Afat deri në vjeshtë

Aktuale July 11, 2016 - 07:38

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ua ka rikujtuar liderëve shtetërorë luftën kundër krimit e korrupsionit, si dhe përfundimin e demarkacionit me Malin e Zi para pushimeve të verës, në mënyrë që të ecet përpara drejt integrimit evropian më së largu deri në vjeshtë. Nuland gjatë vizitës në Kosovë injoroi opozitën duke mos i takuar fare, derisa u takua me shoqërinë civile

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, u ka kërkuar liderëve institucionalë në Kosovë që para pushimeve të verës ta ratifikojnë Marrëveshjen me Malin e Zi.

Ajo ka thënë se vjeshta është afati i fundit kur Kosova duhet ta zërë momentin për integrim evropian.

“Zëri” merr vesh nga burimet e saj brenda takimit se Nuland ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, si dy liderët e partive në koalicionin qeverisës, që para pushimeve ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacion, ndërsa ka qenë e pakompromis në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos në nivel të lartë.

Pikërisht këto tri çështje, ngecjet në luftimin e korrupsionit, krimit dhe përfundimi i demarkacionit e kanë shtyrë diplomaten amerikane ta vizitojë të dielën Kosovën. 

“Nuland ua ka thënë qartë se SHBA-ja dëshiron rezultate konkrete të luftës ndaj korrupsionit të nivelit të lartë e jo vetëm fjalë. Po ashtu ajo ua ka bërë me dije se para pushimeve të verës Kuvendi duhet ta ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacion”, ka thënë ky burim.

Këto i konfirmoi edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili tha se zyrtarja e lartë amerikane gjatë takimeve me liderët shtetërorë dhe me shoqërinë civile kryetemë ishte lufta ndaj korrupsionit dhe integrimet evropiane.

Përfaqësuesja e lartë amerikane gjatë kësaj vizite anashkaloi takimin me liderët opozitarë, çka, sipas analistëve, ky është sinjal për opozitën që ta ndryshojë qasjen karshi politikës ndërkombëtare.

Thaçi i është zotuar Nulandit se shpejt do ta përfundojnë demarkacionin

Gjatë takimit që ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, pati me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, ky i fundit i është zotuar asaj se shumë shpejt do ta ratifikojnë në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacion.

“Demarkacioni me Malin e Zi duhet të miratohet nga Parlamenti sa më parë. Pa të drejtë është kthyer në një çështje politike që po dënon pa të drejtë qytetarët e Kosovës duke ua vonuar liberalizimin e vizave, por duke e vonuar edhe konsolidimin e shtetit”, ka thënë Thaçi.

I pari i shtetit po ashtu duke ju përgjigjur ndihmëssekretares Nuland për luftimin e korrupsionit ka thënë se është duke punuar që nga marrja e kreut të shtetit për dekriminalizimin e skenës politike.

“Tanimë është instaluar praktika që personat e dënuar apo të akuzuar të heqin dorë nga postet dhe detyrat politike në vend”, ka thënë Thaçi, sipas të cilit, po punohet në mënyrë që edhe të akuzuarit të mos i ikin përgjegjësisë dhe të marrin dënimin e merituar nga drejtësia.

Në takim me kreun e shtetit, Nuland i ka kërkuar Thaçit që drejtësia është prioritet për SHBA-në, derisa demarkacioni duhet të kryhet para vjeshtës.

“Drejtësia mbetet prioritet për SHBA-në. Është mirë që Kosova t’i bëjë hapat e nevojshëm para vjeshtës dhe kështu të ruajë momentumin e zhvillimeve pozitive”, është shprehur Nuland gjatë takimit me presidentin, Hashim Thaçi.

Mustafa siguron Nulandin se shpejt do ta përfundojnë demarkacionin

Mesazhet e njëjta ndihmëssekretarja e Shtetit, Victoria Nuland, ia ka përcjellë edhe kryeministrit Isa Mustafa gjatë takimit që pati me të.

Përfundimi i demarkacionit me Malin e Zi para vjeshtës, lufta kundër krimit dhe korrupsionit i janë kërkuar Mustafës nga Nuland që t’i ketë prioritet.

“Nuland ia ka kërkuar drejtpërdrejt kryeministrit Mustafa që të ketë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit e po ashtu edhe përfundimin e demarkacionit”, i ka thënë “Zërit” një burim i pranishëm në takimin e Mustafës me Nuland.

Ndërsa, në një komunikatë për medie të Zyrës së Kryeministrit thuhet se Mustafa ka siguruar Nulandin se shpejt do ta adresojnë çështjen e kufirit me Malin e Zi.

“Institucionet e Kosovës, duke u bazuar edhe në përkrahjen e ofruar nga SHBA-ja, do të adresojnë çështjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke i hapur udhë lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në vendet e BE-së”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Kryeministri Mustafa gjatë këtij takimi ka shprehur interesimin që të punohet në riformatimin e Qeverisë, i cili do të përfshijë zvogëlimin e kabinetit, përfshirjen e njerëzve të rinj, si dhe rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e proceseve reformuese.

Më tutje në komunikatën e Qeverisë thuhet se edhe Nuland i ka kërkuar Mustafës adresimin e demarkacionit.

“Ndihmëssekretarja amerikane theksoi rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektivës eurointegruese të Kosovës”, theksohet në komunikatën e Qeverisë.

Edhe Mustafës sekretarja Nuland i ka kërkuar që të punojë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Lufta ndaj korrupsionit e krimit, thelbësore për përparimin e Kosovës

Nuland ishte mysafire edhe e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, të cilit ia ka përkujtuar se e ardhmja e Kosovës varet nga lufta kundër korrupsionit, krimit dhe nga forcimi i sistemit të drejtësisë.

“Nuland theksoi se qeveria amerikane vazhdon të mbështesë fuqishëm Kosovën në ecjen e saj përpara. Në këtë kontekst ajo shtoi se forcimi i sundimit të ligjit, i sistemit të drejtësisë dhe luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar janë thelbësore për përparimin e Kosovës”, thuhet në një komunikatë të Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, theksoi se mbetet i përkushtuar tërësisht në agjendën e forcimit të shtetit ligjor në Kosovë, si dhe në reformat e domosdoshme institucionale që kanë të bëjnë me agjendën euroatlantike të vendit.

Opozita u anashkalua nga Nuland

Mirëpo, gjatë kësaj vizite njëditëshe të Victoria Nulandit u pa anashkalimi që zyrtarja e lartë amerikane ia bëri opozitës duke mos i takuar fare.

Mirëpo nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, nuk e sheh si anashkalim, përderisa SHBA-ja angazhohet që t’i tregojë këtij pushteti që ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Ne e çmojmë vizitën e Victoria Nulandit në Kosovë dhe angazhimin e SHBA-së që t’i bëjë vërejtje Qeverisë rreth luftës kundër korrupsionit dhe krimit. Nuk e konsiderojmë anashkalim mostakimin e liderëve opozitarë, e konsiderojmë angazhim të SHBA-së për t’i dhënë vërejtje Qeverisë së Kosovës për mosluftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Isufi për gazetën “Zëri”, i cili shtoi se nuk i di detajet se pse në agjendën e Nulandit nuk ka qenë takimi me liderët opozitarë.

Nuland i dha sinjal opozitës

Por anashkalimi nga takimi i Victoria Nuland për liderët opozitarë, sipas analistit politik Blerim Burjani, është sinjal për opozitën që ta ndërrojë qasjen në politikën ndërkombëtare.

“Ky është sinjal negativ për opozitën. Këtu është ideja që t’ia bëjë me dije opozitës me këtë variant, duke iu thënë se nuk e meritoni as vëmendjen tonë dhe është sinjali i fundit për këtë opozitë për të ndërruar qasje karshi politikës ndërkombëtare”, ka thënë Burjani për gazetën “Zëri”, ndonëse, sipas tij, është dashur që Nuland t’i takojë edhe liderët opozitarë në mënyrë që të marrë qëndrimet e tyre, pavarësisht se një pjesë e opozitës është problematike për politikën ndërkombëtare.