Ky është plani i Policisë për protestën e sotme

Aktuale May 14, 2016 - 10:35

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën sot kanë organizuar protestë para Qeverisë së Kosovës për të kundërshtuar dy marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Opozita nga ora 14:00 do të fillojë këtë protestë e që do të monitorohet nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se PK-ja ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për protestën e sotme dhe mbarëvajtjen e saj.

Daut Hoxha zëdhënës i Policisë së Kosovës, në një prononcim për zëri.info ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.

LEXO EDHE: Rruga e protestës së sotme në Prishtinë

Sipas tij, qëllimi i angazhimit policorë është siguria e përgjithshme në vend.

“ Lidhur me protestën e cila pritet të mbahet sot me 14 maj 2016,  Policia e Kosovës (PK) me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e kësaj proteste. Qëllimi i planit dhe angazhimeve policore do të jetë, Siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike, zbatueshmëria e ligjit si dhe shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, lëvizje të lirë,  para, gjatë dhe pas protestës”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ndër të tjera për zeri.info tha se protesta e sotme është lajmëruar në Policinë e Kosovës nga këshilli organizativ i protestës dhe që të njëjtit janë takuar me zyrtarët e policisë.

“ Ndërsa sa i përket lajmërimit të protestës ju informojmë se, këshilli organizativ i protestës ka bërë lajmërimin e protestës në Policinë e Kosovës si dhe te njëjtit janë takuar me zyrtaret kompetent të PK-së, për mbarëvajtjen dhe menaxhimin e protestës në mënyrë që e njëjta të kalojë e qetë”, ka thënë Hoxha./ZËRI/