Koci: Unë Ministër i Drejtësisë

Aktuale May 24, 2016 - 15:07

Gani Koci pritet që të jetë ministër i ri i Drejtësisë në vend të Hajredin Kuqit i cili pritet të bëhet zëvendëskryeministër. Lajmin për zeri.info e ka konfirmuar vet Koci i cili ka pranuar se Kryesia e Partisë me 13 maj e ka propozuar atë për Ministër të Drejtësisë.

“Nuk e di nga po dalin këto informacione.Me 13 maj Kryesia e Partisë ka vendosur që të më propozoj për Ministër të Drejtësisë dhe nga ajo kohë nuk ka pasur ndonjë ndryshim. E kemi pasur edhe një mbledhje të kryesisë me 19 maj mirëpo aty vetëm janë konfirmuar propozimet”, ka thënë Koci për zeri.info.

Ai ka shtuar se përveç tij me 13 maj janë propozuar edhe postet për Hajredin Kuqin dhe Enver Hoxhajn.

Ndërkohë ka thënë se me qejf nuk do ta kishte pranuar postin e Ministrit të Integrimeve Evropiane.

“Askush nuk ka folur me mua për propozimin si Ministër i Integrimit Evropian. Për herë të parë dëgjova nga gazetarët. Postin e ministrit të Integrimit Evropian do ta mendoja nëse partia do ta shihte të arsyeshme mirëpo me qejf nuk do ta pranoja”, ka thënë Koci.

Ndërkohë Enver Hoxhaj tashmë dihet se do të jetë Ministër i ri i Punëve të Jashtme dhe Hajredin Kuqi do të zë vendin që e ka lënë bosh Hashim Thaçi atë të zëvendëskryeministrit. /Zeri/