Me protesta kundër kolonizimit

Aktuale June 27, 2016 - 07:45

Shqiptarët e pjesës jugore të Mitrovicës, si dhe ata në veri nuk i përjashtojnë protestat si masë për t’i parandaluar punimet në ndërtimin e vendbanimit të ashtuquajtur “Lugina e Diellit”, projekti më i madh që e ka financuar Serbia në Kosovë në periudhën e pasluftës. Serbët ua kanë bllokuar rrugën banorëve të lagjes “Kroi i Vitakut”

Shqiptarët e jugut, si dhe ata të veriut të Mitrovicës dhe të komunave Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, nuk e përjashtojnë fare mundësinë që me protesta ta parandalojnë ndërtimin e vendbanimit të të ashtuquajtur “Lugina e Diellit”, madje ata sigurojnë se ky ka mbetur mjeti i vetëm për të bllokuar kolonizimin e veriut të Kosovës që në fillim. “Këtë projekt kolonizues duhet mbajtur ‘në ajër’ me protesta” thonë ata.

Shqiptarët e veriut në anën tjetër shprehen të habitur se si asnjë subjekt politik nuk e ka marrë seriozisht një vendim konkret për ta parandaluar ndërtimin e vendbanimit, ndërsa siç thonë ata, tani merren vetëm me urën, ndërsa “Luginën e Diellit” as që e përmendin.

Mos u merrni me urën, por me kolonizimin!

“Ura është zero krahasuar me këtë projekt kolonizues të Serbisë në Kosovë”, vijojnë ata. Liridon Sahiti, student i Shkencave Politike, i ka thënë “Zërit” se sikur Qeveria e Kosovës ta fillonte një ndërtim të tillë, për shembull në Suhadoll, të gjithë serbët e veriut të Kosovës do të ngritshin në këmbë.

“Kjo që bën Serbia nuk është punë e vogël, nuk është punë për t’u përçmuar. Madje serbët thonë se në ndërtimin e këtij vendbanimi ka investuar edhe Kina me 2.5 milionë euro. Është dashur që në fillim të organizohemi si popull kundër këtij projekti famëkeq, me të cilin Kosova rrezikon të mbushet me serbë të të gjitha pjesëve të Serbisë, serbë të Kosovës do të ketë më së paku e shumë do të ketë edhe serbë të Kroacisë. Është kyfarë Lubim Mariq, i cili me çdo mënyrë përpiqet t’i sjellë në Kosovë refugjatët serbë të Kroacisë, siç është edhe vetë. Kështu që protesta ka mbetur mjeti i vetëm për ta luftuar jetësimin e këtij projekti famëkeq të Serbisë e i cili praktikisht synon ta gllabërojë veriun e Kosovës”, thotë Sahiti. Ai shton se me shokët e tij studentë e ka diskutuar mundësinë e protestave, ndërkohë i ka porositur të rinjtë shqiptarë dhe të tjerë që të jenë të gatshëm në çdo rast, sepse projektin duhet mbajtur “në ajër” derisa Serbia të tërhiqet.

Shqiptarëve u bllokohet rruga në lagjen “Kroi i Vitakut”

Gazeta ka mësuar se serbët e veriut të Mitrovicës ua kanë bllokuar rrugën banorëve të lagjes “Kroi i Vitakut” dhe tani ata nuk kanë nga ta transportojnë materialin ndërtimor deri te trojet e tyre, në të cilat gjithmonë kanë jetuar.

Atyre nuk u ka mbetur asgjë tjetër vetëm që të luftojnë vetë, pasi që edhe i pari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, siç thonë ata, e siç e përsërisin edhe dy subjektet politike të Mitrovicës, PDK-ja dhe Iniciative Qytetare për Veprim, një subjekt i ri, i cili është pothuajse i vetmi që ndërmerr masa konkrete.

Qytetarët e Mitrovicës nuk do të habiteshin sikur ky subjekt i vonë politik t’i organizojë protestat gjithëpopullore në Mitrovicë. Se serbët ua kanë mbyllur rrugën shqiptarëve të lagjes “Kroi i Vitakut” e që nuk kanë as nga të kalojnë, ndonëse me ngurrim, e thotë edhe një banor i asaj lagjeje, i cili që nga paslufta jeton me qira në jug të Mitrovicës. Ai thotë se opsionet që problemi me vendbanimin “Lugina e Diellit”, si dhe problemi me ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në atë lagje, tashmë janë harxhuar.

Shqiptarët në jug të Mitrovicës, por edhe subjektet politike kanë kërkuar edhe nga shteti i Kosovës që të ndërhyjë për ta ndaluar realizimin e këtij projekti, siç kanë përsëritur, kolonizues, nëse është nevoja edhe me forcë.

Shqiptarëve të lagjes “Kroi i Vitakut” u ka mbetur mundësia që edhe ata të fillojnë e t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre pa i pyetur autoritetet komunale të Mitrovicës, sikurse nuk ka pyetur as Serbia për projektin famëkeq për kolonizimin e veriut të Kosovës.

Prej mesit të vitit 2024 shqiptarët e lagjeve veriore nuk kanë ndërtuar asnjë shtëpi e as procesi i ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve, i mbështetur nga fondi “Ndihmo edhe ti”, nuk është realizuar.

Një gjë është e sigurt, situata në Mitrovicë mund të shpërthejë në çdo çast, pikërisht për shkak të këtij projekti, por edhe për shkak të urës.