EULEX, në rrethana të jashtëzakonshme mund të iniciojë raste të reja

Aktuale June 16, 2016 - 13:15

Kuvendi i Kosovës është në pritje të procedimit të Projektligjit të ri për vazhdimin e mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX.

Për mandatin, kompetencat dhe përgjegjësitë e këtij misioni, është vendosur gjatë një procesi negocies ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian.

Çështja kryesore për të cilën është diskutuar, ishte nëse EULEX-it do t’i lejohen apo jo kompetenca ekzekutive për hapjen e rasteve të reja në kuadër të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

LEXO EDHE: Deputetët pajisen me projektligjin për EULEX-in (Foto)

Përderisa çështja tjetër, ajo e krimeve të luftës, tashmë besohet se mund të kaloj në kompetencë të Gjykatës Speciale.

Me Ligjin e ri, sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi është paraparë që në rrethanat e jashtëzakonshme, autoriteti kompetent i EULEX-it për arsye specifike të bazuara, mund të propozoj një rast të ri tek prokurori i EULEX-it.

“Por këtë do ta shqyrtoj një komision i përbërë nga kryeprokurori i shtetit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale dhe kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës do të vendos për këtë rast a do t’i bartet apo jo”, ka thënë Kuçi.

Sipas tij, ky është rezultat i marrëveshjes së arritur dhe reflekton edhe në letrat e shkëmbyera nga Presidenti Hashim Thaçi dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini.

Përveç zgjatjes së mandatit të EULEX-it deri më 15 qershor 2018, autoritetet e Kosovës janë pajtuar edhe për delegimin e autoritetit për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. /REL/