Abdullahu: Emërimet në Qeveri posa të zyrtarizohen nga PDK-ja

Aktuale May 29, 2016 - 18:12

Për udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës propozimet e PDK’së për pozitat e reja në Qeveri ende nuk janë zyrtare. Zëdhënësi Faton Abdullahu ka thënë se posa të zyrtarizohen propozimet do të ndodhin edhe emërimi. Ndërkohë, në PDK kanë thënë se janë në pritje të vendimit të Kryeministrit.

Kryeministri Isa Mustafa ende nuk i ka propozimet zyrtare për emrat e rinj të PDK’së që do të bëhen pjesë e Qeverisë së Kosovës.

Kjo është bërë e ditur nga Zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu. Ai ka thënë se posa propozimet të zyrtarizohen do të ndodh edhe emërimi.

“Ne kohen kur ato propozime do te bëhen zyrtare per to do te vendoset gjithsesi menjëherë”, ka thënë Abdullahu, për Express, të dielën.

Ndërkohë, zyrtarët e PDK’së janë deklaruar se propozimet që Gani Koci të jetë Ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi Zëvendëskryeministër e Enver Hoxhaj Ministër i Jashtëm janë dërguar në Qeveri.

Mirëpo, burime të Express, kanë treguar se problemi i bllokadës së emërimit të emrave të rinj që do të jenë pjesë e Ekzekutivit janë te Gani Koci. Sipas të njëjtave burime, ndërkombëtarët  nuk janë pajtuar që një pozitë kaq e rëndësishme në Qeveri të udhëhiqet nga Koci.

Sidoqoftë, Zëdhënësi i Qeverisë ka thënë se të gjitha ndryshimet në Qeveri do të bëhen në koordinim të plotë ndërmjet partnerëve të koalicionit.

“Çfarëdo ndryshime që do të ndodhin në këtë aspekt ato do të jenë të determinuara nga performanca e digastereve përkatëse qeverisëse. Për të qenë kështu kjo performancë përcillet vazhdimisht për ta pasur më lehtë dhe më të drejtë vendimin për ndryshime. Ajo që gjithashtu është e rëndësishme është se të gjitha plotësimet apo ndryshimet do të vijnë pas konsultave dhe koordinancës së plotë ndërmjet partnerëve aktual të koalicionit”, ka thënë Abdullahu.

Aktualisht, pozita e Ministrit të Punëve të Jashtme është vakante bashkë me pozitë e Zëvendëskryeministrit.

PDK dhe LDK kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje pas zgjedhjeve të fundit nacionale. E kanë ndarë edhe pushtetin në Qeveri gjysmë për gjysmë. Ndërsa, PDK ka marrë edhe pozitën e Presidentit dhe Kryeparlamentarit.