AAK-Nisma: Protesta e 14 majit, jetike për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale May 09, 2016 - 22:37

Në degën e Nismës për Kosovën në Prizren sot është mbajtur takimi i përbashkët i strukturave të tri subjekteve politike në Prizren, Nismës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Bashkimit Demokratik të Zafir Berishës, e cila para pak ditësh bëri koalicion me Vetëvendosjen në këtë qytet.

“Ky takim kishte për qëllim koordinimin e përbashkët të aktiviteteve për protestën e 14 Majit, e cila do të mbahet në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Nismës. 

“Nuk ka dyshim se protesta e 14 Majit do të jetë tejet masive, ngase në Kosovë ka shumë arsye për të protestuar dhe se qytetarit të Kosovës, i ka mbetur vetëm protesta si mjet për të kundërshtuar marrëveshjet tashmë tejet të dëmshme, siç janë Asociacioni dhe Demarkacioni”, thuhet më tej në këtë njoftim.

Njoftimi i plotë: 

Sot në degën e “NISMA”-s në Prizren, u mbajt takim  i përbashkët i strukturave të tri subjekteve politike këtu në Prizren, NISMA-s, AAK-së dhe BD-së. Ky takim kishte për qëllim koordinimin e përbashkët të aktiviteteve për protesten e 14 Majit, e cila do të mbahet në Prishtinë.

Në këtë takim prezent ishin edhe Deputetët në Parlamentin e Kosoves nga radhet e NISMA-s, Z. Enver Hoti dhe Z. Zafir Berisha (njëherit edhe kryetar i BD-së),  si dhe Z. Blerim Kuqi  dhe Muharrem Nitaj nga  AAK. 

Nuk ka dyshim se protesta e 14 Majit do të jetë tejet masive, ngase në Kosovë ka shumë arsye për të protestuar dhe se qytetarit të Kosoves, i ka mbetur vetëm protesta si mjet për të kundërshtuar marrveshjet tashmë tejet të dëmshme, siç janë Asociacioni dhe Demarkacioni.

Andaj në këtë protestë definitivisht do të kërkohet edhe dorëheqja e kësaj qeverie antikushtetuese, e cila në kontinuitet po demton dhe cenon interesat e vendit.

Në këtë takim u potencua se, qytetarët e Republikes së Kosoves nuk duhet ta konsiderojnë protestën e 14 majit si rutinore, porse duhet të konsiderojnë  si jetike për rrezimin qeverisë PDK-LDK-Lista Sërbska, koalicion ky që Kosoven tashmë e ka dërguar buzë gremine.

Andaj nga këtu bëjmë  thirrje për pjesëmarrje sa më masive në protesten civile dhe paqësore që do të mbahet me 14 Maj në Prishtinë, të gjithë atyre që janë bashkëpunues të kësaj ndërmarrjeje politike, të gjithë qytetarëve Prizrenas dhe më gjërë.

Bashkohuni rreth  karvanit të fitores,  fitore kjo që do të vie  përmes boshtit fitues  NISMA-AAK.