Thaçi kërkoi dialog me Bosnje e Hercegovinën

Aktuale May 29, 2016 - 15:09

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij në takimin plenar të krerëve të shteteve në samitin e Bërdo-Brijunit, ftoi që Kosova dhe Bosnja e Hercegovina të nisin një dialog për të përmirësuar marrëdhëniet në mes dy vendeve.

Kosova me Bosnjën e Hercegovinën kanë regjim të ashpër të qarkullimit, që e pengon qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave në mes dy vendeve.

“Sot, qytetarët e Kosovës më lirë dhe lehtë qarkullojnë në Serbi, se sa në Bosnjë e Hercegovinë”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Edhe Greqia, edhe Sllovakia, edhe Rusia, edhe Kina e tani edhe Serbia kanë zyre ndërlidhëse në Kosovë. Vetëm në Sarajevë nuk kemi një adresë dhe Bosnja nuk ka një adresë në Kosovë”, shtoi Thaçi.

Për të tejkaluar këtë gjendje, që reflekton në tërë rajonin, presidenti Thaçi ka kërkuar dialog në mes të Kosovës dhe Bosnjës.

“Të nisim një dialog, të drejtpërdrejtë ose me ndërmjetësimin e BE-së, që të përmirësojmë marrëdhëniet”, kërkoi Thaçi./lajmi.net