Vajza e Ilaz Kodrës: Mos harroni heroizmin e dëshmorëve

Aktuale April 29, 2016 - 17:22

Dëshmori i kombit Ilaz Kodra është përkujtuar sot në 17 vjetorin e rënies. Kodra ka rënë dëshmor në fushën e nderit më 30 prill të vitit 1999.

Ai ishte njëri ndër bashkëluftëtarët e parë të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari.

Për ta përkujtuar veprën e dëshmorit Ilaz Kodra në Teatrin Kombëtar është mbajtur një akademi përkujtimore në të cilën vepra e dëshmorit Kodra është lartësuar nga folësit në këtë akademi.

Për të nderuar punën dhe veprën e tij në akademinë që është organizuar nën patronatin e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa kanë marrë pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, deputetë ,familjarë të dëshmorëve si dhe personalitete tjera.

Vajza e dëshmorit Ilaz Kodra, Sumea Kodra  tha se babai i saj së bashku më dëshmorët tjerë e kanë kryer borxhin që kanë pasur ndaj Kosovës. Ajo shtoi se ndjen mungesë të madhe të dashurisë dhe përkëdheljes prindërore, mirëpo ato i kalon kur e di që ideali i dëshmorëve po realizohet . Vajza e dëshmorit nuk kërkon privilegje,  por që vepra e babait të saj dhe dëshmorëve të tjerë të çmohet si luftë heroike.

Kodra: Dëshmorët e përfunduan borxhin ndaj Kosovës

“ Padyshim na mungon babi ynë. Na mungon dashuria përkëdheljet e tij prindërore, mirëpo të gjitha këto mungesa i tejkalojmë kur e dimë që ideali i dëshmorëve po realizohet. Ilaz Kodra dhe të gjithë dëshmorët i kryejnë borxhin që kishin Kosovës , atdheut të tyre. Ne po rritemi sot në Kosovë me shpresën që ky vend do të ketë të ardhme të ndritur sepse mbështetet në themele të forta në sakrificën, luftën dhe vetëmohimin e komandantit legjendar Adem Jashari. Ne familjet e dëshmorëve anjëherë nuk kemi kërkuar privilegje nga vendi ynë, ansjëherë nuk kemi synuar të marrim merita të pa qena. Ne kemi kërkuar që lufta dhe rënia e familjarëve tanë për liri të çmohet vetëm si e tillë, si vepër heroike”, tha Kodra.

Në fjalën e tij të përkujtimit për dëshmorin Kodra, presidenti Thaçi e krahasoi dëshmorin Kodra sikurse komandantin Fehmi Lladrovci, emrin e të cilin e ka mbajtur Brigada 114, të cilën e udhëhoqi Ilaz Kodra deri në rënie.

Thaçi: Ilaz Kodra dha jetën për lirinë e Kosovës

“Ilaz Kodra ra trimërisht ashtu si komandanti Fehmi Lladrovci, emri i të cilit me nder dhe krenari e barti Brigada. Sot kur kujtojmë heroin e Kosovës Ilaz Kodrën i bëjmë nderimet më të larta shtetërore dhe institucionale, vlerave, sakrificës dhe sublimit të këtyre gjithë bashkëluftëtarëve komandantëve. I nderojmë të gjithë ata që me vizionin, këmbëngulësinë , vendosshmërinë dhe përkushtimin e tyre sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e Kosovës, dhe ua japin ata që me filozofinë dhe orientimin e drejtë arritën mbështe tjen dhe përkrahjen e botës demokratike të SHBA dhe të NATO që Kosova të jetë e lirë demokratike dhe sovrane”, tha Thaçi.

Në këtë akademi, presidenti nuk la pa përmendur liberalizimin e vizave që sipas tij do të ndodhë muajin tjetër.

Thaçi ftoi të gjithë që të punojnë për përforcinm të sundimit të ligjit që shteti për të cilin luftuan dëshmorët e kombit.

Në fjalën e tij kryetari i Kuvendit Kadri Veseli u tha vajzave të dëshmorit Ilaz Kodra se duhet të jenë krenare për babain e tyre, i cili për asnjë moment nuk i është ndarë luftës.

Veseli: Familjarët të ndihen krenar me heroin Ilaz Kodra

“Nuk ka vendim edhe nuk ka veprim i cili është zhvilluar periudhën më të rëndë të kombit tonë , po flas gjatë viteve nëntëdhjeta, në të cilin nuk ka qenë pjesëmarrja dhe vendimmarrja e babit tuaj , heroit të kombit Ilaz Kodra. Që nga themelimi i UÇK ka qenë krahu i djathë, ka qenë njeriu i cili më së shumti iu ka dashur komandanti legjendar Adem Jashari. Ka qenë nder ushtarët e parë të UÇK, ndër komandantet e parë të UÇK, dhe në asnjë moment nuk iu është ndarë, as kur ka qenë në rrezik”, tha Veseli

Kryetari i Kuvendit tha se institucionet e Kosovës dhe bashkëluftëtarët e tij kanë për obligim të angazhohen edhe më tepër për arsye që sot Kosova nuk ballafaqohet me rrezikun e një pushtimi siç ka qenë Serbia.

Ilaz Kodra ra në altarin e lirisë më 30 prill të vitit 1999, në fshatin Shtuticë. Pas vetes la bashkëshorten dhe dy vajza.