VV kërkon procedurë penale ndaj zyrtarëve lidhur me tragjedinë e djshme në Prizren

Aktuale June 07, 2016 - 13:28

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prizren, ka reaguar sërish për tragjedinë e djeshme në Qendrën Historike të Prizrenit, ku pas shembjes së një shtëpie humbi jetën një fëmijë tre vjeç.

Duke kërkuar përgjegjësi penale ndaj zyrtarëve, që sipas Vetëvendosjes, me mosveprimin e tyre privuan nga jeta një vajzë të pafajshme, partia ka ngushëlluar familjarët e vajzës që përfundoi fatalisht.

Reagimi i plotë i Vetëvendosjes:

Edhe një ditë pas tragjedisë në Qendrën Historike të Prizrenit ku humbi jetën vajza tre vjeçare dhe u lënduan dy të tjerë nuk ka asnjë llogaridhënie, shkarkim, apo marrje të përgjegjësisë. Ngjarja e djeshme në Prizren trondit ndërgjegjen e secilit qytetar, në veçanti kur është pasojë e papërgjegjësisë totale të institucioneve dhe neglizhencës së tyre për t’i përmbushur detyrimet ligjore.

Komuna e Prizrenit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe anëtarët tjerë të Task Forcës për Qendrën Historike të Prizrenit në vazhdimësi kanë qenë të njoftuar me rrezik un dhe domosdoshmërinë e intervenimit të menjëhershëm në Zonën Historike. Kuvendi Komunal i Prizrenit ne vitin e kaluar ka ndarë mjete për sanimin e rrezikut që paraqesin objektet e zonës. Mirëpo ky intervenim nuk ka ndodhë asnjëherë dhe askush nuk e dinë se ku kanë shkuar ato mjete. Këto parregullsi dhe shpërfillje që marrin jetë njerëzish janë të papranueshme dhe patolerueshme. Ky është kulmi i degradimit të pushtetit dhe duhet të marrë fund menjëherë.

Lëvizja VETËVENDOSJE shpreh ngushëllimet me të sinqerta familjarëve që humbën vajzën e tyre dhe kërkon nga organet kompetente fillimin e procedurës penale ndaj të gjithë zyrtarëve qe me mosveprimin e tyre privuan nga jeta një vajzë të pafajshme.