Opozita: Arsimi dështon edhe këtë vit

Aktuale June 27, 2016 - 07:50

Opozita kritikon Ministrinë e Arsimit për përmbylljen e një viti shkollor me mospërmbushje të premtimeve për ngritje të cilësisë. MASHT-i fton opozitën për kritika me alternativa konkrete

Opozita kosovare ka kritikuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për mospërmbushje të objektivave të saj në ngritjen e cilësisë në arsim.

Anëtarë të Komisionit Parlamentar që janë nga opozita kritikojnë ministrin, Arsim Bajrami, se nuk ka përmbushur premtimet e dhëna për përmirësim të cilësisë në arsim.

Ndërsa kabineti i ministrit, Arsim Bajrami, i ka quajtur të mirëseardhura kritikat, por jo siç janë shprehur zyrtarë të këtij dikasteri - boshe dhe të paargumentuara.

Ismajl Kurteshi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim nga radhët e LVV-së, ka thënë për gazetën se në muajin shtator ministri i Arsimit ka konstatuar se i kanë realizuar 10 objektiva.

“Diku në fillim të këtij viti (shkollor) në shtator ai ka ardhur (Komisioni) me konstatimin se i kanë realizuar 10 suksese që i kanë të përfunduara dhe një ndër to e ka përmendur cilësinë në arsim. Dhe kur diskutuam për cilësinë në arsim ai (ministri Bajrami) tha se jo nuk është një sukses i arritur, por është objektiv që do ta arrijmë gjatë vitit në vijim”, tha ai.

Mirëpo, Kurteshi thotë se edhe si objektiv mendon se është i dështuar sepse, sipas tij, me asgjë nuk është dëshmuar se cilësia në arsim gjatë këtij viti shkollor ka ndryshuar për të mirë në krahasim me vitet e tjera.

“Defektet janë ato që kanë qenë edhe përmes këtyre vlerësimeve të jashtme që janë bërë si në nivelin e përfundimit të shkollës fillore, të lartë dhe të mesme, po ashtu dhe në përfundimin e shkollës së mesme dhe provimin e maturës, ku vërtet nuk po arrihet që të vlerësohen nxënësit për atë që e dinë, por më mirë ‘gjeturia e tyre’ apo të themi kopjimi që po e bëjnë”, thotë Kurteshi.

Sipas tij, nuk është arritur ndonjë ngritje e cilësisë për arsye se nuk ka ndryshim as në tekstet shkollore.

“Madje as në mënyrën e mbajtjes së mësimit, as të ndonjë kontrolli apo mbikëqyrjeje të mësimdhënësve nga ana e inspektorëve të arsimit”, thotë Kurteshi duke shtuar se kjo është premtuar tek për vitin e ardhshëm se do të angazhohen më shumë inspektorë.

“Inspektorët i nevojiten arsimit dhe ata inspektorë që janë të zotë profesionalisht të vlerësojnë një mësimdhënës dhe jo vetëm një inspektor sa të shikojë nëse është plotësuar ora mësimore, pra vetëm pjesën administrative e shohin”, thotë Kurteshi.

Arsimimi duhet të jetë kryefjala e Qeverisë 

Teuta Haxhiu, nga AAK-ja në Komisionin Parlamentar për Arsim, thotë se është premtuar se kryefjala e punës në MASHT do të jetë ngritja e cilësisë në arsim, por, sipas saj, ky premtim tani është një dështim total.

“Vetë ministri jo vetëm që nuk ka ngritur cilësinë në arsim, por në fakt e ka degraduar dhe më tepër. Në qoftë se në shtetin shqiptar disa institucione private nuk ua ka pranuar ato diploma, as vetë Qeveria e Shqipërisë, në anën tjetër vetë ky ministër nxjerr vendim dhe të gjitha i akrediton dhe i bën konkurrente jo të mirëfillta të institucioneve tona në Republikën e Kosovës. Përkundrazi, nuk ka punuar dhe nuk ka respektuar as ligjin”.Ligji për Arsimin e Lartë asnjëherë nuk është respektuar nga ky ministër, ky vendim ka nxjerrë vendime dhe ka bërë sisteme paralele duke ia dhënë mundësinë që të punësojë njerëz që kanë kolegje private që ua ndalon Ligji për Arsimin e Lartë, ku thuhet se asnjë nga bartësit e arsimit të lartë nuk nxjerr mësimdhënës, kurse në anën tjetër ka mësimdhënës që janë prej kolegjeve private në arsim”, tha ajo.

Sipas saj, gjatë këtij viti shkollor ka pasur mjaft strategji, por punë praktike në ngritje të cilësisë jo.

“Deri sot nuk është bërë asgjë, përkundrazi. Jo të gjithë privatët janë të dobët, por duhet të bëhet filtrim i mirëfilltë i këtyre institucioneve të dihet se kush ka cilësi e kush jo”. Në arsimin parauniversitar, sipas Haxhiut, janë bërë dokumente e që madje nuk kanë munguar, mirëpo ngritja e cilësisë nuk ndodhi “sepse nuk ka investime”.

“Nuk ka instrument që shkon e sheh punën e mësimdhënësit brenda orës mësimore. Realiteti dhe dokumentet e shkruara janë diçka tjetër. Duhet brenda orës mësimore të monitorohet kush sa punon, punë në terren, nëpër klasa”, thotë Haxhiu, duke vlerësuar se me trajnime dhe vizita nuk bëhet ngritje e cilësisë.

Cilësia në arsim, prioritet i Ministrisë

Faton Fetahu nga kabineti i ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë se çështja e përmirësimit të cilësisë në arsim natyrisht se mbetet epiqendra e punës së ministrit Bajrami.

Ai u kundërpërgjigjet kritikave duke thënë se mjafton të shikohet raporti i punës së MASHT-it për vitin 2015, të cilin kjo Ministri e ka dërguar në Qeveri.

“Janë masa të prekshme dhe evidente. Të gjitha nivelet e arsimit kanë ndier ndryshimet dhe trendin pozitiv të përmirësimit të cilësisë”, thotë ai për gazetën.

“Kritikat e bazuara janë gjithmonë të mirëseardhura. Ato na ndihmojnë më tepër kur shoqërohen me alternativa konkrete për çështje konkrete dhe jo kritika boshe dhe të paargumentuara”, thotë Fetahu, duke shtuar se këtë vit ministri Bajrami është fokusuar plotësisht në orientimin dhe ndërlidhjen e arsimit parauniversitar dhe të lartë me nevojat e tregut të punës.

“Krijimin e skemave të veçanta të mësimit dual (teori dhe praktikë) mes shkollave dhe ndërmarrjeve. Procesi më i rëndësishëm i rishikimit dhe ndryshimit të Kornizës së Korrikulës së Arsimit Parauniversitar, përfundon gjatë muajit qershor, ndërsa tashmë (në pesëmujorin e këtij viti) ka përfunduar edhe procesi i korrigjimit dhe rishikimit të teksteve shkollore”, thotë Fetahu.

Ai thotë ministri Bajrami ditë më parë ka miratuar edhe Raportin e Punës së Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.