Mustafa tregon se për çfarë bisedoi me Nulandin

Aktuale July 14, 2016 - 22:19

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se takimi që ka pasur me ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, ishte shumë përmbajtësor, por edhe me porosi të qarta.

Nëpërmjet një shkrimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Mustafa ka treguar se ndër çështjet e shumëta që janë adresuar, kanë qenë nevoja e forcimit të shtetit ligjor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, reformatizimi i qeverisë, implementimi i marrëveshjeve nga dialogu me Serbinë dhe vazhdimi i dialogut dhe zgjidhja e problemit të kufirit me fqinjët, më konkretisht me Malin e Zi.

Ky është shkrimi i plotë i Mustafës:

"Takimi me ndihmës sekretaren e shtetit, znj Victoria Nuland ishte shumë përmbajtjesor por edhe me porosi të qarta. U adresuan shumë çështje, ndër të cilat:
- Nevoja e forcimit të shteti ligjor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit;
- Reformatizimi i qeverisë;
- Implementimi i marrëveshjeve nga dialogu me Serbinë dhe vazhdimi i dialogut;
- Zgjidhja e problemit të kufirit me fqinjët, në këtë rast me Malin e Zi, si element shumë I rëndësishëm i sovranitetit shtetëror që ndërlidhet edhe me përkrahjen për transformimin e FSK-së në FAK, duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me dy vende, njëra prej të cilave është anëtare e NATO-së, kurse tjetra pretendon të bëhet anëtare. (Kjo nuk mund të kuptohet se pas demarkacionit do të bëhet transformimi, por se transformimi nga pala amerikane u vu në korrelacion edhe me demarkacionin e kufirit); 
- Zgjidhja e problemit të pagesave për veteran, nga se pagesa për ata që nuk kanë merita cilësohet si korrupsion dhe keqpërdorim i parasë publike. U tha qartë se në qoftë se Kosova nuk e adreson dhe nuk e zgjidh këtë çështje me kohë (është fjala para aprovimit të buxhetit për vitin 2017) rrezikon të dal nga Programi i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Prandaj, nëse rrezikohet program i FMN-së, Kosova do të humbë edhe programin e Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), që llogaritet se sillet nga 200 milion deri në 400 milion dollar amerikan. 
Duke e konsideruar tepër të rëndësishme partneritetin me SHBA, Qeveria do të punoj me përkushtim në këto çështje."