Java vendimtare për demarkacionin

Aktuale July 12, 2016 - 08:16

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka marrë seriozisht mesazhet e ndihmëssekretares së Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, që para pushimeve të verës të kryhet çështja e demarkacionit. Kjo, pasi Qeveria në mbledhjen e parë të kësaj jave do ta procedojë për në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.  

Ndihmëssekretarja e Shtetit, Victoria Nuland, duket se i ka dhënë zor të madh Qeverisë që të përfundojnë çështjen e demarkacionit. Ajo dha mesazhe të qarta për Kosovën, duke i bërë me dije pasojat me të cilat mund të ballafaqohet vendi nëse vazhdohet me këtë qasje të politikës.

Deklaratat e Nuland-it kanë bërë që kjo javë të jetë vendimtare rreth përfundimit të çështjes së demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Qeveria e Kosovës, pritet që në mbledhjen e parë që do ta mbajë këtë javë ta procedojë për në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Ky hap i ekzekutivit vjen vetëm pak ditë pas vizitës së Nuland-it në Kosovë gjatë një turi në Ballkanin Perëndimor, e cila dha mesazhe të qarta që para pushimeve të verës duhet të përfundohet ky proces.

PDK-ja i merr seriozisht mesazhet e Nuland-it

Nënkryetari PDK-së, Hajredin Kuçi, duke përshëndetur vizitën e ndihmëssekretares së Shtetit, Victoria Nuland, theksoi se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të krijuar konsensus rreth zgjidhjes së çështjes së kufirit me Malin e Zi.

“Mesazhet e Victoria Nuland-it dhe të SHBA-ve i marrim seriozisht, por edhe interesin e Kosovës, kohezionin nacional i ruajmë çdo herë. Jam i bindur që nuk jemi në vija të kundërta, por në vija të njëjta. Do ta shfrytëzojmë çdo mundësi për ta krijuar konsensusin nacional, për ta respektuar Kushtetutën dhe ligjet tona”, ka thënë Kuçi.

Megjithatë, bashkëpartiaku i tij, Adem Grabovci, javë më parë pati thënë se me këtë Marrëveshje për Demarkacionin, Mali i Zi ka hyrë 5 kilometra brenda territorit të Kosovës.

Jemi pro zgjidhjes së demarkacionit, por pa u dëmtuar Kosova e Mali i Zi

Por, në anën tjetër opozita duket e humbur në rrugën e saj të kundërshtimit të demarkacionit me Malin e Zi. Derisa muaj më parë hodhën e gaz lotsjellës në Kuvend, e organizuan protesta masive jashtë tij, duke përjashtuar çdo mundësi të bisedimeve me pushtetin rreth kësaj çështjeje.

Por tani duket të kenë ndryshuar qasje, meqë nuk kanë treguar nëse do ta pengojnë ratifikimin e Marrëveshjes aktuale për Demarkacionin.

“Ne jemi dakord që Marrëveshja për Demarkacionin duhet përmbyllur sa më parë, por përmes saj nuk duhet dëmtuar as Kosova as Mali i Zi”, ka thënë për “Zërin”, deputetja e “Vetëvendosjes”, Donika Kadaj-Bujupi, e cila ka konfirmuar se do të jenë pjesë edhe e tryezës që e ka iniciuar deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, për të diskutuar rreth kufirit me Malin e Zi.

“Po, do të marrim pjesë edhe në tryezën e ftuar nga deputeti Shpejtim Bulliqi, sepse vlerësojmë çdo përpjekje për të ndalë këtë zvogëlim të territorit, pa përjashtuar mjete”, është shprehur ajo.

Ndërsa, partia tjetër opozitare, “Nisma për Kosovën” u ka bërë thirrje deputetëve të koalicionit të mos e japin votën pro kësaj Marrëveshjeje për Demarkacionin me Malin e Zi.

Shefja e grupit parlamentar të “Nisma për Kosovën”, Valdete Bajrami, ka thënë për “Zërin” se votimi i kësaj Marrëveshjeje shkon në dëm të territorit dhe sovranitetit të Kosovës.

“Sa i përket procedimit të demarkacionit nga ana e Qeverisë në Kuvend, shpresoj që të mos e sjellin, por në rast se e bëjnë, shpresoj te kolegët e pozitës të cilët ishin kundër kësaj Marrëveshjeje të mos e japin votën e tyre pro saj, pasi që e dimë se si mund ta ndryshojnë mendjen në moment të fundit, prandaj çdonjëri prej tyre duhet të jenë të vetëdijshëm se secila votë pro do të jetë në dëm të sovranitetit të shtetit tonë”, është shprehur deputetja Bajrami.

Kuvendi ta ratifikojë Marrëveshjen

Kurse, Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, konfirmon për gazetën “Zëri” se në mbledhjen e parë të ekzekutivit gjatë kësaj jave do ta procedojnë për në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin, meqë janë të bindur se është bërë punë e mirë dhe profesionale.

“Duke qenë konsekuent dhe parimor në qasjen tonë si Qeveri dhe të bindur se është bërë punë e mirë dhe profesionale rreth demarkacionit, ashtu sikundër kemi premtuar deri më tani, në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do ta marrim në shqyrtim në pikën e parë të rendit të ditës Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, ka thënë Abdullahu, i cili i ka bërë thirrje edhe legjislativit që ta ratifikojë këtë Marrëveshje, meqë është në të mirën e vendit dhe qytetarëve. “Rekomandimi ynë i fuqishëm për të gjithë është që kjo Marrëveshje të ratifikohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës sepse është në interesin nacional të vendit tonë, në të mirën e rrugëtimit tonë drejt integrimeve evropiane, në të mirë të normalizimit të raporteve me shtetin fqinj dhe në të mirë të kualitetit të jetës së qytetarëve tanë”, është shprehur Abdullahu.