mos e ndyni edhe shtypin e këtuhit me E.RAMËN.Psikopatin e kombit tonë të tëra trojeve.Ky është që BREGOVIQT ia ka dhënë Çelsin e Tiranës,ky është ai që Lakuriq si shtazët është shetitur në plazhe e ti thot veti CIVILZUAR-sikur nëpër xhungla,Ky është që me 21 janar i vuri bashkëmendimtarët e vetë para Policëvet, të shtetit Shqiptarë,Ky i ndërsej të dalin në grevë urije të "mençurit "e partisë së tij ,ky është pengesa e tre ligjeve që kërkon Europa,dhe pastaj,ndihmohet Kosova e shqipëtarët në rajonet tjera.Ky....Ma i keqi në botën SHQIPTARE pas Fatosit
Liria
rekomanduar (6)
15 Apr 2013
11:12
 
Larg nga Kosova dhe shqiptaret ore servili grekoshkja,antikombetar qe tentove me qdo kusht ta kallish vendin e shqiponjave me rrugaqet e kriminelet grekoshkije...larg nga Kosova ore fytyre NARKOMANI i qmenduri grekoshkja.....ketij grekoshkjau eshte dashur ti ndalohej hyrja ne Kosove por qti besh qe Hashimi lejon hyrjen e shkijeve dhe servileve per interesa personale...?!
Gazi
rekomanduar (2)
15 Apr 2013
10:45
 
Ku ishe ti zoti Rama kur luftohej per Kosoven?ku ishin te paret e juej kur Kosova duhet te ishte e bashkuar me Kosoven? Para disa muajsh ke preke me dore lapidarin ne Presheve pake para largimit, gabimin kush e ka per kete, sigurishte se regjimi Hoxhist dhe ata qe ju bashkuan atij regjimi anti shqiptar. Ne Kosove takon nji CLUB prej LPK isteve ish sigurimsave, apo ata qe djegin librin e FEVZIUT mbi Diktatorin Hoxha. Ti kurr ske guximin te balancohesh me KRYEMINISTRIN BERISHA apo me mire kryeministrin gjitheshqiptar! Kryeministri Berisha me rruget qe ndertoi ofroi kryeqendrat Shqiptare TIRANEN me PRISHTINEN dhe SHKUPIN me nji fjale ofroi Shqipetaret, Ju jeni kapur nga frika e humbjes se radhes, dhe se Baton Haxhiu eshte nji ndermjetesues i mire ashtu si ishte dhe gjate luftes se UCK-se.
d,kabashi
rekomanduar (8)
15 Apr 2013
10:29
 
Intervistë e bërë shkëlqyeshëm. Gazetari që kam qejf të mundem ta bëj edhe unë. Edhe pse me fakultet të absolvuar në Shkencat e Mediave, Komunikacionit dhe Gazetarisë autorët ma kan ftoh. Folni tash për kualitetin e gazetave kosovare. Hajde!
Xhemal Ahmeti
rekomanduar (1)
15 Apr 2013
10:14
 
Me shume nga Ditari