Qeveria procedon në Kuvend vazhdimin e mandatit të EULEX-it

Aktuale June 13, 2016 - 18:56

Qeveria e Kosovës ka proceduar në propozimin për miratimin e vazhdimit të mandatit të EULEX-it edhe për dy vitet e ardhshme.

Kjo u bë në mbledhjen urgjente të Qeverisë që nisi pak pas orës 18:00, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

“Ju e dini që të premten kemi miratuar një draft ligj i cili ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare dhe kemi pasur për bazë letrën e presidentit të Republikës dërguar zonjës Mogherini. Në mungesë të një përgjigje tani ka nevojë që ky ligj të modifikohet dhe të quhet Ligji për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Arsyeja kryesore është që tani jemi në ditët e fundit të përfundimit të mandatit aktual të EULEX-it dhe me qëllim të tregimit të përkushtimit tonë për Misionin e EULEX-it në Kosovë dhe rritjen e kapaciteteve tona për rend dhe ligj si dhe për të shprehur gatishmërinë për të vazhduar mandatin e tyre në Kosovë edhe për dy vjet, propozoj që ta miratojmë këtë projektligj dhe ta dërgojmë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kuçi, transmeton "zeri.info".

Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa, tha se arsyetimet janë dhënë nga zëvendëskryeministri Kuçi, për ndryshimet që janë dashur të bëhen në mënyrë që të procedohet në Kuvend.

“Do ta procedojmë sonte, në mënyrë që të sigurojmë që mbledhja e Kuvendit të thirret para skadimit të mandatit të EULEX-it dhe vendimi i Kuvendit të merret po ashtu para skadimit të mandatit”, ka thënë kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa.

Qeveria, tash i hap rrugë Kuvendit që të thirrë seancë apo ta fusë në rend të ditës për të enjten miratimin e vazhdimit të mandatit të EULEX-it. 

Për tu miratuar miratuar dy vite tjera mandat për këtë mision ndërkombëtarë do të duhen votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendi të Kosovës.

Mandati aktual i EULEX skadon me 13 qershor, pas mesnate. 

Image