Nuk ia falim tokën Manastirit

Aktuale June 17, 2016 - 08:13

Qindra qytetarë të Deçanit protestuan kundër marrjes së pronës shoqërore dhe private, si dhe kalimit të tyre nën juridiksionin e Manastirit të Deçanit me vendim të Kushtetueses. Ata e përcollën një mesazh tek institucionet: “Nuk do të zbatohet vendimi! Jemi kundër 60 mijë banorë!”

Në Ditën e Çlirimit të qytetit, qindra qytetarë të komunës së Deçanit, deputetë, përfaqësues komunalë, shoqëria civile..., në vend të festës, kanë protestuar kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ia fal pronat e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” Manastirit të Deçanit. Protestuesit kanë marshuar përgjatë rrugëve qendrore të kësaj qyteze, derisa janë ndalur para objektit të Komunës, ku kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, ka thënë se kjo Komunë nuk do t’ia falë 24 hektarë Manastirit të Deçanit, ashtu siç, sipas tij, pretendon Gjykata Kushtetuese.

“Komuna e Deçanit, tash e sa ditë, pas këtij vendimi, vazhdon ta kundërshtojë me të gjitha format atë. Jemi kundër këtij vendimi të padrejtë, të gjitha partitë politike, shoqëria civile, i madh e i vogël”.

Vendimi është i padrejtë

Selmanaj ka thënë se ky vendim përveç se është i padrejtë, është politik dhe diskriminues. “Gjykata e shtetit tonë – Gjykata Kushtetuese arrin të legjitimojë një vendim të Qeverisë së Serbisë të vitit 1997. Kjo është e patolerueshme”.

Ai ka thënë se ndërmarrjet publike “Apiko” dhe “Iliria” me përkrahjen e Komunës së Deçanit që nga viti 2000 deri më 2015 të paktën dy herë e kanë fituar betejën e drejtësisë në këtë kontest që nuk është dashur të jetë kontest. “Mirëpo, me përkrahjen e politikës që nga ai vit është ngritur si kontest ndërmjet ndërmarrjeve dhe Manastirit”, tha Selmanaj duke e quajtur absurd vendimin e Kushtetueses. “Ka pasur ndërhyrje politike dhe shkelje ligjore, duke bartur këtë lëndë herë në Pejë, më pas në Deçan dhe në ndërhyrjen e Gjykatës Speciale, ku shkalla e parë e kësaj gjykate merr vendim në favor të Manastirit. Ndërmarrjet dhe Komuna jemi ankuar…, dhe ndodh vendimi i shkallës së dytë thotë se Gjykata Speciale nuk është kompetente të merret me këtë lëndë, por duhet të kthehet në Gjykatën Komunale në Deçan. Por, prapë ndërhyn politika…, duke prekur interesat e qytetarëve të komunës së Deçanit dhe merr këtë vendim absurd”.

Selmanaj: 60 mijë banorë janë kundër Gjykatës

Selmanaj ka thënë se ky vendim i Gjykatës nuk do të zbatohet kurrë sepse 60 mijë banorë janë kundër këtij vendimi. “Ne nuk do ndalim kundërshtimin tonë deri në fund se jemi në të drejtën e ligjit, Zotit dhe për të cilën kanë rënë dëshmorët”, ka thënë ai duke theksuar se të enjten do të donin të festonin për çlirimin dhe jo të protestonin.

Kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan Selim Lokaj, ka thënë për “Zërin” se ndërtimi i Manastirit të Deçanit daton nga shekulli i 14-të. “Në vitin 1327 ka filluar dhe deri në 1333 është ndërtuar, apo më mirë të themi është rindërtuar sepse para se të jetë ky, ka qenë një manastir tjetër dhe ai është shkatërruar dhe rrafshuar me tokë me ardhjen e sllavëve, në këtë trevë. Me një motivacion se ata të cilët nuk janë të besimit ortodoks janë paganë dhe çdo gjë që është e tyre dhe personalitet i tyre duhet të asgjësohet. Dhe kjo vërtetohet në bazë të një Preambule të Kodit të Dushanit ku thotë: “Bëni përpjekje që priftërinjtë katolikë të kthehen në ortodoksë, nëse nuk kthehen prisni kokat e tyre, kurse objektet e tyre të rrafshohen dhe në themelet e tyre të ndërtohen të reja manastire”.

Ai thotë se ky Manastir nuk ka tiparet e një Manastiri të thjeshtë ortodoks. “Është një arkitekturë e përzier në mes të Kishës së Lindjes dhe të Kishës së Perëndimit. Është fakt e dinë dhe këta në Manastir, në një dokument që ata e mbajnë thuhet se: “Manastiri i Deçanit është ndërtuar në pronën e fisit shqiptar Kuqi, familjes Haka Kuqi. Kurse, Franjo Vito një mjeshtër po ashtu shqiptar që ka ardhur prej Kotorri me 200 mjeshtërit e tij e ndërtojnë Manastirin e Deçanit”. Lokaj thotë se kanë argumente dhe dokumente për qenësinë shqiptare shekullore të Manastirit. “Por, institucionet e Kosovës nuk duan fakte, udhëheqësit e institucioneve e kanë vetëm një qëllim në bazë të lëshimeve kaq të rënda ta ruajnë vetveten”. Ai thotë se si historian tragjedia më e madhe për popullin e Kosovës është udhëheqja që e kemi sot. “Ata gjykatës do të turpërohen, kjo është një tradhti jo individuale, por kombëtare”, ka thënë Lokaj.

Haxhiu: Protestat nuk do të ndalen

Teuta Haxhiu, deputete e Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se që nga mandati i kaluar ka ngritur këtë çështje në Kuvend, por sërish ka ardhur, sipas saj, te ky vendim i paligjshëm që prek interesat e qytetarëve të Deçanit dhe është i papranueshëm. “Është anomali e radhës që vjen nga një institucion që duhej të punonte në interesin e qytetareve të vendit. Kurse sot t’iu merren tokat deçanasve është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet”, ka thënë ajo për gazetën.

Mënyra e protestimit, sipas saj, do të vazhdojë dhe asnjëherë nuk do të ndalet. “Protesta duhet të ndërroj kahje të shkojmë dhe protestojmë para Manastirit, pa dashur të dëmtohet sepse ai është Manastiri ynë”. Ajo thotë se protestës në Deçan duhet t’i përgjigjen të gjitha komunat e Kosovës duke i dalë në përkrahje komunës së Deçanit.

Sipas saj, ky vendim nuk shkon as në interes të komunitetit serb, i cili po vihet në geto duke ndjekur politikën e Beogradit.