Vazhdojnë reagimet për vdekjen tragjike të 3-vjeçares në Prizren

Aktuale June 07, 2016 - 15:58

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF, i cili përfaqëson njëzet e dy organizata jo qeveritare, shpreh ngushëllime familjes për humbjen e vajzës 3 -vjeçare në Komunën e Prizrenit dhe uron shërim të shpejtë për vajzën e lënduar dhe familjarët tjerë si pasojë e shembjes së murit të shtëpisë në rrugën “Marin Barleti” në Qendrën Historike në Komunën e Prizrenit. 

Fillimisht KOMF kërkon nga Qendra për Punë Sociale, Drejtorati për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit dhe institucionet tjera komunale që nënës dhe fëmijëve të tjerë t’i ofrohet strehim i sigurt, mbrojtje dhe të gjitha shërbimet e tjera të nevojshme.

KOMF thekson se dështimi i institucioneve lokale dhe qendrore të shtetit në përmbushjen e obligimeve ligjore që të garantojnë ambient të sigurt dhe mbrojtje për qytetarët e tyre, sjell situata ku fëmijët humbin jetën dhe rrezikojnë shëndetin.

Humbja e jetës së fëmijës dhe rrezikimi i anëtarëve të tjerë të familjes është një fakt para të cilit nuk duhet dhe as mund të heshtim assesi shoqëria dhe në veçanti, institucionet relevante përgjegjëse për zbatimin e ligjit, në këtë rast Prokuroria e Shtetit. Identifikimi i autoriteteve përgjegjëse dhe ndërmarrja e të gjitha masave është i domosdoshëm për të kërkuar përgjegjësinë ndaj shkelësve dhe për të siguruar se situata të tilla të mos përsëriten dhe fëmijët të rriten në mjedise të sigurta që nuk e cenojnë sigurinë fizike të tyre.

KOMF, kërkon nga Prokuroria Themelore në Prizren, që konform Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale, të fillojë hetimet për zbardhjen e rastit në fjalë dhe procedimin e mëtejmë penal, për të vërtetuar përgjegjësit që kanë dështuar të përmbushin detyrimet ligjore.

KOMF gjithashtu njofton se tashmë i është drejtuar Prokurorisë Themelore në Prizren me kërkesën për inicimin e hetimeve për zbardhjen e rastit.

Kjo ngjarje tregon për nivelin e rrezikut të jetës për shumë qytetarë të tjerë. KOMF u bën thirrje të gjitha komunave të Kosovës dhe nivelit qendror, të marrin të gjitha masat për të siguruar ambient të sigurtë për qytetarët e saj./lajmi.net