Dy fëmijë të tjerë në Prizren u rrezikuan nga shembja

Aktuale June 07, 2016 - 19:24

Rreth dhjetë muaj më parë kishte rënë fasada e objektit të vjetër që ndodhet pranë Kishës Katolike dhe kishte rrezikuar jetën e dy fëmijëve

Janë disa objekte që vlerësohen të trashëgimisë kulturore, që nuk janë restauruar dhe ndodhen buzë përmbysjes, e po rrezikojnë jetën e banorëve në Prizren. Një objekt që po rrezikon jetën e nxënësve është edhe ai që ndodhet në oborrin e Kishës Katolike në Prizren, pranë rrugës ku kalojnë kalimtarët. Ky objekt as nuk është restauruar dhe as nuk është rrënuar. Vitin e kaluar dy fëmijë kanë pësuar nga rrëzimi i fasadës së këtij objekti. Kërkesa të panumërta ka adresuar Kisha Katolike në Prizren tek komuna e Prizrenit, por edhe tek Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve në Prishtinë për restaurim ose rrëzim të objektit duke alarmuar rrezikshmërinë e e jetës së qytetarëve.

Don Shan Zefi, përfaqësues i Kishës Katolike në Prizren ka rrëfyer për “Zërin” sesi vitin e kaluar një veturë me dy prindër dhe dy fëmijë në të, për pak sa nuk u bënë viktima të objektit të vjetër.  “Përmbi veturën e tipit golf ka rënë fasada e objektit. Anëtarët e familjes që ndodheshin në të sidomos dy fëmijët janë dërguar në spital, por kanë shpëtuar pa pasoja”. Ai ka treguar për “Zërin” se edhe para 15 marsit i është drejtuar Komunës së Prizrenit duke kërkuar që të gjendet një zgjidhje reale për këtë monument të trashëgimisë kulturore.  “Ne nuk mbajmë përgjegjësi penale. Kisha nuk përmban asnjë përgjegjësi penale dhe as juridike nëse do të ndodhë që kalimtarët e rastit të rrezikohen nga shembja e objektit, me kohë kemi njoftuar gjitha organet kompetente”. Ai ka thënë se pranë këtij objekti ka shumë lëvizje për shkak se në afërsi është dhe shkolla.

“Në oborr të kishës është një objekt i vjetër dhe është demoluar plotësisht. Pas viteve 99-në dhe këndej gjithnjë dhe më shumë ka ardhur deri tek shkatërrimi i plotë. Është krejtësisht i paqëndrueshëm nga pikëpamja statike. Aty kanë banuar shumë njerëz të rasteve që e kanë shfrytëzuar dhe fatkeqësisht ka ndodhur që ka pasur dhe zjarr kur kulmi i saj është djegur”. Ai ka thënë se ka një vit që zyrtarisht kanë kërkuar për zgjidhje të përshtatshme.

“Madje, kemi paraqitur gjendjen gjithashtu dhe në 2012-në,  kërkesën që aty duhet të jetë kompleksi shkollor, edhe pse e ka aprovuar autoriteti komunal, ka qenë gjithashtu dhe BE-ja që ka pranuar projektin si kompleks shkollor...”. Pasi kjo nuk ndodhi, restaurimi po ashtu jo, gjendja objektit sipas  Don Shan Zefit nuk ka zgjidhje tjetër përpos të rrënohet, për çka thotë se ka marrë dhe pëlqimin inxhinierëve bazuar në ekspertizën e bërë. “Kemi një grup që ka verifikuar gjendjen se tashmë ky objekt nuk mund të restaurohet, prandaj këmbëngulësia e tyre me çdo kusht për restaurim nuk di ku është interesi i tyre”, thotë Don Shan Zefi. Dy muaj më parë Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit ka kërkuar nga MKRS dhe Kuvendi Komunal i Prizrenit të themelojnë një fond emergjent me karakter shpëtimi për riparim të dëmeve dhe ndërhyrjen në të gjitha objektet që janë të rrezikuara nga shembja për të parandaluar shkatërrimin e mëtutjeshëm të Qendrës Historike të Prizrenit.

Arbnor Morina, kryetar i Këshillit për Qendrën Historike të Prizrenit ka thënë se ka mbi dy muaj që ky këshill ka tërhequr vërejtjen për shkallën e rrezikshmërisë së objekteve të vjetra. Ai thotë se është urgjente që të ndërhyhet nga shteti sepse ka dhe objekte të tjera të tilla që mund të sjellin viktima. “Një ditë apo dy po ra shi pa ndërprerë, këto objekte mund të rrezikojnë jetën e dikujt sepse janë të paqëndrueshme”, ka bërë thirrje Morina.  Më 09 prill të këtij viti Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit ka reaguar duke akuzuar institucionet për dështime të vazhdueshme për t’i mbrojtur objektet në Qendrën Historike të Prizrenit që janë në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, e që kanë çuar në degradimin sistematik të Qendrës Historike të Prizrenit, me një theks të veçantë në kompleksin e Kishës Katolike.

Ndërkaq, në mbrëmjen e së hënës është mbajtur një takim mes Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prizrenit, i thirrur urgjentisht pas ngjarjes tragjike, ku si pasojë e shembjes së murit të një shtëpie të vjetër në qendër të Prizrenit, ka humbur jetën një fëmijë 3-vjeçare. Për media pjesëtarë të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS kanë thënë se takimi që ka përfunduar në orën 22:45 ka rezultuar me kërkesën për demolim të shtëpive të vjetra, në rrugën “Marin Barleti”. Por, MKRS nuk ka pranuar demolimin e shtëpive të vjetra në rrugën Marin Barleti. Gjatë ditës nuk ka pasur asnjë njoftim për media nga kjo ministri lidhur me ngjarjen./ZËRI