Masive dhe e qetë

Aktuale May 15, 2016 - 08:06

Dy partitë e vogla opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, kanë arritur ta mbushin sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me protestues, pavarësisht se këtë herë nuk iu bashkua edhe Lëvizja “Vetëvendosje”

Pa përkrahjen e partisë më të madhe opozitare, Lëvizjes “Vetëvendosje”, dy partitë e vogla parlamentare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe “Nisma për Kosovën”, kanë arritur ta mbushin me protestues të shtunën sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar marrëveshjet për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave Serbe në vend.
Për dallim nga protestat e kaluara, në të cilat bashkorganizatore ishte Lëvizja “Vetëvendosje”, këtë herë përveç flamujve kombëtarë, kishte edhe flamuj të Kosovës, të SHBA-ve e të BE-së. Mijëra protestuesve u janë drejtuar liderët e dy subjekteve opozitare, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, duke thënë se po e vazhdojnë kundërshtimin e marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën. Përveç drejtuesve të AAK-së e “Nismës”, protestuesve këtë herë u janë drejtuar edhe përfaqësues të trevave të Rugovës dhe të Mitrovicës, të cilët kanë thënë se “nuk e falin tokën pa dhënë gjak”.

Haradinaj: Kosova është në rrezik nga fqinji dhe nga Qeveria

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se populli i Kosovës është ngritur në këmbë për të mos e humbur shpresën.

“Ne jemi po ky popull që e ngriti Kosovën në vitin 1999. Për ta fituar të drejtën tonë jemi flijuar me dekada ndërsa me pavarësinë e Kosovës është vendos paqja në Ballkan. Por sot jemi duke e humbur shpresën në vendin tonë”, ka thënë Haradinaj.

I pari i AAK-së më tej ka thënë se Kosova është në rrezik nga dy gjëra: ndërhyrjet e shtetit fqinj dhe Qeveria.

“Kosova sot i ka dy rreziqe: E para është nga ndërhyrjet nga fqinjët dhe e dyta nga Qeveria... Qeveria është rrezik sepse me korrupsion e ka mbyt shoqërinë. Po ashtu kjo Qeveri rrezikon kushtetutshmërinë, ndërsa me Asociacion dhe Demarkacion humbim shumë”, ka potencuar Haradinaj.

Në fund ai ka kërkuar nga Qeveria që t’ia kthejë mandatin qytetarit, ndërsa ka thënë se vetëm të bashkuar mund të fitojnë. “Ne fitojmë vetëm kur jemi të bashkuar kështu si sot. T’u themi boll më dhe të ndalen, që t’ia kthejnë mandatin qytetarit. Urime Kosovë!”, ka përfunduar Haradinaj.

Limaj: I meritojmë vizat pa dhënë tokë

Kryetari i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, ka thënë se po vazhdojnë kundërshtimin e qeverisjes antikushtetuese, ndërsa dy kërkesat e opozitës, sipas tij, do të vazhdojnë të jenë derisa koalicioni që ai e quan antikushtetues provon t’i legjitimojë ato marrëveshje.

“Nga Sheshi ‘Skënderbeu’ ne i bëjmë thirrje këtij koalicioni të japë dorëheqje. Ky koalicion ka shkelur Kushtetutën e tij... Siç e keni parë ditëve të fundit kanë nisur të shesin para popullit një pazar. Po i marrim vizat e po japim tokë. Ne i meritojmë vizat dhe asnjë centimetër tokë nuk e japim. Nuk do të shkojë shumë kohë dhe do të shihni tjetrin pazar. Po e pranojmë Zajednicën e po e krijojmë ushtrinë. As Zajednicën, po ushtrinë”, është shprehur Limaj.

Më tej ai ka thënë se koalicioni opozitar AAK – “Nisma” jo vetëm që po jep shpresë për kundërshtim, por edhe për t’i fituar zgjedhjet e parakohshme që, sipas tij, do të vijnë shpejt.

“Nga sot e tutje po japim shpresën për ndryshim sepse edhe më tutje ky koalicion do të ketë përballë një koalicion jo vetëm për të kundërshtuar, mirëpo edhe për të fituar në zgjedhjet që do të vijmë. Ata premtuan shëndetësi më të mirë e kurrë më keq nuk ka qenë, njëjtë edhe me arsimin. Ata premtuan investime direkte në Kosovë, kurrë më pak nuk ka pasur investime. Premtuan qindra-mijëra vende pune e asnjë njeri nuk është punësuar në Kosovë”, ka shtuar Limaj.

Krasniqi: I themi “jo” Qeverisë,  “po” zgjedhjeve

Kurse kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën”, Jakup Krasniqi, ka thënë se kanë dalë të protestojnë dhe t’i thonë “jo” kushtëzimit të liberalizimit të vizave me demarkacionin me Malin e Zi dhe “jo” marrëveshjeve të dëmshme të Kosovës që kanë bërë Thaçi dhe Mustafa.

“Ne dhe ju i themi ‘jo’ Qeverisë antikushtetuese Mustafa-Thaçi, i themi ‘jo’ Qeverisë e cila nuk di dhe nuk do të qeverisë në shërbim të qytetarëve, i themi ‘jo’ korrupsionit. I themi ‘po’ dorëheqjes së Qeverisë, i themi ‘po’ zgjedhjeve të parakohshme, i themi ‘po’ vullnetit të qytetarëve të Kosovës, që me vullnetin e tyre të shprehin në zgjedhjet e parakohshme. Këta qeveritarë e kanë humbur legjitimitetin për të qeverisur”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai më tej ka thënë se pushtetin duan ta marrin përmes votës së qytetarëve dhe se nuk e duan për vete, por për qytetarët.

“Qytetarë të nderuar. Ju që jeni këtu në këtë shesh. Sikur të gjithë ata që janë në punët e tyre duhet të na dëgjojnë dhe të na besojnë se pushtetin nuk duam ta marrim në asnjë rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të lira. Pushtetin nuk e duam për veten tonë, por për popullin”, ka thënë më tej Krasniqi.

 Lekaj: Do t’ua kthejmë shpresën qytetarëve

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se pushtetarët asnjëherë nuk e dëshmuan që janë në gjendje të punojnë në të mirë të Kosovës, por vetëm në dëm të saj. Prandaj ai thotë se kanë dalë për t’i thënë “mjaft” pushtetit dhe për t’ia kthyer shpresën qytetarit.

“Dëmet që ia sollën këtij vendi po i përjeton secili qytetar. Këta pushtetarë të japin çdo gjë mirëpo jo pushtetin. Janë të gatshëm të falin edhe territorin. Janë në gjendje të bëjnë Kosovën jofunksionale dhe të thyejnë dinjitetin e vendit. Prandaj ne këtij pushteti i themi ‘mjaft’. Populli nuk i ka humbur shpresat as në ditët tona më të rënda. Si popull do të arrijë të gjejë rrugën e shpresës dhe perspektivës... Ky popull do të falë edhe Isën e Hashimin, mirëpo asnjëherë asnjë pëllëmbë toke”, është shprehur Lekaj.

Lajçi: Kosova po humb pika strategjike, e vende turistike

Ish-kryetari i Pejës, njëherësh përfaqësuesi i zonës së Rugovës, Ali Lajçi, në fjalën e tij ka thënë se kanë ardhur në Prishtinë me qëllim që të dëshmojnë se komisioni i Kosovës ka bërë shkelje ligjore në demarkacionin me Malin e Zi.

“Asnjë vijë kufitare e dëshmuar deri më sot e aq më pak nga viti 74 e këtej nuk paraqet vijat kufitare, të cilat janë përcaktuar tash, të cilat janë bërë vetëm në bazë të interesave të Malit të Zi”, ka theksuar Lajçi.

Ai më tej ka thënë me marrëveshjen e 26 gushtit, Kosova humb pikat strategjike dhe vende turistike.

“Ne fuqimisht e kundërshtojmë atë. Është një vendim i nënshtruar nga Qeveria e Kosovës. Nga Ministria e Punëve të Brendshme, Skender Hyseni e Hashim Thaçit. Këta synojnë këtë vijë kufitare të cilat synojnë pikat strategjike duke marrë pjesët më të bukura në kuptimin burimor dhe turistik. I themi ‘jo’ dhe kjo nuk duhet të ndodhë”, ka thënë Lajçi, duke shtuar se nëse çohet në ratifikim kjo Marrëveshje do të jetë shumë e dëmshme për Kosovën.

Rugovasit: Nuk e falim tokën

Zeriq Dreshaj, 85 vjeç nga Rugova, ka thënë se është turp sesi Qeveria nuk e di se trojet shqiptare janë deri në Ulqin, Plavë, Guci e po duan ta falin edhe tokën e Çakorrit e të Kullës së Zhlepit.

“Nuk e falim Çakorrin kurrë, kurrë nuk e lëshojmë pa gjak”, ka thënë ndër të tjera Dreshaj.

Ndërsa Sadri Zekaj nga Podguri ka thënë se kanë dokumente me të cilat dëshmohet se janë paguar dënime në Pejë e Deçan për dëmtimin e pyjeve dhe se ato pjesë i takojnë Kosovës. Ai madje ka thënë se në atë pjesë ka me qindra toponime shqip.

“Qeveri si nuk po të vjen gjynah. Në ato pjesë atje janë nja 3-400 toponime shqip, për shembull ‘Kroni i Sokolit’, nëse e lëmë me na e marr Mali i Zi në vend të Sokolit, do t’i thonë Kroni i Milloradit. Këtë nuk duhet me leju. Qeveri, ndoshta t’i i detyron deputetët me votu për ratifikim, por ka me ju denu Zoti e toka e Kosovës, e populli kurrë nuk ka me kanë i pajtuar”, është shprehur Zekaj.

Kurse Esat Peci, banor i Mitrovicës, ka thënë se ky qytet është në gjendje të rëndë ekonomike. Ai më tej ka folur për kombinatin “Trepça” dhe për gjendjen e minatorëve. Sipas tij, nëse marrëveshjet për Asociacionin dhe për Demarkacionin zbatohen, do të ketë pasoja të rënda për Mitrovicën, pasi konsideron se Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi do të merret si model edhe për demarkacionin me Serbinë dhe kështu Kosova sërish do të humbë tokë.

Policia: Ishin 5 mijë protestues

Policia e Kosovës ka thënë se protesta ka qenë e lajmëruar nga organizatorët dhe me kohë se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e saj. Sipas Policisë, në këtë protestë kanë marrë pjesë rreth 5 mijë protestues.

“Policia e Kosovës (PK) si institucion i zbatimit të ligjit ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës, si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve. Protesta në të cilën kanë marrë pjesë rreth 5.000 protestues, pas fjalimeve të disa personaliteteve, rreth orës 15:05 minuta e njëjta ka përfunduar e qetë dhe pa incidente”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.