Tryeza, shpresa për demarkacionin

Aktuale July 16, 2016 - 08:01

Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka miratuar kërkesën e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, për organizimin e një tryeze në të cilën do t’i ballafaqojnë faktet për demarkacion me Malin e Zi Komisioni, që e ka negociuar këtë marrëveshje, me ekspertë të fushave të cilët kanë të bëjnë me çështjen e kufirit.

Kështu më 3 gusht, në sallën alternative të Kuvendit, do të organizohet kjo tryezë, e cila vlerësohet si mundësi e mirë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e demarkacionit, megjithëse vlerësohet se kjo tryezë ka mundur të organizohet kohë më parë. Gjithashtu vlerësohet e nevojshme që Qeveria t’ua dërgojë deputetëve materialet për Demarkacionin në mënyrë që të jenë të informuar mirë para se të mbahet kjo tryezë.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit kryetari i legjislativit, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se debati mes Kuvendit, Qeverisë, Komisionit për Demarkacion dhe ekspertëve do të mbahet më 3 gusht, në sallën alternative në Kuvend.

“Tryeza është e vonuar gjithsesi për aq sa është edhe debati në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje. Sido që të jetë më mirë vonë sesa kurrë. E mira është se do të ndodhë dhe do të bisedohet, do të shprehen mendimet lirshëm. E rëndësishme është që në ketë proces të rritet konfidenca dhe për t’u ditur të gjitha ato gjëra që janë tek shënimi i kufirit, të cilin Komisioni Shtetëror e ka bërë. Po ashtu të dihen edhe qëndrimet e profesionistëve dhe t'i hapim rrugë një procesi, i cili është deri te vendimmarrja”, ka deklaruar Veseli.

Ai më tej ka thënë se vendimi i Kuvendit për këtë çështje do të jetë në të mirë të vendit dhe të qytetarëve.

Kurse nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Aida Dërguti, ka thënë se debati që do të mbahet më 3 gusht do të ndihmojë në formësimin e qëndrimit të deputetëve që nuk janë deklaruar ende për këtë çështje.

“Të shohim ballafaqimin ngase ky ballafaqim i qëndrimeve të ndryshme apo të kundërta do të ndikojë në formësimin e vendimit të deputetëve, të cilët deri më tani shumica e deputetëve të pozitës nuk janë deklaruar nëse janë për ose kundër Demarkacionit. Unë besoj se Marrëveshja për Demarkacionin tashmë është e pavlefshme, është e vdekur dhe ky debat mbase do të ndihmonte në formësimin e opinionit te deputetët e shumicës parlamentare”, është shprehur Dërguti.

 Mustafa: Mund të matet toka e Kosovës

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, në mbledhjen e Qeverisë të premten ka thënë se për këtë mbledhje ishte planifikuar që të trajtohet edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, mirëpo, sipas tij, partnerët e koalicionit e kanë vlerësuar të nevojshme që të mos dërgohet ende.

“Së bashku me partnerin e koalicionit kemi vlerësuar se ka mundësi që ende të shfrytëzojmë këtë hapësirë dhe t’i studiojmë të gjitha mundësitë që me ligj të shohim hapjen e mundësive që ligji mund të përfshijë argumentimin e fakteve, të cilat do të mundësonin që në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi të krijohen situata, në të cilat ne do të mundë të bisedonim dhe të rishikonim pjesë të caktuara të marrëveshjes në bazë të interesit dypalësh”, ka deklaruar Mustafa.  Më tej, ai ka thënë se Qeveria do të punojë që akuzat e opozitës dhe bashkëngjitur këtyre akuzave të disa gjeografëve se Kosova ka humbur territor në shënimin e kufirit me Malin e Zi, duhen zbardhur dhe duhen të vërtetohen.

“Ngase të gjitha tekstet edhe të gjeografisë, të gjitha hartat e Kosovës, jo vetëm të periudhës 1974-1988 kur është përcaktuar si afati i fundit me Pakon e Ahtisaarit për mbyllje të territorit të Kosovës, si dhe në të gjithë vjetarët statistikorë që Kosova i ka pasur nga viti 1974 e tutje, territori i Republikës së Kosovës ka qenë 10.887 kilometra katrorë, do të thotë se ky është territori zyrtar që Kosova ka pasur në atë periudhë, por këtu nuk është përfshirë edhe periudha në të cilën Kosova është si cilësuar si ‘Kosovë dhe Metohi’, do të thotë para vitit ’74”, ka shtuar më tej Mustafa, duke thënë se evidencat e tanishme sipas Komisionit Shtetëror flasin se Kosova ka 10.906 kilometra katrorë në bazë të saktësimit të matjeve.
Në fund, shefi i ekzekutivit ka thënë se opozita dhe qytetarët kërkojnë dhe mund të matet territori i Kosovës e të shihet nëse është humbur territor.

AAK: Mbajtja e tryezës vendim i drejtë, por i vonuar

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se vendimi i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për të organizuar tryezë, ku do të diskutohet çështja e demarkacionit me Malin e Zi, është vendim i drejtë, megjithëse i vonuar.

Në një njoftim për medie të kësaj partie thuhet se kjo do të jetë një mundësi që të binden të gjithë ata që po e mbrojnë marrëveshjen e 26 gushtit 2015 se me këtë marrëveshje Kosova humb tokë. “Ky vendim edhe pse i vonuar do të jetë mundësia më e mirë që të binden të gjithë ata që po e mbrojnë këtë formë të demarkacionit me Malin e Zi, e cila i fal mbi 8 mijë hektarë tokë të Kosovës, se kjo marrëveshje është e dëmshme dhe prek integritetin territorial të vendit. I falënderojmë të gjithë deputetët, pa dallim partie, që kanë insistuar vazhdimisht në organizimin e një debati të tillë dhe po ashtu u bëjmë thirrje edhe kolegëve të tjerë deputetë që t’i thërrasin arsyes së shëndoshë dhe të mbrojnë atë çka është interes madhor i vendit, siç është territori”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Më tej, nga AAK-ja thonë se do të vazhdojnë të jenë konsistentë mbi argumentet se nuk kanë territor për t’i falur askujt.

 Bulliqi: Qeveria t’ua dërgojë deputetëve materialin për Demarkacion

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë për “Zërin” se vendimi i Kryesisë së Kuvendit për të organizuar tryezë diskutimi për demarkacionin është vendim i mirë, por që, sipas tij, ka mundur të bëhet shumë kohë më parë.

“Është mirë që më në fund Kuvendi reflektoi që të krijojë kushte për të biseduar për këtë çështje, mirëpo mendoj se është një hendikep shumë i madh shtyrja e deritanishme nga ana e Qeverisë dhe e Kuvendit ky diskutim, kur ka qenë e mundur shumë kohë më parë të bëhet një debat i tillë”, ka deklaruar Bulliqi.

Profesori i Departamentit të Gjeografisë më tej ka thënë se deputetët para mbajtjes së kësaj tryeze do të duhej t’i kishin materialet për Demarkacionin, në të kundërtën kjo, sipas tij, do të paraqesë hendikep për deputetët.

“Prapëseprapë deputetët do të jenë të hendikepuar për faktin se ata nuk e kanë materialin për Demarkacion. Qeveria e Kosovës e ka pasur për obligim që të paktën edhe nëse nuk e dërgon në Kuvend zyrtarisht këtë material, atëherë t’ua dërgojë deputetëve këtë material dhe që ata të mundë ta lexojnë dhe të krijojnë bindjen për këtë proces”, ka potencuar Bulliqi.

Në fund, ai ka thënë se ka filluar një fushatë mediatike përmes së cilës disa “ekspertë” po mundohen të krijojnë bindje tek opinioni se gjithçka është në rregull.