Mustafa: Ibrahim vuri themelet e shtetësisë së Kosovës

Aktuale May 24, 2016 - 15:31

Kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa, duke kujtuar Ditën e Presidentit të Republikës së Kosovës, ai ka kujtuar 24 majin e vitit 1992, kur u mbajtën zgjedhjet e para presidenciale, në të cilat qytetarët e Kosovës zgjodhën për herë të parë Presidentin e Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, transmeton “zeri.info”.

Mustafa përmes një statusi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se Ibrahim Rugova ishte simbol i unitetit dhe vendosmërisë së paepur të popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.

“Vepra e Presidentit Historik Rugova vazhdon të jetë edhe sot frymëzim në avancimin e rrugës euroatlantike, në thellimin e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e BE-së, si dhe në progresin e gjithmbarshëm të shtetit”, ka shkruar ndër të tjerash Mustafa, transmeton “Zeri.info”.

Postimi i plotë i Mustafës:

Të dashur miq,

Sot është Dita e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Kjo datë na përkujton 24 majin e vitit 1992, kur u mbajtën zgjedhjet e para presidenciale, në të cilat qytetarët e Kosovës zgjodhën për herë të parë Presidentin e Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

24 maji është një prej datave që na përkujton arkitektin e shtetit të Kosovës, i cili me vizionin dhe veprën e tij kolosale vuri themelet e shtetësisë së Kosovës.

Ibrahim Rugova ishte simbol i unitetit dhe vendosmërisë së paepur të popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.

Vepra e Presidentit Historik Rugova vazhdon të jetë edhe sot frymëzim në avancimin e rrugës euroatlantike, në thellimin e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e BE-së, si dhe në progresin e gjithmbarshëm të shtetit.

Me këtë rast, ua uroj këtë ditë edhe presidentëve që pasuan Presidentin Rugova, Sejdiun, Pacollin, Jahjagën dhe presidentin aktual, Hashim Thaçi.

Nder dhe lavdi të përjetshme Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. IM