Kuçi fton deputetët t’i votojnë Projektligjet për mandatin e EULEX-it

Aktuale June 17, 2016 - 13:25

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi i ftoi deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.

Ai tha se qysh në 2015, Ministria e Drejtësisë në koordinim me institucionet vendore kanë  punuar për tranzicionin e EULEX-it, por deri në prill nuk kanë marrë përgjigje nga përfaqësuesit e BE-së.

Kuçi tregoi se nga muaji prill e këndej kanë filluar takimet me përfaqësuesit e BE-së për punën e EULEX-it në Kosovë.

Ai tha se më 15 qershor kanë marrë letrën nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, ndërsa sipas tij gjatë tërë procesit primare ka qenë ruajtja e partneritetit me BE-në dhe ruajtja e sovranitet për aq sa ka qenë e mundur.