EULEX-i pa mandat, sot vendos Kuvendi

Aktuale June 16, 2016 - 08:15

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, ka hyrë në ditën e dytë me mandat të përfunduar, ndërsa po pret që Kuvendi i Kosovës t’ia vazhdojë mandatin deri më 14 qershor 2018.

BE-ja dhe Kosova tashmë kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, por kjo do të duhej të konfirmohej edhe përmes letërkëmbimit të përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në mënyrë që Qeveria ta procedonte këtë çështje në Kuvend.  

Kështu Qeveria e Kosovës gjatë të mërkurës ishte në pritje të këtij letërkëmbimi në mënyrë që ta procedojë këtë çështje për seancën e së enjtes në Kuvend për miratim, por pasi Mogherini edhe më tutje nuk i është përgjigjur Thaçit në letrën e dërguar, kjo çështje pritet të përfundohet sot (të enjten).

“Është arritur marrëveshja me EULEX-in. Sot presim ta marrim konfirmimin nga Brukseli, presim letërkëmbimin. Kur ta marrim, do ta mbajmë një mbledhje pasdite për ta miratuar ligjin në procedurë të rregullt. Mendojmë që nesër t’ia procedojmë Kuvendit për shqyrtim dhe aprovim”, ka theksuar Mustafa.

Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se kjo çështje do të shtohet si pikë në rendin e ditës së seancës së të enjtes.

“Presim që nesër në seancën e rregullt Qeveria t’i propozojë Kuvendit ta shtojë për pikë të rendit të ditës që të vazhdohet mandati i EULEX-it edhe për dy vjet të tjera”, ka potencuar Kuçi.

Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Zgjim Hyseni, ka thënë se EULEX-i nuk u ka përmbushur asnjërën nga dy objektivat që kishte: luftimin e krimit dhe korrupsionit, si dhe forcimin e sistemit vendor të drejtësisë. Prandaj ai ka bërë të ditur se ky subjekt politik do të votojë kundër vazhdimit të mandatit të EULEX-it.

“Për këto dhe arsye të tjera, Lëvizja ‘Vetëvendosje’ do të votojë kundër vazhdimit të mandatit të EULEX-it dhe ne e konsiderojmë të papranueshme dhe heqje dorë nga drejtësia, faktin që ekziston ky insistim kaq i madh për vazhdimin e këtij misioni”, ka deklaruar Hyseni.

Madje, sipas tij, EULEX-i u shërben si alibi për mungesën e përgjegjësisë.

“Institucionet e Kosovës kanë nevojë për EULEX-in sepse autoriteti ekzekutiv i tij u shërben atyre si alibi për mungesën e përgjegjësisë, kurse EULEX-i e do Kosovën pafundësisht me krim e korrupsion sepse kështu ndërtohet justifikimi për t’ia zgjatur vetes jetën”, ka shtuar Hyseni.

Kurse, drejtori i Departamentit për Drejtësi në AAK, Riza Smaka, ka thënë se mënyra se si po i vazhdohet mandati misionit të EULEX-it përbën shkelje të Kushtetutës.

“Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa zakonisht e shkel Kushtetutën, e neglizhon atë. Nuk mundet që me disa letra ta vazhdojë mandatin e EULEX-it, por duhet të ketë marrëveshje ndërkombëtare siç përcaktohet në Kushtetutë, e më pas marrëveshja duhet të ratifikohet në Kuvend. Nuk e kam të qartë se si funksionon kjo Qeveri, a ka këshilltar, apo nuk i dëgjon ata”, është shprehur Smaka duke thënë se marrëveshja e ka karakterin e ligjit special, gjë që, sipas tij, nuk e ka letërkëmbimi.

Ai më tej ka thënë se deputetët duhet ta kenë para vetes tekstin e marrëveshjes dhe do të duhej që në komisionet funksionale të shqyrtohet kjo e të mos bëhet në këtë formë. Smaka gjithashtu ka thënë se duhet të mësohemi të punojmë sipas Kushtetutës.

Në Projektligjin për Vazhdimin e Mandatit të EULEX-it të përgatitur nga Qeveria e Kosovës, hiqen disa nga kompetencat ekzekutive, të cilat i ka pasur ky mision deri tani. 

Me Projektligjin për Vazhdimin Mandatit të EULEX-it, të përgatitur nga Qeveria e Kosovës por që u kundërshtua nga BE-ja, parashihej që ky mision të ketë vetëm kompetenca monitoruese, këshilluese dhe mentoruese, duke ia pamundësuar kështu që t’i hapë rastet e reja që kanë të bëjnë me krimet e luftës dhe korrupsionin, para se ato t’i fillojë Prokuroria e Shtetit.