Ethet hemorragjike “pushojnë” në Malishevë

Aktuale June 27, 2016 - 07:47

Nuk ka raste të infektimeve me Ethe Hemorragjike Krime-Kongo, ndonëse nga paslufta kanë marrë jetën e 18 kosovarëve. 836 persona janë pickuar sivjet nga rriqrat, por asnjë prej tyre nuk është infektuar me Ethe Hemorragjike Krime-Kongo

Asnjë vdekje nuk është shënuar sivjet në Kosovë nga Ethet Hemorragjike Krime-Kongo, që zakonisht atakojnë komunën e Malishevës dhe disa fshatra të Klinës.

Zyrtarë të QKUK-së, por edhe ata të Komunës së Malishevës, janë të kënaqur që sivjet sezoni më i rrezikshëm ka kaluar pa vdekje. Por, jogjithë rreziku nga rriqrat është eliminuar.

Në QKUK infektologu, Arben Vishaj, që po e zëvendëson përkohësisht drejtorin e Klinikës Infektive, ka sqaruar se gjatë këtij viti ndihmë mjekësore kanë kërkuar 240 pacientë që kanë qenë të pickuar nga rriqrat.

Vetëm 10 për qind e tyre janë hospitalizuar.

“Nga 240 pacientët e pickuar nga rriqrat, 24 janë hospitaliazuar”, ka thënë doktori Vishaj.

Ai ka thënë se tek asnjë pacient nuk është konstatuar se ka prani të infeksionit me Krime-Kongo, pas analizave të bëra në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.  

Nuk ka raste të infektimeve me Ethe Hemorragjike Krime-Kongo

Edhe zyrtarët komunalë të Malishevës thonë se gjendja aktuale epidemiologjike në territorin e kësaj komune për dallim edhe prej viteve tjera paraqitet e qetë.

“Deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me Ethe Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK)”, ka thënë drejtori komunal për Shëndetësi, Hajdin Berisha.

Pavarësisht kësaj situate ai është zotuar se gjendja do të vazhdojë të jetë e mbikëqyrur rreptësishtë, duke iu përmbajtur udhëzimeve të dala nga strategjia për luftimin dhe parandalimin e EHKK-së, kurse faktorët që kanë ndikuar në këtë përmirësim të situatës, siç tha ai, janë fushatat e vazhdueshme vetëdijesuese, dezinsketimi dhe repelimi i kafshëve.

Berisha ka konfirmuar se deri më tani nuk ka asnjë rast të infektuar dhe ky është një lajm i mirë. “Jemi në vitin e dytë që nuk janë regjistruar raste të infektimit dhe shpresohet të përmbyllet viti i tretë radhazi pa raste të vdekjeve nga ethet hemorragjike”, ka thënë drejtori Berisha, që është edhe anëtar i Shtabit Kundër Etheve Hemorragjike Krime-Kongo.

Ai ka njoftuar se gjithsesi gjendja është duke u monitoruar në vazhdimësi. Ndërkohë, është shumëfish më i lartë numri i të pickuarve nga rriqrat në raport me ata persona që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK.

“Numri i thumbimeve ka arritur në 836 gjithsej, ku prej tyre 60 raste janë nga komunat tjera, si: Klina, Drenasi, Rahoveci, Suhareka”, ka thënë Hajdini.

Por më i madh është numri i rasteve të thumbuara në Malishevë, ku gjithsej u regjistruan 776 raste të prekura nga thumbimet e rriqrave.

“Përkundër rasteve të dyshimta, të cilat janë udhëzuar për në Klinikën Infektive, nuk është shënuar asnjë rast i prekur nga virusi i EHKK-së”, ka thënë Berisha.

Vetëdijesimi është rritur dhe kjo ndikon në përmirësimin e gjendjes

Sa i përket faktorëve që kanë mundur të ndikojnë në krijimin e kësaj situate të qetë, drejtori Berisha tha se në radhë të parë është vetëdijesimi i qytetarëve që është rritur përmes mbajtjes së ligjëratave, shpërndarjes së fletëpalosjeve, vendosjes së postierëve në vendet publike.

“Faktorë tjetër që kanë ndikuar janë aktivitetet e shumta si në dezinsektim të zonave endemike, pastaj aktiviteti i rebelimit të kafshëve, ku aktualisht jemi në përfundim të ciklit të tretë, si dhe masa tjera, si ngritja e nivelit të gatishmërisë në QKMF dhe të tjera”.

Drejtori Berisha ka thënë se masat që janë ndërmarrë deri më tani do të përforcohen edhe më tutje.

“Duhet të intensifikohet niveli i bashkëpunimit në mes të Komunës dhe nivelit qendror, duke aluduar në Këshillin Ndërministror për Parandalimin dhe Luftimin e EHKK-së, bashkëpunim i cili nuk ka munguar deri më tani, si dhe mund të ketë risi apo elemente të reja që mund të implementohen pasi që të jenë futur në Planin Strategjik për Parandalimin dhe Luftimin e EHKK-së”, ka thënë drejtori Berisha.

Anëtari i Shtabit Komunal për Parandalimin e EHKK-së ka thënë se pavarësisht kësaj situate të qetë, edhe për një kohë nuk do të lirohen nga kjo problematikë.

“Masat duhet të vazhdojnë të zbatohen me përpikëri”, është shprehur ai.

Ndryshe, që nga paslufta në Malishevë vdiqën 18 persona nga virusi i etheve hemorragjike.

Ndërsa viti më dramatik ishte 2013-a, kur nga 17 persona të infektuar, 6 prej tyre vdiqën.

Vitin e kaluar, fatmirësisht, asnjë person nuk ndërroi jetë nga kjo sëmundje edhe pse qindra persona u pickuan nga rriqrat.