Propozimi paushall i Petrit Selimit

Aktuale April 19, 2016 - 07:25

Ideja për futjen e fesë nëpër shkolla nga zëvendësministri Petrit Selimi, është vlerësuar si paushalle, e pamenduar mirë, madje e rrezikshme për shkak të shumë rrethanave në të cilat ndodhet Kosova. Sociologë, teologë dhe gazetarë që janë marrë me trajtimin e religjionit në Kosovë, thonë se mësimi fetar nëpër shkolla do të bëjë që shoqëria edhe më tepër të fetarizohet me tendencë të grupeve të caktuara që të shtrijnë ndikimin e tyre fetar përmes lëndëve mësimore. Madje, si model i afërt është Maqedonia, ku imamë kontroversë, kanë shtrirë ideologji fetare në emër të mësimbesimit nëpër shkolla. Ideja e Selimit është mbështetur nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe Ipeshkvia. Selimi nuk ka paraqitur asnjë vendim zyrtar me analizë mbështetëse, për këtë propozim, ndonëse ai ka disa vjet që merret me organizimin e konferencës ndërkombëtare në Prishtinë, për dialog ndërfetar. Madje Selimi në shkurt të këtij viti është shpërblyer me “Çmimin e Dohës” nga Qeveria e Katarit për angazhimin e tij në dialog ndërfetar.

Sociologë e gazetarë reagojnë ashpër

Sibel Halimi, sociologe, e quan të gabuar përpjekjen për të luftuar ekstremizmin duke futur në shkolla lëndën mbi fetë. “Në përpjekje për të luftuar ekstremizmin fetar të përfshihet në shkolla lënda mbi edukatën fetare, është një përpjekje e gabuar”. Sipas saj, rrjedhimisht, ekstremizmi fetar është pikërisht pasojë e radikalizimit të shumë çështjeve dhe tematikave shoqërore, të cilave është synuar t’u jepet përgjigje nëpërmjet fesë. “Prandaj nuk është e rastësishme që disa përfaqësues fetarë kur flasin për rëndësinë e kësaj lënde në shkolla, analogjinë e bëjnë me patologjitë sociale, të cilat ata i paraqesin si të tilla”, thekson Halimi. Sipas saj, kur kësaj i shtohet edhe pasiguria e funksionimit të shtetit, prindërit, shoqëria gjithsesi, vetvetiu do të jenë të prirë që brezin e ri ta orientojnë drejt fesë si mekanizëm kontrolli, porse jo drejt kultivimit të mendimit të pavarur për aspekte të gjithmbarshme shoqërore.

Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, e cila për një kohë të gjatë është marrë me shtrirjen e radikalizmit fetar në Kosovë, thotë se Maqedonia është model për t’u vërtetuar se cilat janë pasojat e futjes së lëndës fetare nëpër shkolla. “Fillimisht nuk kemi të qartë se si është menduar të jetë kjo lëndë, e dyta kush do të kontrollojë mësimdhënësit, kush do të jenë ata, çka do të ligjërohet (predikohet) te fëmijët. Në Maqedoni është keqpërdorur nga grupe radikale të cilët kanë dërguar të emëruarit e tyre që të shtrijnë fetarizimin përmes lëndëve mësimore”, ka thënë Xharra. Ajo thotë se niveli arsimor edhe ashtu i brishtë, mosdhënia e mjaftueshme e njohurve shkencore do të orientojë lehtësisht gjenerata kah fetarizimi i tyre. “Pa harruar rrezikun e margjinalizimit të pakicave fetare nëpër klasa”, ka thënë Xharra

Gazetari i gazetës “Express”, Artan Haraqija, i cili tash sa vite merret me hulumtime në terren mbi shtrirjen e ekstremizmit dhe radikalizmit fetar në Kosovë, ka thënë se deklarata e Petrit Selimit është kalkulim për vota. “Është bërë karakteristikë e çdo politikani kosovar, i cili pasi dështon në mbledhjen e votave gjatë procesit zgjedhor, apo pas dështimeve personale në politikë, të përdorë religjionin si mundësi shumë të lehtë për mbulim të dështimeve të veta”, ka thënë Haraqija.

Sipas tij, ideja e futjes së lëndës fetare nëpër shkolla është pikë së pari një nga kërkesat kryesore të islamit politik në Kosovë, një agjendë kjo e dëmshme me të cilën partia në pushtet, PDK-ja, bashkëpunon edhe përmes koalicionit parazgjedhor me të ashtuquajturën Parti e Drejtësisë.

“E dyta, mësimbesimi do të shkaktonte edhe përçarjen e parë në baza fetare prejse ka nisur punën shkolla shqip në Kosovë. Duke e pasur parasysh mentalitetin e familjes tipike kosovare, dhe përkushtimin në rritje ndaj fesë, një pjesë e konsiderueshme e familjeve kosovare nuk do të lejojnë fëmijët e tyre të qëndrojnë në klasë derisa ligjërohet për fenë që ata nuk i përkasin”, ka thënë Haraqija.

Sipas tij, kjo do të shënonte pra përçarjen e parë në shkollën shqipe të Kosovës dhe mbi të gjitha do të nxiste edhe telashe të mëdha në largimin e fëmijëve nga shkolla.

Prijësit fetarë pro lëndës fetare

Profesori në Fakultetin e Studimeve Islame, Xhabir Hamiti, thotë se nuk duhet frikësuar nga edukimi dhe arsimimi i drejtë, duke mos e parë rrezik të keqpërdoret futja e mësimit mbi fetë në shkolla. “Edukimi dhe arsimimi i mirë dhe i drejtë për njeriun asnjëherë nuk është rrezik. Një kurrikulë e përgatitur mirë, profesionalisht dhe pedagogjikisht në çfarëdo lëmie përfshirë edhe lëndën e njohurive fetare, nuk mund të keqpërdoret, e sidomos kur ajo mbikëqyret nga ekspertët dhe hartuesit e saj”, shprehet doktori i shkencave islame.

Profesor Hamiti shton se para se të flitet për atë se kush do të ligjërojë në shkolla për mësimin mbi fetë, duhet të shihet se cila është materia për këtë fushë, për të cilën thotë se nuk ka asnjë përpjekje më të vogël rreth saj. “Para se të flasim për ligjëruesit, duhet të pyesim se cila është materia e përgatitur për këtë fushë?! Ne nuk kemi asgjë në këtë drejtim, asnjë hap sado të vogël”, shprehet Hamiti.

Edhe Ipeshkvia e Kosovës ka dalë me qëndrim pro lëndës fetare.

 “Për hir të pasurisë që kemi trashëguar, nga të parët tanë, tolerancën ndërfetare dhe bashkëjetesën në paqe, vlerësojmë se edukimi fetar duhet të zhvillohet nëpër kisha dhe xhami, ndërsa mësimi mbi fetë, mbi tolerancën dhe bashkëjetesën historike ndërfetare, mund të jetë në kuadër të arsimit publik”, thuhet në qëndrimin e Ipeshkvisë së Kosovës.