Mosratifikimi i Demarkacionit, dëm i madh për vendin

Aktuale July 17, 2016 - 12:50

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është i bindur se mosratifikimi i Demarkacionit në Kuvend rrezikon jo vetëm lëvizjen pa viza, por edhe proceset që lidhen me sovranitetin, transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, si dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në BE, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Zëri: A rrezikojnë të mbesin qytetarët e Kosovës pa lëvizje të lirë nëse nuk ratifikohet Marrëveshja e Demarkacionit?

Mustafa: Rrezikojmë edhe më shumë sesa lëvizjen pa viza në vendet e BE-së.Sa i përket liberalizimit, ne duhet që ta procedojmë Demarkacionin para datës 5 shtator, në mënyrë që institucionet kompetente evropiane të marrin vendim për t’ua mundësuar kosovarëve lëvizjen e lirë.

Por, çështja e demarkacionit ka shumë rëndësi edhe për çështjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës. Ne, përmes caktimit të kufijve shtetërorë me Malin e Zi, do ta përkufizojmë sovranitetin e Kosovës me një vend i cili shumë shpejt do të jetë edhe formalisht pjesë e NATO-s, që është Mali i Zi. Ne jemi të përcaktuar që edhe Kosova do të bëhet anëtare e NATO-s dhe ky proces i demarkacionit do të kishte impakt edhe në transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës. Kjo më është bërë e ditur edhe gjatë takimit me ndihmëssekretaren amerikane, Victoria Nuland, në takimin e fundit, pa marrë parasysh se disa po thonë se kjo nuk mund të jetë kriter. Por, miqtë tanë i thonë qartë qëndrimet e tyre. Nuk mund të presim përkrahjen e SHBA-së dhe as të NATO-s që ta themelojmë ushtrinë kur kemi probleme të kufirit me një shtet fqinj anëtar të NATO-s.