EULEX-it i vazhdohet mandati

Aktuale June 18, 2016 - 08:10

Ligjvënësit kosovarë, me dy të tretat e votave, ia kanë vazhduar mandatin Misioni të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) edhe për dy vitet e ardhshme, duke kërkuar nga hetuesit, gjyqtarët dhe prokurorët e këtij misioni, që t’i vënë në “target” kriminelët që i vranë shqiptarët në luftë, por edhe ata pas saj. Vazhdimi i mandatit të këtij misioni që është instaluar në Kosovë në vitin 2008, është mundësuar përmes dy projektligjeve, të cilat i kanë votuar 84 deputetë, ndërsa 6 ishin kundër.

Projektligjet për vazhdim e mandatit të EULEX-it janë trajtuar në procedurë të përshpejtuar në lexim të parë është miratuar dje në mesditë, ndërsa pas disa orësh është mbajtur një seancë e re në të cilën me 79 vota për është miratuar edhe në lexim të dytë. Kështu pas më shumë se 48 orësh pa mandat, EULEX-i tani ka mandat të ri dyvjeçar.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, duke i arsyetuar këto projektligje ka thënë se për mandatin dhe përgjegjësitë e EULEX-it është negociuar për disa muaj me zyrtarët e Bashkimit Evropian. Ndërsa qëllimi i vazhdimit të mandatit, sipas tij, ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve të Kosovës nga fusha e sundimit të ligjit dhe përafrimi me BE-në.

“Kemi pasur qëllim që në kuadër të ruajtjes së sovranitetit të kemi një sistem unik të drejtësisë, dhe besoj që kjo është e garantuar, përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët vendorë dhe ata të EULEX-it, të cilët do të kalojnë përmes procedurave të Këshillit Gjyqësor dhe me emërim nga presidenti i Republikës. Kemi pasur për qëllim që menaxhimi i institucioneve të drejtësisë të bëhet nga institucionet tona”, ka deklaruar Kuçi.

Veseli e Mustafa: EULEX-i forcon rendin dhe drejtësinë

Kurse, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka prezantuar edhe qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës për çështjen e mandatit të EULEX-it. Veseli ka thënë se ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën dhe se PDK-ja e mbështet vazhdimin e mandatit të këtij misioni.

“Është qëndrim i yni i përbashkët se duhet të kemi shtet ligjor, perspektivë ekonomike dhe të njëjtën kohë duhet të kemi integrim drejt Bashkimit Evropian. Ky është një vendim i fuqishëm pro partneritetit me Bashkimin Evropian, pro orientimit tonë drejt BE-së”, ka deklaruar ndër të tjera Veseli.
Më tej kreu i PDK-së i ka mohuar deklarimet se EULEX-i po fokusohet vetëm në luftimin e figurave të dala nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Veseli ka kërkuar të ndalen sulmet ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. “Është mirë që të ndalen sulmet ndaj UÇK-së. Le ta harrojnë të gjithë  matrapazët që dëshirojnë t’ua ulin kokën pjesëtarëve të UÇK-së. Secili le ta marrë përgjegjësinë e vet. Shumë ushtarë janë në një situatë shumë të vështirë ekonomike e tash ndotet edhe emri i tyre. Paragjykimet të ndalohen ndaj UÇK-së”, ka shtuar Veseli.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Isa Mustafa, njëherësh edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se EULEX-i do të ndihmojë në forcimin e rendit ligjor dhe drejtësisë në Kosovë. “Kemi vlerësuar se EULEX-i duhet të mbetet edhe më tutje në mënyrë që të vazhdojë me lëndët që i ka, sipas asaj që është përfshirë në këto ligje, në mënyrë që të tejkalojmë një zbrazëti juridike që mund të krijohet. Po ashtu, që të thellojmë bashkëpunim për të forcuar sistemin e drejtësisë në vend, për të forcuar shtetin ligjor, për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka potencuar Mustafa.

 “Vetëvendosja”: EULEX-i është neutral ndaj pavarësisë

Kundër vazhdimit të mandatit të EULEX-it është deklaruar Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila konsideron se ky mision ka dështuar. Shefi i grupit parlamentar të këtij subjekti, Glauk Konjufca, ka thënë se EULEX-i ka ndihmuar në pamundësimin e shtrirjes së sovranitetit në pjesën veriore të vendit dhe se i ka kontribuuar ndarjes etnike në Kosovë. Konjufca më tej ka thënë se megjithëse ky mision i BE-së ka ardhur për të luftuar krimin dhe korrupsionin, Kosova ndodhet para pengesave serioze për shtetin ligjor.

“EULEX-i erdhi për sundimin e ligjit në Kosovë si dhe për luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe tash tetë vjet pas, qëkur ka filluar të operojë në Kosovë, vendi ynë ndodhet para pengesave serioze në rrafshin e shtetit ligjor, si dhe me një korrupsion endemik, ashtu siç e quan Raporti i fundit i Progresit”, është shprehur Konjufca.

 BE-ja dhe SHBA-ja urojnë vazhdimin e mandatit

Zyra e BE-së në Kosovë dhe përfaqësitë diplomatike të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë e mirëpresin vendimin e Kuvendit të Kosovës për të zgjatur mandatin e EULEX-it për dy vjet. “Me mandatin e ri, Kosova do të jetë përgjegjëse për sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Autoritetet duhet ta shfrytëzojnë mandatin e ri për të vazhduar një tranzicion të qartë të zotërimit dhe përgjegjësisë nga EULEX-i në Kosovë. Meqë kjo do të marrë kohë, është e rëndësishme që ky ndryshim të jetë gradual, ashtu që të mos rrezikojë atë që është arritur në fushën e sundimit të ligjit deri më tani”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e tyre të përbashkët.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka mirëpritur këtë vendim të Kuvendit të Kosovës.

“Ky është një hap i rëndësishëm në qëllimin tonë të përbashkët të përmirësimit të sundimit të ligjit në Kosovë. Kjo marrëveshje do t’i mundësojë EULEX-it që të vazhdojë t’i ofrojë sektorit të drejtësisë kapacitet aty ku nevojitet, dhe që të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e aftësive vetjake. Qeveria e SHBA-ve mburret për faktin që do të vazhdojë të kontribuojë me personel për të zbatuar këtë mision të rëndësishëm”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve.