PDK zmbrapset për demarkacionin

Aktuale July 14, 2016 - 08:13

Partia më e madhe në vend (PDK) e sheh të nevojshme arritjen e një konsensusi nacional për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, derisa LDK-ja insiston se demarkacioni shumë shpejt do të shkojë në Kuvend. Opozita ka një alternativë që kjo çështje të zgjidhet deri në shtator

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila për më shumë se dhjetë muaj e ka mbështetur Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, tani është më e rezervuar për këtë çështje.

Madje përfaqësuesit e partisë më të madhe në vend tani thonë se është e nevojshme gjetja e një konsensusi nacional, pasi, sipas tyre, përveç mospajtimeve ndërmjet partive politike parlamentare, ka mospajtime edhe brenda vetë partive. Ata thonë se nuk ka asnjë arsye që në  Kosovë të këtë hidhërim në raport me demarkacionin. 

Në anën tjetër, zyrtarët nga Zyra e kryeministrit thonë se Marrëveshja për Demarkacionin do të dërgohet së shpejti në Kuvend për t’u ratifikuar.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe zëvendëskryeministri i vendit, Hajredin Kuçi, ka thënë se mospajtime për çështjen e demarkacionit përveçqë ka ndërmjet partnerëve të koalicionit (PDK e LDK), ka edhe brenda vetë këtyre dy subjekteve politike. Kuçi ka thënë se do të angazhohen për të gjetur një konsensus nacional për këtë çështje.
“Mendoj se ka mendime të ndryshme jo vetëm në mes të partnerëve të koalicionit, por edhe brenda partive politike, që janë krejt normale. E kam thënë me herët dhe po e përsëris edhe sot, se do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që ta krijojmë konsensusin nacional jo vetëm me partitë e koalicionit, por edhe me partitë e tjera parlamentare”, ka deklaruar Kuçi.

 Kuçi: Koalicioni s’është në krizë

Ai më tej ka thënë se kohët e fundit është shtuar intensiteti në çështjen e demarkacionit dhe se do të ketë takime të shtuara me të gjithë akterët politikë dhe jopolitikë të vendit. Kuçi gjithashtu ka thënë se koalicioni nuk është në krizë.

“Nuk ka asnjë arsye që Kosova të këtë hidhërim, as partitë politike e as shqiptarët në raport me demarkacionin ose ndonjë punë tjetër me interes nacional. Koalicionin qeverisës as nuk e kanë lidhur disa deklarata e as nuk e vënë në krizë disa deklarata. Koalicionin qeverisës parimet, konceptet dhe programi qeverisës e vënë në krizë ose jo”, ka shtuar Kuçi.

Edhe Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë se koalicioni nuk është në krizë, ndërsa ka thënë se beson që shumë shpejt Marrëveshja për Demarkacionin do të dërgohet në Kuvend.

“Kriza është e fabrikuar nga ata, të cilëve u konvenon. Koalicioni nuk ka krizë fare, ndërsa marrëveshja besoj se shpejt do të shkojë në Kuvend”, ka theksuar Gecaj.

 Haradinaj: Demarkacioni mund të zgjidhet para shtatorit

Në anën tjetër, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ekziston mundësia që kjo çështje të zgjidhet para muajit shtator.

“Ne po kërkojmë qe sa kohë të zgjidhet çështja e demarkacionit. Qeveria ka qenë e mbyllur. Pra ne kemi një vit që kërkojmë rihapjen e kësaj çështjeje, në mënyrë që të fitohet në kohë. Përgjegjësia bie mbi një qeveri të korruptuar, mbi gabimet e saj që ka bërë në shënjimin e vijës kufitare. Kuptohet se mund ta shfrytëzojmë kohën e mbetur, nga tash e deri në shtator, që ta hedhim poshtë këtë version, për ta rifilluar një komision qeveritar dhe ta gjejmë zgjidhjen për demarkacionin, mundësisht para shtatorit”, është shprehur Haradinaj në një intervistë për radion “Evropa e Lirë”.

Ai gjithashtu ka thënë se është e mirëseardhur ideja e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, që Qeveria të organizojë debat për këtë çështje.

“Është shumë e mirëseardhur, për shkak se Qeveria ka qenë e mbyllur deri më tani ndaj çdolloj mendimi ndryshe, edhe ndaj ekspertizës së ekspertëve dhe ndaj mendimeve ndryshe e të të gjithë të tjerëve. Kësisoj, Qeveria do ta bënte një veprim të mençur duke u hapur dhe duke e hapur temën për të gjithë. Pra, është diçka e dobishme, besoj”, ka potencuar më tej Haradinaj.

Ratifikimi i Demarkacionit, nëse kërcënohen deputetët

Sekretari i përgjithshëm i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, ka thënë se Qeveria po bën mirë që nuk po e dërgon në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacion. Sipas tij, disa deputetë të koalicionit qeverisës janë kundër kësaj marrëveshjeje dhe nëse ndryshon qëndrimi i tyre, atëherë kjo do të bëhet përmes kërcënimeve apo shantazheve.

“Mirë po bën që nuk po e procedon për në Kuvend dhe do të bënin mirë fare të mos e procedonin, por ta tërhiqnin këtë marrëveshje dhe ta kthenin tërë procesin në pikën zero. Me sa kam informacion, ka shumë deputetë nga mazhoranca se ky version i është dukur i dëmshëm dhe çfarëdo ndryshimi i bindjeve të deputetëve që tani besojnë se demarkacioni është i gabuar do të jetë produkt i kërcënimeve dhe shantazheve të deputetëve”, ka theksuar Sherifi.

Ai gjithashtu ka thënë se Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, mirëpo Sherifi thotë se për të do ishte e pranueshme që kjo Qeveri ta kryejë mandatin e plotë, por vetëm nëse e anulon Marrëveshjen për Demarkacion dhe atë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Ky vend ka nevojë të shkojë në zgjedhje jo vetëm për shkak të kësaj marrëveshjeje. Por unë personalisht do të isha i gatshëm ta lejoj këtë Qeveri të punojë deri në vitin 2018, por vetëm të mos e ratifikojë Demarkacionin dhe ‘Zajednicën’ sepse këto janë tema, të cilat do ta dëmtojnë Kosovën në mënyrë të pariparueshme në vitet e ardhshme”,  ka përfunduar Sherifi.