EULEX-i, i nevojshëm

Aktuale June 19, 2016 - 08:09

Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) konsiderohet i nevojshëm për drejtësinë vendore, derisa kjo e fundit të zhvishet nga politika. Juristët kosovarë thonë se Kosova ende ka nevojë për praktikat e Bashkimit Evropian, prandaj votimi i ligjvënësve për t’ia vazhduar mandatin edhe për dy vjet vlerësohet i arsyeshëm

Pavarësisht dështimeve në shumë raste gjyqësore dhe “spektakleve mediale”, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) i duhet Kosovës, derisa sistemi vendor i drejtësisë të zhvishet nga politika.

Kështu mendojnë njohësit e ligjit, të cilët e vlerësojnë pozitiv vendimin e Kuvendit të Kosovës i cili me shumicë votash ia vazhdoi këtij misioni mandatin edhe për dy vjet, deri në verën e vitit 2018.

Edhe pse në të kaluarën zyrtarët e EULEX-it “kishin rrahur gjoks” se do t’i arrestojnë peshqit e mëdhenj që merren me korrupsion dhe krim të organizuar, kjo nuk ndodhi dhe EULEX-i më shumë u fokusua në gjykimin dhe dënimin për krime të luftës.

Sipas juristëve kosovarë, EULEX-i ka qenë relativisht i dobishëm për Kosovën dhe se ka ndërtuar deri diku një sistem efikas gjyqësor. Ndërsa thonë se në dy vjetët e ardhshme duhet që vendorët t’i marrin në duar të gjitha rastet e profilit të lartë.

Qorrolli: EULEX-i, i nevojshëm edhe më tutje

Profesori i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Vigan Qorrolli, ka thënë se Kosova ka nevojë për EULEX-in dhe se dobia e këtij misioni nuk duhet të shihet me inerci.

“Vazhdimi i mandatit të EULEX-it edhe për dy vjet të tjera nënkupton para së gjithash nevojën e Kosovës për këtë mision në fushën e sundimit të ligjit. Dobia e EULEX-it për popullin e Kosovës nuk duhet të shihet me inerci dhe me perceptim negativ - se gjithçka ka shkuar keq. Spektaklet mediale janë çështje e mërzitshme për publikun. Prandaj edhe jorrallë ky mision kryqëzohet se ka bërë punë jo sa duhet”, është shprehur Qorrolli.

Sipas tij, më e rëndësishmja është që me Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim (Neni 83 i saj), BE-ja dhe Kosova synojnë edhe më tej të bashkëpunojnë në forcimin e pavarësisë, paanshmërisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit në Kosovë dhe përmirësimin e efikasitetit të tij dhe gjithashtu rritjen në mënyrë efektive për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe terrorizmin.  

Qorrolli ka thënë se Bashkimi Evropian nuk dëshiron që misioni i tij në Kosovë të jetë mision i dështuar, prandaj sipas tij, interesi i përbashkët i Kosovës dhe i BE-së është që organet e ligjzbatimit të forcohen dhe Kosova të bëhet më e aftë në rrugën e gjatë, të mundimshme dhe shpeshherë të dhimbshme drejt integrimeve evropiane.

“Një mision ndërkombëtar për sundimin e ligjit çdoherë merr në konsiderim dy faktorë. I pari, lidhet me narracionin politik. Lejohet një dozë e eksperimentimit për t’i ruajtur hilet politike në vend për qëllime të stabilitetit. Këtë e ka bërë EULEX-i, i udhëhequr nga teknokratë evropianë, herë gjeneralë ushtrish e herë politikanë me përvojë, të cilët zakonisht kanë raportuar për gjendjen politike, por jo për idetë progresive që çojnë në fuqizimin e drejtësisë”, është shprehur Qorrolli, duke thënë se faktori i dytë që lidhet me aspektin e drejtësisë është udhëheqja hibride e këtyre institucioneve. Sipas tij, me status ligjor dhe financiar shumë më të lartë se vendorët, prokurorët dhe gjyqtarët e huaj kanë prodhuar më shumë psikologji për publikun sesa drejtësi.

“Megjithatë, duhet thënë se EULEX-i e ka realizuar premisën e parë, duke mos shkëlqyer në të dytën. Kualiteti i drejtësisë matet me aktgjykime e jo me aktakuza. EULEX-i ka rënë në batakun e aktakuzave dhe arrestimeve, por kur jemi tek aktgjykimet dënuese, ka ardhur në shprehje befasia në stilin e tyre të njohur – për provat e pambrojtshme. Kjo nënkupton që, aktakuzat janë ngritur mbi baza jo të mjaftueshme ligjore, të cilat gjyqtarët i rrëzojnë shumë lehtë”, ka shtuar Qorrolli, duke thënë se këto vendime patjetër që shfaqin një nivel të neglizhencës dhe pakujdesisë, që EULEX-i si çdo mision tjetër ndërkombëtar bën në përzgjedhjen e stafit të vet.

Pavarësisht kësaj, sipas Qorrollit, po të mos ishin prokurorët dhe gjyqtarët e huaj drejtësia në Kosovë (fatkeqësisht) do të mbetej e pakuptimtë!

Koci: EULEX-i, i dobishëm për Kosovën

Avokati, Arianit Koci, ka thënë se EULEX-i ka qenë i dobishëm për Kosovën, prandaj duhet të vazhdojë të qëndrojë edhe më tutje në Kosovë.

“Misioni i EULEX-it ka qenë i dobishëm për neve dhe ka ndërtuar deri diku një sistem efikas gjyqësor, prandaj mandati duhet të vazhdohet edhe për dy vjet. Këtë periudhë kohore duhet që ne, vendorët, të gjitha rastet e profilit të lartë t’i marrin në duart tona. Bërllokun tonë, nëse ka, duhet ta pastrojmë vetë”, ka vlerësuar Koci.

Ai më tej ka thënë se nuk duhet harruar faktin se kjo ndihmë bëhet me paratë e taksapaguesve të Bashkimit Evropian dhe se Kosova duhet të jetë falënderuese për këtë.

“Të mos harrojmë, kjo ndihmë që po na bëhet nga ana e Bashkimit Evropian paguhet prej taksapaguesve të tyre. Ky është rast unik që t’i marrim përvojat më të mira evropiane. Prandaj, ne duhet të jemi falënderues për këtë. Sidomos për faktin se ende kemi nevojë për përafrimin e ligjeve dhe sistemit gjyqësor me atë të BE-së”, ka shtuar Koci.

Megjithatë, ai ka thënë se ka qenë dhe është kritik për disa individë në kuadër të EULEX-it që nuk kanë qenë në nivel të detyrës. Sipas tij, pikërisht këta individë ia kanë zbehur imazhin këtij misioni.

Por, Koci konsideron se ky është problem i tyre dhe se institucionet e Kosovës duhet sa më shumë të punojmë në ngritjen e kapaciteteve gjyqësore. 

Avokati Koci më tej ka thënë se vazhdimi i mandatit të EULEX-it nuk ka lidhje me Gjykatën Speciale.

“A ka lidhje EULEX-i me Gjykatën Speciale? EULEX-i nuk ka të bëjë fare me Gjykatën Speciale. Mandati i EULEX-it dhe i Gjykatës Speciale janë të përcaktuara me ligje përkatëse. Ligji për Gjykatën Speciale e saktëson që kjo Gjykatë e ka policinë, prokurorinë dhe gjykatësit e vet. Madje, sipas nevojës, edhe Policia e Kosovës ka obligim ligjor që ta asistojë këtë strukturë. Prandaj, përsëris, mandati i EULEX-it nuk ka të bëjë fare me mandatin e Gjykatës Speciale”, ka theksuar Koci.

Gashi: EULEX-i, tetë vjet pa rezultate

Avokati, Tomë Gashi, ka thënë se faktikisht me votimin për formimin e Gjykatës Speciale është votuar edhe për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

“Në momentin që është votuar Gjykata Speciale nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ata me vetëdije apo pavetëdije faktikisht kanë votuar për vazhdimin e mandatit të EULEX-it qoftë me këtë emër apo me ndonjë tjetër, qoftë me këto kompetenca apo me kompetenca tjera”, ka vlerësuar Gashi, duke thënë se ajo Gjykatë shpreh mosbesim ndaj institucioneve të Kosovës siç janë: Prokuroria, Gjykata dhe Policia dhe kështu mandatit të EULEX-it do t’i vazhdohet mandati duke ruajtur kompetencat ekzekutive.

Gashi ka thënë se personalisht është kundër vazhdimit të mandatit të EULEX-it pasi, sipas tij, në këto 8 vjet sa ka qëndruar ky mision në Kosovë nuk ka treguar rezultate.

“Nuk kanë treguar kurrfarë rezultati për tetë vjet pas pavarësisë së Kosovës për sa janë ata këtu”, ka shtuar Gashi.

Rastet e mëdha të EULEX-it

Disa nga rastet më njohur të ngritura nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, janë: “Grupi i Llapit”, “Grupi i Drenicës 1 dhe 2”, “Rasti i Ministrisë së Transportit dhe Telekomit” dhe “Rasti i Azem Sylës”. Dy rastet e para janë gjykuar për “Krime lufte”, ndërsa dy të fundit për “Krim të organizuar dhe korrupsion”.

Në “Grupin e Llapit” u dënuan Latif Gashi, Nazif Mehmeti dhe Rrustem Mustafa. Në “Grupin e Drenicës 1 dhe 2” në mesin e të dënuarve janë ish-komandantët e UÇK-së, Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku. Rasti i “Drenicës” tani është duke e pritur verdiktin e Apelit.

Në “Rastin e Ministrisë së Transportit dhe Telekomit” është gjykuar edhe ish-ministri, Fatmir Limaj, por është shpallur i pafajshëm. Ndërsa tani është në proces “Rasti i Azem Sylës”.

Përndryshe, të premten Kuvendi i Kosovës ia ka vazhduar për dy vjet mandatin EULEX-it, pasi mandati i kaluar i kishte përfunduar më 14 qershor. 

Partnerët e koalicionit qeverisës PDK-LDK dhe minoritetet kanë mbështetur vazhdimin e mandatit të këtij misioni.

Ndërsa subjektet opozitare vazhdimisht e kanë kritikuar punën e EULEX-it dhe kanë kërkuar që të mos i vazhdohet mandati.