Mospajtime për kompetencat e EULEX-it

Aktuale June 15, 2016 - 08:08

Autoritetet e Kosovës dhe ato të Bashkimit Evropian, gjatë gjithë ditës së djeshme, nuk kanë gjetur konsensus rreth kompetencave që do t’i ketë EULEX-i gjatë dy viteve të ardhshme. Megjithatë, dy palët janë pajtuar që këtij misioni t’i vazhdohet mandati deri më 2018. BE-ja ka ndarë edhe buxhet për misionin në Kosovë

Nëse ligjvënësit kosovarë nuk arrijnë që me dy të tretat e votave t’ia vazhdojnë mandatin EULEX-it (Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit) edhe për dy vjetët e ardhshëm, atëherë ky mision i BE-së nga dita e nesërme do të mbetet pa kompetenca juridike dhe pa të drejtë të marrë vendime gjyqësore. Kjo për faktin se EULEX-it i skadon mandati ligjor në mesnatë, ndërsa institucionet e vendit gjatë gjithë ditës së djeshme kanë negociuar me zyrtarët e BE-së, se si do të duket ky mision në të ardhmen. Mospajtimet kanë ndodhur pasi Qeveria e Kosovës pretendonte t’ia shkurtojë kompetencat këtij misioni, ndërsa përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë kërkuar kompetenca të njëjta.

Pasditen e së martës institucionet e Bashkimit Evropian kanë marrë vendim për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe në këtë formë i është hapur rruga përfaqësueses së lartë të BE-së,Federica Mogherini, për t’iu përgjigjur presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në letrën në të cilën ky i fundit shprehte gatishmërinë e institucioneve të vendit për t’ia vazhduar mandatin EULEX-it edhe për dy vjet të tjera.​(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Zëri)