Thaçi: Bashkëpunimi rajonal, ndihmë për anëtarësim në NATO dhe BE
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vendet e rajonit duhet të përkrahin njëra-tjetrën dhe të ndërtojnë një të ardhme ku të gjithë janë të barabartë, në mënyrë që sipas tij, sa më parë të bëhen pjesë e NATO-s dhe BE-së.
Në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Thaçi ka shkruar se vendet e rajonit të Ballkanit, duhet të kenë bashkëpunim, në mënyrë që të përballen me sfidat dhe kërcënimet e rajonit, përcjell “zeri.info”.
Postimi i plotë i Thaçit:
Dialogu, pajtimi, mirëbesimi, miqësia dhe bashkëpunimi dhe në fund integrimi janë e ardhmja e rajonit tonë.
Duhet të përkrahim sinqerisht njëri-tjetrin që të ndërtojmë një të ardhme në të cilën të gjithë do të jemi të barabartë dhe do të punojmë së bashku, që sa më parë të bëhemi pjesë e NATO-s dhe e BE-së.
Por, do të bashkëpunojmë që së bashku të përballemi me sfidat dhe kërcënimet për rajonin tonë.
Për këto u pajtuam sot në Sarajevë, në kuadër të Samitit Brdo-Brijuni, ne liderët e Kosovës, Shqipërisë, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje e Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Sarajeva është vend i duhur të kujtojmë se çfarë dhembje dhe shkatërrimi sjellin armiqësitë, dhuna, radikalizmi dhe ekstremizmi i çfarëdo lloji. Prandaj, duhet të ndërtojmë një të ardhme të re, në të cilën të gjithë do të jetojmë në prosperitet dhe dinjitet. HTH