Brukseli miraton zgjatjen e mandatit dhe buxhetin e EULEX-it

Aktuale June 14, 2016 - 22:34
Këshilli i Bashkimit Evropian, përmes një deklarate për media ka njoftuar për vendimin e zgjatjes së mandatit të misionit për sundim të ligjit, EULEX në Kosovë.

Ky këshill njofton se po ashtu është miratuar edhe buxheti i ri i misionit të sundimit të ligjit EULEX, shkruan lajmi.net.

Qeveria e Kosovës dje miratoi projektligjin, përmes së cilit, EULEX-i do të qëndrojë në Kosovë edhe për dy vjet, për të mbështetur dhe asistuar institucioneve kosovare, në fushën e sundimit të ligjit.

“Më 14 qershor 2016, Këshilli ka zgjatur mandatin e misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX) deri më 14 qershor 2018. Këshilli po ashtu ka miratuar buxhetin për këtë mision në vlerë prej 63,6 milionë eurosh, të cilat janë të caktuara për periudhën 15 qershor 2016 deri 14 dhjetor 2016 për operacioniet në Kosovë dhe deri më 14 qershor 2017 për dhomat e specializuara dhe për zyrën e specializuar të prokurorisë”, thuhet në komunikatë, transmeton lajmi.net.

“Buxheti i miratuar do të mbulojë shpenzimet e EULEX-it në Kosovë, që janë të nevojshme për zbatimin e mandatit të tij në Kosovë në një nivel prej 34,5 milionë euro. 29,1 milionë euro i janë ndarë dhomave të specializuara dhe zyrës së specializuar të prokurorisë”.

“Qëllimi kryesor i misioni civil të EULEX-it në Kosovë është që të ndihmojë dhe të mbështesë autoritetet kosovare në fushën e sundimit të ligjit, veçanërisht në fushën e policisë, gjyqësisë dhe doganave”, thuhet në fund të komunikatës së Këshillit të BE-së.

Misioni i EULEX-it, në Kosovë ka filluar punën në vitin 2008