Dalja e Britanisë nga BE-ja s’e rrezikon liberalizimin

Aktuale June 27, 2016 - 07:40

Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, si dhe paralajmërimi i disa shteteve tjera se do të veprojnë njëjtë, nuk do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës e as në procesin integrues. Sipas Qeverisë së Kosovës dhe ekspertëve të integrimit, liberalizimi do të ndodhë pas plotësimit të kritereve të mbetura

 

Qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të shqetësohen për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, meqë kjo nuk do të ndikojë aspak në procesin e liberalizimit të vizave e as në proceset tjera integruese. Kështu thonë profesorët e integrimeve evropiane, duke thënë se vetëm frika nga emigrantët mund ta penalizojë Kosovën nga liberalizimi i vizave edhe për qytetarët e saj.

As përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës nuk shohin rrezik që dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe paralajmërimi i disa shteteve të tjera se do ta bëjnë të njëjtën gjë do të stopojë procesin integrues që ka nisur Kosova.

Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, ka thënë për “Zërin” se ende është herët të flitet për pasojat që do të ketë dalja e Britanisë nga BE-ja, por, siç tha ai, nuk do të ndalen proceset integruese e as liberalizimi i vizave.

“Ende është herët të kemi një gjykim të drejtë dhe të saktë për pasojat e Brexit për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, por është inkurajuese deklarata e komisionarit Johanes Hahn tash së fundmi që zgjerimi do të vazhdojë”, ka thënë Ilazi.

Veç emigrantët mund ta penalizojnë Kosovën nga liberalizimi, asgjë tjetër

Profesori në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Vigan Qorrolli, thotë se dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja nuk mund të ndikojë në liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas tij, vendimmarrja në liberalizimin e vizave nuk do të ndryshojë, derisa Britania do të jetë edhe për dy vjetët e tjera anëtare e BE-së.

“Dinamikat e liberalizimit të vizave nuk varen nga një shtet, që është Britania e Madhe, por nga strategjia që varet nëse tash nga një politikë në rritje e të djathtës që po fuqizohet anti-emigrantëve. Turqia, Gjeorgjia, Ukraina, por edhe Kosova do të jenë në një pako dhe kjo varet vetëm nga dëshira e shteteve të BE-së, jo nga procedurat. Britania e Madhe tregoi mrekullisht se Evropa është e ngopur nga emigrantët. Frika nga ta mund ta penalizojë Kosovën për liberalizimin e vizave. Asgjë tjetër jo”, ka thënë Qorrolli.

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian pas rekomandimit të Komisionit Evropian, sipas profesorit Qorrolli, duhet që në bashkëvendimmarrje me Parlamentin, sipas formulës 55 për qind e shteteve që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë të vendosin për vizat.

“Britania e Madhe do të jetë deri në vitin 2018 anëtare fuqiplote e BE-së me të drejta të barabarta me 27 vendet e tjera”, thekson profesori Qorrolli.

Skeptik nëse Britania do të largohet nga BE-ja

Ndërsa, në anën tjetër profesori i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani, nuk beson se dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe kërcënimi i disa vendeve tjera për ndjekje të hapave britanikë mund të ndikojnë në rastin e Kosovës, përkatësisht në liberalizimin e vizave dhe në proceset tjera integruese.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të shqetësohen se liberalizimi i vizave mund të shtyhet për këtë arsye.

“Absolutisht jo, unë nuk e besoj që ka nevojë për t’u shqetësuar. BE-ja në bazë të deklarimeve të krerëve të saj, të cilët i bëjnë apel Britanisë sa më shpejt që të jetë e mundur ta lërë BE-në me qëllim që t’iu lënë vendeve tjera ta kryejnë punën dhe institucionet e BE-së ta kryejnë punën”, ka thënë Ujkani për “Zërin”, derisa ka shprehur skepticizmin e tij nëse vërtet Britania do ta zbatojë vendimin për dalje nga BE-ja.

“Jam prapë skeptik nëse Britania e Madhe do të largohet sepse përkundër një referendumi të tillë, sa do të jetë i zbatueshëm, sepse kemi reagimin e Skocisë e cila thotë se do të organizojë referendum tjetër për t’iu shkëputur Britanisë së Madhe dhe për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian”, thotë ai.

Profesori Ujkani nuk sheh rrezik që edhe shtetet tjera mund ta ndjekin rrugën e Britanisë, duke e parë zhgënjimin e vet këtij vendi për dalje nga familja evropiane.

“Edhe vetë britanikët janë të indinjuar me një veprim të tillë. Prandaj duke u nisur nga kjo nuk e besoj se do të flitet dhe do të ketë nevojë apo do të ketë tendenca që të organizohen referendume tjera, sepse nëse jo për asgjë tjetër janë interesat ekonomike që i lidhin vendet e BE-së, situata e sigurisë e shumë gjëra tjera”, është shprehur Ujkani, sipas të cilit është vështirë të parashihet diçka konkrete në këtë fazë, meqë kur po flasim vetë BE-ja ka një situatë të vështirë që të japë përgjigje adekuate se si do të orientohet.