Aktuale

Xhamia që zbulon dallavere me donacione arabe (FOTO)

18 korrik 2016 • 07 : 40 • autori: Arbana Xharra / Alban Selimi/ Vitomiricë, Pejë, Prishtinë Foto: Laura Hasani

Politikanë, hoxhallarë, përfaqësues të OJQ-ve fetare e kompani ndërtimi kanë bërë të mundur ndërtimin e një xhamie, duke shkelur rregullore e ligje me ndihmën e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Me paratë nga Dubai dhe ndërmjetësuesin që është i përfshirë në ndërtimin edhe të disa xhamive të tjera, përmes kompanive private, po bëhet edhe evazion fiskal. Dokumentet që “Zëri” posedon zbulojnë dallavere, kurse Bashkësia Islame hesht  

Dy minaret e xhamisë së re, që po kundërshtohet nga banorët në Vitomiricë të Pejës, kanë “prekur” qiellin. Nën hijen e tyre kanë mbetur shtëpitë e kundërshtarëve - banorëve të paralagjes së Pejës ku xhamia tashmë është gati në përfundim.

Vetëm dy kilometra prej këtij objekti, është edhe një xhami tjetër. Banorët thonë se ajo nuk mbushet as të premteve, ditë kjo kryesorja për kryerjen e lutjeve fetare, nga besimtarët myslimanë.

Edhe pse rreth 500 nënshkrime të banorëve janë mbledhur në peticionin kundër ndërtimit të kësaj xhamie, një rrjet më i fuqishëm ka triumfuar kundër tyre. Politikanë, hoxhallarë, përfaqësues të OJQ-ve fetare e kompani ndërtimi kanë bërë të mundur ndërtimin e xhamisë në Vitomiricë, duke shkelur rregullore e ligje me ndihmën e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, e të parave nga Dubai.

Por jo gjithçka fillon e mbaron ashtu siç duket vetëm me ndërtimin e kësaj xhamie. Në këtë proces shumica e pjesëmarrësve del të kenë hisen e tyre. Por, në dokumentet që gazeta “Zëri” ka siguruar mësohet për përfitime të shumta me donacione arabe, ndërkohë që vendimet zyrtare, vulat e Komunës e të dhënat e Doganave zbulojnë për dyshime të mëdha të evazionit fiskal.

Ndërmjetësuesi i xhamive me donacione arabe

E në krye të iniciativës për ndërtimin e kësaj xhamie në Vitomiricë si ndërmjetësues është Ramiz Zekaj, nga Instituti i Mendimit dhe Qytetërimit Islam në Tiranë dhe i njohur i kahershëm i kreut të Pejës. 

Zekaj është me prejardhje nga Peja, kurse aktualisht në Kosovë po ndërmjetëson në ndërtimin e pesë xhamive, përfshirë xhaminë në Vitomiricë të Pejës, xhaminë në Staradran të Istogut, xhaminë në Kralan të Gjakovës dhe një tjetër në Lumbardh të Deçanit. Shuma e tyre kap vlerat milionëshe, konfirmon furnizuesi i materialeve ndërtimore. 

Image
Ramiz Zekaj, nga “Institutit i Mendimit dhe Qyteterimit Islam në Tiranë”

Ndërmjetësuesi i ndërtimit të kësaj xhamie dhe i disa të tjerave nëpër Kosovë, Ramiz Zekaj, i cili jeton në Tiranë, nuk i është përgjigjur përpjekjeve të gazetës "Zëri" për t'u kontaktuar.

Ai është i njohur i kreut të Komunës së Pejës, sepse kishte marrë më parë leje për depo bujqësore dhe ndërkohë është duke planifikuar ndërtimin e një kompleksi të madh turistik me donatorë të Emirateve të Bashkuara në Pejë. Këtë e konfirmon edhe kryetari Gazmend Muhaxheri.

“Po, ka marrë leje për një depo, ndërkohë që ai është blerës i disa pronave nga serbët dhe po planifikon të ndërtojë një kompleks turistik me investimet e dy vëllezërve të Emirateve të Bashkuara në Pejë”, thotë Muhaxheri.

Sipas Muhaxherit, nuk duhet të paragjykohen investitorët vetëm pse janë arabë.

“Ata kanë të drejtë të investojnë, tokat i kanë blerë nga serbët”, ka thënë Muhaxheri.

I njëjti person, ndërmjetësues i fondeve nga Dubai, tash sa kohë është duke iniciuar ndërtimin e xhamive nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

Gazmend Muhaxheri shkoi në Dubai pasi i dha leje xhamisë

Banorët e lagjes me një krah dokumente: padi, ankesa, peticione, kanë kundërshtuar xhaminë, por që e gjithë përpjekja e tyre ka rënë në ujë me një nënshkrim të kryetarit të Pejës.

Muhaxheri kishte hedhur poshtë edhe vendimin me shkrim të drejtorit të Urbanizmit të Komunës, Salih Lajçi, i cili ia kishte refuzuar Bashkësisë Islame kërkesën për këtë xhami.

“Kishin shumë arsye për ta kundërshtuar këtë xhami: e para se aty nuk ka besimtarë, kanë refuzuar që aty të ndërtohet një objekt i kultit, pasi në të njëjtin vend kishte edhe varreza dhe ndërtimi ishte në kundërshtim me rregulloren komunale për varrezat, e nxjerrë në vitin 2005”, thotë për “Zërin” Lajçi.

Por, ende pa aplikuar për leje, BIK-u në Pejë kishte futur ekskavatorët dhe kishte filluar punën, duke i bërë rrafsh varrezat që gjendeshin në atë parcelë. Punimet, megjithatë, ishin ndërprerë nga banorët që e vlerësonin donacionin si “vehabist dhe me fonde të dyshimta”.

Pas tërë kësaj, Bashkësia Islame e Kosovës në Pejë kishte filluar procedurat për marrje të lejes. Por, më 7 gusht 2015, Drejtoria e Urbanizmit ua kishte refuzuar lejen e ndërtimit.

Arsyetimi i drejtorit Lajçi për refuzim, bazohej në rregulloren mbi varrezat, mirëmbajtjen e tyre dhe varrimin, që Komuna e Pejës e ka nxjerrë nga tetori i vitit 2005.

Por, vetëm dhjetë ditë më vonë, vendimi i nxjerrë nga Lajçi ishte hedhur poshtë nga numri një i Komunës së Pejës, kryetari Gazmend Muhaxheri. “Ato janë thjesht donacione të një biznesmene të Dubait, e cila ka dashur për shpirt të babës së saj t'i japë për xhami”, thotë për “Zërin” Muhaxheri.

Por, Muhaxheri disa muaj pasi kishte dhënë lejen për ndërtimin e xhamisë, ka udhëtuar për Dubai me shpenzimet e donatorit që ka bërë edhe ndërtimin e xhamisë së Vitomiricës.

Udhëtimi ishte bërë përmes ndërmjetësit Ramiz Zekaj, njëherësh ndërmjetës i donacionit. Ai arsyeton udhëtimin, të ketë shkuar për të “zbuluar” nëse donatorët janë terroristë. 

“Kam shku në Dubai, e kam taku këtë zonjën donatore dhe jam shumë i informuar tash si shkon procesi i investimeve të këtyre personave për ndërtimin e xhamive”, thotë Muhaxheri.

Image
Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës

 

Ai thotë se në Dubai ka shkuar pasi janë dëgjuar fjalë dhe janë ngritur dyshime lidhur me donatorët.

“Sepse këta tash tërë kohën e kanë pas atë idenë se këtu paret janë duke shkuar për ekstremizëm, për terrorizëm. Kanë me ardhë ekstremistat këtu dhe kanë me ba çmos. Çka veç më ka shty si kureshtje, hajde ta dimë qysh është kjo punë”, arsyeton Muhaxheri udhëtimin e tij në Dubai.

Kështu, Muhaxheri pas qëndrimit në hotelin e donatorit nga Dubai, ku thotë se një natë kushton 250 euro, ka ardhur në konstatim se ky donacion është “thjesht një zeqat për me ndihmu në ndërtim të xhamive”.

Madje, ai thotë se ky donator kishte bërë edhe xhami në Shqipëri dhe as nuk e dinte vendin ku ishte ndërtuar xhamia.

“Edhe për këtu, ka dëgju që janë myslimanë, por më shumë nuk di. Fotografitë ia dërgojnë rregullisht për me pa që nuk ia keqpërdorin buxhetin”, flet i pari i Pejës. Kurse preokupimin e disa banorëve për varrezat e të parëve të tyre, të cilat janë hequr me ekskavator, nuk i merr aq seriozisht. “Ato kanë qenë varreza të vjetra dhe me ligj lejohet të hiqen”, thotë Muhaxheri.

I pyetur pse e ka një rregullore në Komunën që ai udhëheq, e cila nuk lejon zhvendosjen e varrezave, Muhaxheri përgjigjet: “Ligji për varrezat është më i vjetër se rregullorja për varrezat e vitit 2005... Kjo rregullore është nxjerrë për të mos i prishë varrezat e Kakariqit. Është mendu se dikush do me ndërtu banesa aty dhe ajo rregullore është nxjerrë prej pushtetit të atëhershëm për me pengu ndërtimin në varrezat e Kakariqit”, ka thënë Muhaxheri, ndonëse në rregullore nuk përmendet askund Kakariqi si përjashtim.

Evazion fiskal me materiale të xhamisë

Ligji Nr. 02/L-31 për Liritë Fetare në Kosovë, në Nenin 12, liron të gjitha bashkësitë fetare nga tatimi ose kontributet e tjera të përgjithshme.

Kështu, duke u thirrur në këtë bazë ligjore, një varg kërkesash janë bërë nga kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj, për t’u liruar nga Tatimi për Vlerën e Shtuar (TVSh) gjatë furnizimit me materiale për xhaminë e Vitomiricës.

Image
Musli Arifaj, kreu i BIK ne Pejë i ka dërguar disa kërkesa doganave që materiali që hynë permes kompanisë "Jusaj-Metal" të lirohet nga TVSH ashtu siç e thotë ligji.

 

Arifaj në disa kërkesa kundrejt Doganave, ka kërkuar që malli që hyn përmes kompanisë “Jusaj-Metal”, për xhaminë, të lirohet nga obligimet tatimore. Me kopjet e faturave që gazeta “Zëri” ka siguruar mësohet se sasi e madhe e materialeve me destinacion tjetër ishin futur në Kosovë në emër të ndërtimit të xhamisë.

Ajo po ndërtohet prej kompanisë “Lili”, kurse i kontraktuar për furnizim me materiale ndërtimore është kompania tjetër “Jusaj-Metal”, me pronar Ministër Jusajn.

Në faturat e siguruara nga gazeta “Zëri” figurojnë edhe disa nga materialet që inteligjenca doganore dyshon se nuk janë përdorur për xhaminë që do të duhej të ishte destinacion i atyre mallrave.

Image

Kjo për faktin se ishin bërë porosi për produkte disa muaj pasi kishte kaluar faza e ndërtimit kur do të duhej të përdoreshin ato materiale.

Në njërën nga faturat, të datës 19 prill 2016, kërkohet lirimi nga taksat i materialit “Knauf”, që janë pllaka nga gipsi të mbështjella me letër. Bëhet fjalë për një sasi prej mbi 2500 metrash katrorë të këtyre materialeve, që Doganat besojnë se nuk mund të përdoren në një objekt kulti siç është xhamia.

Po ashtu, në një faturë tjetër ishte kërkuar të lirohen nga TVSh-ja dhe Dogana sasi të dërrasave të verdha, të cilat përdoren për betonimin e themeleve dhe shtyllave.

Image

Ato në faturë figurojnë me emrin “Shuttering Panel”. Ky material sipas kërkesës së Bashkësisë Islame në Pejë ka ardhur në Doganë më datën 22 prill 2016.

Por, në këtë periudhë kohore, këto mjete pune nuk ishin të nevojshme, pasi kishte përfunduar faza e betonimit të themeleve dhe shtyllave.

Në fatura po ashtu janë kërkuar edhe materiale dekoruese - pllaka (tulla) dekoruese, të cilat siç dyshojnë autoritetet doganore nuk janë paraparë në projektin e paraqitur nga BIK-u.

Image

Gazeta ka siguruar edhe fatura dhe kërkesa të bëra nga Bashkësia Islame e Pejës për lirim nga TVSH-ja dhe Dogana të materialit ndërtimor që i dedikohet një xhamie që po ndërtohet jashtë komunës së Pejës. Është fjala për xhaminë që po e ndërton e njëjta organizatë në fshatin Staradran të Istogut.

Musli Arifaj, kryetar i Bashkësisë Islame në Pejë, nuk ka pranuar të takohet me ekipin e gazetës “Zëri” për të sqaruar në lidhje me kërkesat që ka bërë dhe nëse dyshimet që janë ngritur kanë bazë.

“Nëse Doganat e Kosovës kanë dyshime, me urdhër të prokurorit mund të vijnë t’i marrin letrat që kemi”, ka thënë Arifaj, duke refuzuar që të njëjtat dokumente t’ia ofrojë ekipit të gazetës. 

Dogana hap hetimet, BIK-u hesht

Doganat e Kosovës konfirmojnë edhe zyrtarisht se në lidhje me këtë rast kanë hapur hetime. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se Dogana edhe në të kaluarën ka pasur dyshime për keqpërdorime me anë të lirimeve.

“Dhe për momentin jemi në fazë të hetimeve”, ka thënë Stavileci.

Ramiz Zekaj, drejtor i Institutit të Mendimit dhe Qytetërimit Islam në Tiranë, nuk ka qenë i qasshëm për t’ia marrë një prononcim, pavarësisht prej insistimit të ekipit.

Image
Image
Kreu i BIK-ut në Pejë, Musli Arifaj

Kurse Ministër Jusaj, drejtor i “Jusaj-Metal”, ka thënë se investitori ka kërkuar që betoni t’i dalë "i lëmuar si xhami" andaj edhe janë përdorur vetëm për një përdorim. Sipas tij, vetëm objekti në Vitomiricë kushton mbi 1.2 milion euro në vlerë finale.

"Në emër të BIK-ut kanë hyrë mallra rreth 250 mijë euro. Tash llogarit edhe sa malli ka me hy për me përfundu punët deri në fund. Ta dëshmoj me dëshmi të sakta dhe me përgjegjësi se asnjë mall përmes 'Jusaj-Metal' me BIK-un nuk është keqpërdorur dhe nuk është dërguar në asnjë objekt tjetër, pos në objektet e BIK-ut në Istog, Pejë, Gjakovë, Klinë etj. Dogana e di fort mirë kush është 'Jusaj Metal'. Kompania jonë është e kategorizume si ndërmarrje importuese në kategorinë A+. Pa asnjë ndëshkim prej 1999 e tutje. Kamionët tanë nuk janë hapë kurrë sepse kemi punuar gjithnjë në përputhje me ligjin dhe rregullat doganore. Unë kurrë nuk kam bërë importe me lirim, pos këtyre importeve të BIK-ut, pasi këta i kanë kërku pasi donacionet nuk kanë mbulu krejt investimin dhe për me iu dalë kostoja më e lirë, kanë kërku këtë. Për mua si me shitë me TVSH, si pa TVSH, është e njejtë. Unë jam veç kontraktor. Ata ma sjellin kërkesën t'u vijë ky mall dhe pagesat m'i bëjnë përmes bankës”, ka thënë Jusaj.

Image
Ky është pronari i kompanisë furnizuese Jusaj-metal, emri i tij është Minister Jusaj

Bashkësia Islame e Kosovës, edhe pse e përfshirë në këtë investim, nuk ka dashur të deklarohet.

Në numrin e nesërm lexoni: Çfarë thonë zyrtarisht të përfshirët në dyshimet për evazion fiskal? Kush janë kompanitë që po ndërtojnë në këtë mënyrë xhami nëpër Kosovë me donacione të arabëve? Cili është roli i Bashkësisë Islame, a është e përfshirë në dallavere me fonde? Etj. 

Image
Image
Image

 

© zëri.info