Tryeza për demarkacionin brenda javës (Video)

Aktuale July 11, 2016 - 22:53

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Shpejtim Bulliqi shpreson se tryeza për demarkacionin me Malin e Zi do të caktohet gjatë kësaj jave nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës, para se marrëveshja të sillet në Kuvend.

Ai në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel, ka thënë se është momenti i fundit që të bëhet një rrugëzgjidhje e kësaj situate dhe shpreson që kjo tryezë do të organizohet brenda javës.

“Rregullorja e Kuvendit parasheh që me kërkesën e gjashtë deputetëve të iniciohet një çështje e tillë. Unë kam grumbulluar 24 nënshkrime nga deputetët e të gjitha subjekteve politike, përjashtuar partitë NISMA dhe AAK, të cilat vazhdojnë ta bojkotojnë punën e Kuvendit, por që jam i sigurt se edhe ata e kishin nënshkruar”, ka thënë Bulliqi në “Kontakt”.

Kërkesa e 24 deputeteve, sipas Bulliqit, e obligon komisionin shtetëror që të jetë pjesë e tryezës.

LEXO EDHE: Tryeza për demarkacionin e 'mbyllë' Murat Mehën (Video)

“Murat Meha është i obliguar që të vij dhe të raportojë para deputetëve të Kuvendit për punën ose mospunën që e ka bërë”, ka thënë deputeti.

“Në tryezë kemi paraparë që të jenë anëtarët e komisionit shtetëror, 6 ekspertët që e kanë kundërshtuar demarkacionin dhe punën e këtij komisioni dhe deputetë e Kuvendit që do të mund të jenë të involvuar për të bërë pyetje. Tryeza duhet të bëhet në Kuvendin e Kosovës nën pratronatin e Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë ai duke shtuar se esenca është që kjo tryezë të bëhet para së marrëveshja të vije në Kuvend.

I pyetur se a do të paraqet problem ratifikimi i marrëveshjes në Kuvendin e Malit të Zi, Bulliqi thotë se ratifikimi i njëanshëm nuk është çështje e mbyllur.

Ai thotë se përveç fakteve që kanë paraqitur deri më tani përgjatë një viti, në rast që organizohet kjo tryezë ai do të paraqes ekstra fakte e dëshmi që thonë se me këtë marrëveshje Kosova humbë territor.

Ai flet edhe për shqetësime tjera në rast që vendoset që me këtë metodologji (kadastër) të bëhet demarkimi i Kuvendit me Serbinë./Tribuna/