Edhe pas daljes nga BE, Britania mbështet Kosovën drejt rrugës euroatlantike (VIDEO)

Aktuale July 12, 2016 - 16:33

Pavarësisht se Britania e Madhe tashmë i është nënshtruar një referendumi për daljen nga Bashkimi Evropian, ajo vazhdon të jetë mbështetëse e madhe dhe e fuqishme për Kosovën drejt anëtarësimit të saj në BE dhe në rrugën e saj euroatlantike.

Kështu deklaroi sot ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell në një konferencë për media pas takimit që kishte me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, raporton “zeri.info”.

LEXO EDHE: Hoxhaj: Nuk do të lë gurë pa lëvizur që ta rrisim sovranitetin e Kosovës (Video)

Sipas ambasadorit O’Connell, është në interes të Britanisë së Madhe që të bashkëpunoj me Kosovën në mënyrë që siç tha ai, të forcoj qeverisjen, sundimin e ligjit dhe të luftoj korrupsionin.

E në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se vendi ynë Britaninë e Madhe e sheh si një partner global në botë dhe se sipas tij, raporti i Kosovës me Brukselin ka qenë dhe mbetet një dimension i mbështetjes britanike, raporton “zeri.info”.

Sipas Hoxhajt, Kosova as marrëveshjen e MSA-së nuk do ta kishte arritur asnjëherë pa mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar.