Rugovasit protestojnë nesër në Prishtinë

Aktuale May 13, 2016 - 08:14

Protestës të së shtunës, të organizuar nga dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe “Nisma për Kosovën”, do t’i bashkëngjiten edhe banorët e pesëmbëdhjetë fshatrave të Rugovës.

Banorët e Rugovës kanë deklaruar se do të jenë në protestë kundër Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, marrëveshje e cila, sipas tyre, cenon territorin e Kosovës dhe merr disa mijëra hektarë toka, prona të tyre. Rugovasit do t’i bashkëngjiten protestës që në moto të saj përfshin edhe kundërshtimin e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe, si dhe dështimin e Qeverisë për ta çuar vendin përpara. Madje, sipas përfaqësuesve të komunitetit rugovas, në protestën, e cila do të mbahet në Prishtinë, do të vijnë edhe banorë të tjerë të rajonit të Dukagjinit. Në mënyrë të organizuar, por dhe individuale rugovasit u shprehën se do të gjenden në Prishtinë të shtunën prej orës 14:00, kur pritet të fillojë protesta.   

Ali Ibërdemaj, përfaqësues i AAK-së për fshatrat e Rugovës, ka thënë për “Zërin” se banorët e kësaj ane kanë deklaruar se do t’i bashkëngjiten protestës. Dhe, sipas tij, jo vetëm kësaj proteste, por edhe në forma të tjera do të kundërshtojnë vendosmërisht që të mos pranohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi. Kjo ndarje e territorit që përfshihet në marrëveshje, ai thotë se ishte projektuar në kohën e ish-Jugosllavisë, atëherë kur edhe nga Serbia e po ashtu edhe nga Mali i Zi synohej ndarja e Kosovës ndërmjet tyre. Ibërdemaj thotë se në protestë rugovasit do të mbajnë pankarta, ku do të pasqyrohet harta dhe vija e kufirit të saktë, siç ka qenë dhe siç po pretendohet tash t’u merret këtyre banorëve. Ibërdemaj u ka bërë thirrje dhe banorëve të 64 fshatrave të Dukagjinit dhe dhjetë të pjesës së Podgurit që t’i bashkëngjiten protestës, pasi që, sipas tij, edhe atyre me këtë Marrëveshje të Demarkacionit do t’u merren kullosat që kanë shfrytëzuar deri më tani dhe i shfrytëzojnë shumica ende. Ibërdemaj thotë se banorëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës po u mbahet fshehur marrëveshja, sepse me këtë marrëveshje, sipas tij, nuk merren vetëm tokat e banorëve, por edhe dy burime të ujit që rrezikojnë të kalojnë nën juridiksionin e Malit të Zi me këtë marrëveshje. Ai ka apeluar tek institucionet dhe tek secili deputet i Kuvendit të Kosovës të refuzojë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.   

Rexhep Kurtbogaj, përfaqësues i Këshillit të Bashkësisë Lokale për fshatrat në rajonin e Rugovës, ka thënë për gazetën “Zëri” se si Këshill nuk janë organizuar për të ardhur në protestë të shtunën. Ai ka thënë se në mënyrë individuale protestës do t’i bashkëngjiten edhe rugovasit, por jo në mënyrë të organizuar nga Këshilli. Kurtbogaj thotë se Këshilli do t’i drejtohet me kërkesë zyrtare secilit deputet të Kuvendit të Kosovës nga të gjitha partitë, duke përfshirë dhe deputetët e PDK-së që të mos e votojnë çështjen e demarkacionit kur të dalë në Kuvend për ratifikim. Ai ka thënë se rugovasit do të flasin me secilin deputet dhe institucion për t’ua treguar me fakte dhe saktë sesa i dëmton demarkacioni, madje siç shprehet ai “se si ua merr pronën private të trashëguar nga të parët dhe që ishte e është pjesë e territorit të Kosovës”. Kurtbogaj ka thënë se përmes protestave apo ndonjë trazire çështja e demarkacionit nuk mund të zgjidhet. “Kufirin duhet ta mbrojnë institucionet tona për çka kanë përgjegjësi, pa lënë hapësirë për protesta apo trazira”, ka thënë ai për gazetën.